Një ditë pasi u paraqit në Komisionin e Posaçëm Hetimor në Kuvend për shkarkimin e tij, Ilir Meta ka publikuar një foto në rrjetet sociale të martën në mëngjes. Në foton e publikuar nga Presidenti, Meta shfaqet në një takim me Gramoz Ruçin ku shihen të dy duke qeshur, ndërsa në sfond është dhe Kryeministri Rama. Në komentin e fotos, Meta shkruan se, pas dëshmisë në Komisionin Hetimor, kishte takuar Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, me të cilin, sipas tij, kishte diskutuar se dy grupet parlamentare më cilësore opozitare kanë qenë ato të vitit 1991/92 dhe `92-`96.
“Ishte kënaqësi dje të rikthehesha në Kuvend. Po kështu të shkëmbeja disa mendime dhe kujtime me Kryetarin e Kuvendit z.Gramoz Ruçi. Së bashku ramë dakord se dy grupet parlamentare më cilësore opozitare kanë qenë ai i PD në ’91-’92 dhe ai i PS në ’92-’96. Kjo më përforcon bindjen se në demokraci, cilësia është më e rëndësishme se sasia, për të udhëhequr ndryshimin e një shoqërie, edhe kur “sasia” duket fuqiplotë”, shkruan Meta.
Në fakt, ky koment i Metës duket si një mesazh drejtuar kreut të qeverisë, Edi Rama. Mazhoranca ka kërkuar votat e opozitës aktuale në Parlament për të votuar shkarkimin e Ilir Metës. Madje, mbështetja e opozitës parlamentare jo vetëm nuk ka munguar, por deputetët e saj kanë qenë gjithmonë më të gatshëm se kushdo në Kuvend për të votuar largimin e Ilir Metës nga posti i presidentit. Edhe gjatë dëshmisë në komisionin hetimor, ishin deputetët e opozitës që bën jo pak pyetje të ‘vështira’ për Metën, disa prej të cilave nuk iu përgjigj.