Avioni përplaset me helikopterin në 2845 metër lartësi

Një aksident me pasojë vdekjen e tre personave ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aeroportin Lukla në Nepal. Një avion i tipit Summit Air, që po bëhej gati të ngrihej në fluturim nga aeroporti, që ndodhet në malet Himalaje, mësohet të ketë dalë nga pista dhe të jetë përplasur me një helikopter që ndodhej në zonën e parkimit.

Incidenti ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 09:10 me orën lokale, ndërsa nga aksidenti kanë humbur jetën tre persona. Mes tyre është piloti i avionit, Sunil Dhugana dhe një punonjës i policisë, të cilët kanë gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa një tjetër punonjës policie ka humbur jetën gjatë rrugës për në spitalin e Katmandus, ka deklaruar Shefi Ekzekutiv i Aeroportit “Lukla” në Nepal. 

Avioni nuk ka pasur asnjë pasagjerë në bord, teksa ishte duke u nisur për në Manthali, ka thënë një oficer policie në Nepal. Lukla është një aeroport i vogël mes maleve himalaje i ndërtuar në 2845 metër lartësi mbi nivelin e detit. Ky aeroport i shërben shumë turistëve dhe alpinistëve nga e gjithë bota, që vizitojnë çdo vit malet Himalaje në Nepal, apo ngjisin majën më të lartë të botës, Everest.

Photo Courtesy: Devraj Lama/Lukla
Skip to toolbar