Ra nga pallati, Teqja lë spitalin, kthehet në stërvitje

Partizani vijon përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat kundër Flamurtarit. Të martën lojtarët janë surprizuar nga një vizitë e papritur në seancën stërvitore. Portieri i Partizanit, Aldo Teqja, që disa javë më parë ra nga kati i gjashtë i pallatit, por shpëtoi për mrekulli, duket se ka lënë ambientet e spitalit.

Portieri është shfaqur në stërvitje me shokët e skuadrës, padyshim për të ndjekur shokët pasi vetë ende nuk mund të stërvitet. Ai pozoi me të gjithë lojtarët, ku shihet i buzëqeshur dhe në gjendje të mirë shëndetësore, pas aksidentit të rëndë që i shpëtoi mrekullisht.

Sipas një njoftimit të klubit të Partizanit, Aldo Teqja pritet të bashkohet së shpejti me grupin e lojtarëve për të rinisur stërvitjen. Partizani do të përballet në fundjavë me Flamurtarin në ndeshjen e javës së 12 të Superligës. Kampionët në fuqi janë duke kryesuar kampionatin për momentin, me një pikë më shumë se Bylis i vendit të dytë.

Ra nga kati i gjashtë, Aldo Teqja gati të lërë spitalin

Gjendja shëndetësore e portierit Aldo Teqja është duke u përmirësuar. Klubi i Partizanit deklaroi të enjten se futbollisti po shkon drejt përmirësimit të plotë, ndërsa pritet të lërë spitalin. “Klubi njofton se gjendja shëndetësore e portierit Aldo Teqja është drejt përmirësimit të plotë. Shumë shpejt pjestari i skuadrës pritet të lërë ambientet e spitalit të Traumës. Klubi dhe tifozët vazhdojnë ti qëndrojnë pranë Aldos përgjatë gjithë periudhës së qëndrimit të tij në ambientet e spitalit”, shkruan klubi në një njoftim.

Ndërkohë, gjatë ditës së enjte portieri Aldo Teqja është vizituar nga drejtuesit e skuadrës në ambientet e spitalit. Trajneri Franko Lerda, Drejtori Sportiv Olsi Rama si dhe drejtues të tjerë ishin pranë futbollistit, me të cilin bën dhe një foto. Aldo Teqja u rrëzua disa ditë më parë nga kati i gjashtë i apartamentit ku banonte.

Fillimisht, në informacionin zyrtar, u tha se futbollisti ishte vetëhedhur pas gjendjes së rënduar psikologjike, ndërsa më pas ky version u përgënjeshtrua. Familjarët e futbollistit deklaruan se djali i tyre ra nga ballkoni i pallatit, pasi ishte duke rregulluar tendën. Pavarësisht versioneve, lajmi i mirë ishte që 24-vjeçari shpëtoi mrekullisht nga rënia prej lartësisë, vetëm me disa dëmtime, por që nuk i rrezikuan jetën.

“Portieri i Partizanit u hodh nga ballkoni se u zu me të dashurën”

U zu me të dashurën dhe u hodh nga kati i 6-të i pallatit. Ky ishte vendimi që Aldo Teqja, portieri i Partizanit, mori në ato momente të rënduara psikologjike. Ato ishin së bashku në makinë dhe patën një debat rrugës për në shtëpi, ku jetonin në një kompleks te Komuna e Parisit. Pas mbërritjes, Teqja doli i vetëm dhe u ngjit për në banesë, ndërsa e dashura e tij po parkonte makinën. Sapo doli nga makina ajo pa të gjithë skenën e hedhjes nga ballkonit të 24-vjeçarit. Ishte partnerja e tij që ka lajmëruar ambulancën dhe policinë.

24-vjeçari ishte në gjendje të rënduar psikologjike dhe në kushte të tilla vendosi të kryej aktin e vetëvrasjes. Teqja ka shpëtuar nga vdekja e menjëhershme nga disa tenda të pallatit dhe pemët në rrugë, me të cilat u përplas. Gjendja e tij vijon të jetë kritike, pasi ka dëmtime të rënda në mushkëri.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur të shtunën pasdite te Komuna e Parisit, ku futbollisti jetonte me qira prej disa muajsh, së bashku me partneren.

Teqja u hodh nga pallati, FSHF: Po monitorojmë situatën me kujdes

Federata Shqiptare e Futbollit reagoi mbrëmjen e të shtunës në lidhje me aksidentin e rëndë të portierit të Partizanit, Aldo Teqja. FSHF shprehet se po monitoron me kujdes situatën e portierit, duke u shprehur se lojtari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të njoftojë opinionin publik se po monitoron me shumë kujdes situatën e portierit Aldo Teqja, i cili ka pësuar mbrëmjen e sotme një aksident”.

“Pas komunikimit me mjekët, familjarët dhe drejtuesit e Klubit Partizanit, duhet t’ju bëjmë më dije se gjëndja ish-portierit të përfaqësueses U-21 është jashtë rrezikut për jetën dhe në monitorim të vazhdueshdueshëm nga mjekët”.

“Jemi pranë familjes në këtë moment të vështirë dhe dëshirojmë të shprehim gatishmërinë tonë si institucion për të ndihmuar rikuperimin e shpejtë të Aldos.
Forca Aldo, Forca kampion”, shkruan FSHF.

“I rënduar psikologjikisht”. Portieri i Partizanit u vetëhodh nga pallati

Të shtunën në mbrëmje Tirana u trondit nga një ngjarje e rëndë. Portieri 24 vjeçar i Partizanit, Aldo Teqja është vetëhedhur nga kati i gjashtë i pallatit. Ky është informacioni paraprak zyrtar që jep Policia e Shtetit. Sipas uniformave Blu, 24-vjeçari është vetëhedhur nga pallati rreth orës 19:40 të mbrëmjes në rrugën “Medar Shtylla”. Dyshohet se Aldo Teqja ishte në gjendje të rënduar psikologjike. Për momentin ai ndodhet në Spital nën kujdesin e mjekëve. Ndërkohë, me një njoftim të klubit të Partizanit, mësohet se futbollisti ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Klubi njofton se pjestari i ekipit Aldo Teqja siç edhe është raportuar në media ka pësuar një aksident menjëherë pas përfundimit të takimit Partizani – Teuta. Aktualisht portieri Teqja gjendet i shtruar në spitalin e Traumës në Tiranë nën mbikqyrjen e mjekëve, fatmirësisht jasht rrezikut për jetën. Mjekët e spitalit janë duke monitoruar gjendjen e Lojtarit. Prezent në ambientet jashtë spitalit janë shokët e skuadrës, stafi dhe drejtues të Klubit”, shkruan Partizani.

Kujtojmë se Aldo Teqja u bashkua me klubin e Kuq këtë sezon, pasi u largua nga Skënderbeu. Futbollisti ishte pjesë e skuadrës së Skënderbeut  për disa sezone, ndërsa në sezonin e fundit ai luajti si titullar në Korçë. Kurse, këtë sezon, ai u bashkua me Partizanin për një aventurë tjetër, por nuk gjeti hapësira, pasi portier i parë është Alban Hoxha. Është e paqartë, nëse gjendja e rënduar psikologjike e futbollistit vjen për shkak të mos aktivizimit në skuadër, apo për arsye të tjera.

Skip to toolbar