Konsulenti i Ramës, Alastair Campbell përjashtohet nga Partia Laburiste

Ish-shefi i komunikimit për mediat i Tony Blair, Alastair Campbell është përjashtuar nga Partia Laburiste pasi votoi për Liberal Demokratët në zgjedhje europiane.

Campbell u shpreh i zhgënjyer ndërsa deklaroi se do të apelojë kundër vendimit. Ai tha se donte që Laburistët të bënin gjënë e duhur dhe të mbështesnin një referendum të dytë në Britani për BREXIT.

“Unë jam dhe do të jem gjithnjë një Laburist. Vota ime për Liberalët Demokratë ishte një përpjekje për të bindur laburistët për të bërë gjënë e duhur për vendin dhe partinë. Në kërkesën time për apel nuk kërkoj të bëj lajm mediatik, por nuk mund të tregoj diferencën për mënyrën se si janë trajtuar rastet e antisemitizmit”. – ka shkruar Campbell në Twitter.

Një zëdhënëse e Partisë Laburiste tha se Campbell ishte dëbuar sepse “mbështetja për një parti tjetër politike apo kandidat nuk është në përputhje me anëtarësimin e partisë”. Rregullorja e Partisë Laburiste thotë se çdo anëtar i partisë që mbështet një organizatë politike tjetër ose mbështet ndonjë kandidat që qëndron kundër një kandidati zyrtar të Laburistëve nuk është i kualifikuar të jetë ose të mbetet anëtar i partisë dhe prandaj është i përjashtuar automatikisht nga anëtarësia.

Alaistair Campbell ka qenë konsulent i Edi Ramës për komunikimin që nga 2013, ndërsa ka pasur një rol aktiv edhe në fushatën zgjedhore të 2017.

Skip to toolbar