Fact Checking/ Si SHBA ‘heshti’ Metën, që e quajti Reformën në Drejtësi, Ramaformë

Të martën më 27 gusht, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, publikoi videon e radhës në kuadër të procesit informues për qytetarët shqiptarë të nisur më 22 korrik, “Çfarë është Reforma në Drejtësi”. E fundit, nga pesë videot që ka publikuar deri më tani ambasada e SHBA për Reformën në Drejtësi, ishte një video informuese për Byronë Kombëtare të Hetimit. Ambsada sqaronte se “Byroja Kombëtare e Hetimit shkurt ‘BKH’, është njësia hetimore e SPAK (Prokurorisë Speciale anti Krimit të Organizuar dhe Korrupsioni). Sipas SHBA, Byroja Kombëtare e Hetimit, do të jetë njësi hetimore e ngjashme si FBI në Amerikë. Kjo është në mënyrë të përmbledhur, në videon shpjeguese të BKH-së që publikoi Ambasada e SHBA.

Më 20 gusht, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, publikoi videon e katërt në radhë, ku shpjegonte funksionimin dhe rëndësinë e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Anti-Krim i Organizuar, ose shkurt SPAK. Duke shpjeguar këtë strukturë, ambasada tregonte se ‘SPAK do të jetë njësia që do të hetojë krimin dhe korrupsionin e kryer nga zyrtarët e lartë”, duke shpjeguar gjithashtu se kësaj strukture nuk do t`i shpëtojë askush, përfshirë “presidentin, kryeministrin, ministra” e të tjerë zyrtarë të lartë.

Më 13 gusht, në videon e tretë në radhë, ku këtë herë në kuadër të procesit informues “Çfarë është Reforma në Drejtësi”, Ambasada e SHBA, shpjegonte Gjykatën Kushtetuese, ku ndër të tjera shkruante “Shqipëria do të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale, me gjykatës të kualifikuar, të paanshëm dhe apolitikë”. Gjykata Kushtetuese, është një nga institucionet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë, e cila është e vetmja që ka tagrin që gjykon dhe interpreton Kushtetutën, duke u dhënë zgjidhje shumë problemeve në vendin tonë. SHBA ka qenë promovuese e fortë e krijimit të Gjykatës Kushtetuese sa më shpejt të jetë e mundur, si institucioni i vetëm legjitim që mund të gjykojë ligjshmërinë ose jo të dekreteve të Ilir Metës për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe dekretimin e 13 tetorit, por edhe vetë procesin e zgjedhjeve lokale të mbajtura dy muaj më parë në vendin tonë.

Në videon e datës 6 gusht, ambasada e SHBA, njihte dhe informonte qytetarët shqiptarë për Procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë. Një nga proceset më të rëndësishme që deri tani ka larguar nga sistemi i drejtësisë mbi 60 gjykatës dhe prokurorë që dyshohet se kanë pasur lidhje me krimin, apo kanë pasur pasuri të pajustifikuar.

Në videon e datës 22 korrik, e para në radhë nga pesë videot e shpërndara në më shumë se një muaj nga ambasada e SHBA, ajo informonte qytetarët shqiptarë për Reformën në Drejtësi, duke shpjeguar  në mënyrë të hollësishme se “çfarë është kjo reformë dhe çfarë ndikimi do të ketë ajo në jetën e shqiptarëve?”. Në këtë video tregoheshin pikërisht institucionet e reja të drejtësisë, të cilat sipas SHBA, do të bëjnë të mundur që “të gjithë të jenë të barabartë përpara ligjit”.

Po përse SHBA ka vendosur që gjatë verës të shpërndajë këto video mesazhe ku informon “çfarë është Reforma në Drejtësi?”. Pse nisi më 22 korrik dhe jo më herët shpërndarja e këtyre videove? A janë këto video një përgjigje dhe mesazh vetëm për qytetarët shqiptarë, që kërkojnë të njihen me Reformën në Drejtësi, apo ka arsye të tjera?

Realstory.al ka bërë një kontroll të fakteve, duke u munduar t`i japë përgjigje pyetjeve të mësipërme. Publikimi i videove ku shpjegohet Reforma në Drejtësi nga SHBA erdhi fill pas një serie sulmesh të Ilir Metës kundër kësaj reforme. Më 3 korrik, Ilir Meta nisi disa sulmes të paprecedenta, ku sipas tij akuzonte se qeveria po kap sistemin gjyqësor, ndërsa Reforma në Drejtësi është ‘deformuar’. Meta e quajti Reformën në Drejtësi si “Ramaformë”. Kreu i shtetit, sipas mesazheve të publikuara në llogarinë e tij në Facebook, rriti dozën e sulmeve, duke e nisur më 3 korrik me sulmin ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, ku akuzonte qeverinë se ka ‘kapur Prokurorinë e Përgjithshme”, dhe më pas vijoi me sulmin ndaj Gjykatës Kushtetuese në 5 korrik, sulm të cilin e vijoi me një tjetër publikim në datën 16 korrik, ku shkruante ‘ja si Ramaforma e la vendin pa Gjykatë Kushtetuese’.

Brenda shkrimeve të tij të gjata, Meta akuzonte dhe ndërkombëtarët për atë që e ai e quan ‘kapje të sistemit të drejtësisë’. Por, sulmet e Ilir Metës ndaj Reformës në Drejtësi, nuk ishin thjesht sulme ndaj Kryeministrit Edi Rama. Ato, sulmet, indirekt ishin për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Partnerin Strategjik të Shqipërisë, që “Reformën në Drejtësi”, e ka një nga investimet më të rëndësishme diplomatike në vendin tonë gjatë pluralizmit politik.

Ndaj, SHBA iu përgjigj në mënyrë origjinale këtyre sulmeve, duke marrë përsipër një proces informimi ndaj qytetarëve shqiptarë, duke i shpjeguar “Reformën në Drejtësi”, që Meta e quante “Ramaformë”. Dhe pikërisht, ishte video e 22 korrikut, ku ambasada shpjegonte “çfarë është Reforma në Drejtësi?”, ajo që i mbylli gojën Ilir Metës, i cili prej atij momenti heshti dhe nuk e sulmoi më Reformën në Drejtësi. SHBA, në këtë mënyrë zgjodhi t`i jepte mesazh Ilir Metës dhe gjithë klasës politike, se s`mund të njollosin një investim të sajin në Shqipëri, siç është reforma gjyqësore.

Por jo vetëm kaq, brenda videove të publikuara nga ambasada, SHBA u ka treguar politikanëve se nuk do të jenë më të paprekshëm, ndoshta duke përfshirë dhe presidentin, pas nisjes nga funksioni të SPAK-ut. Gjithashtu, fakti që SHBA është shprehur se do të trajnojë hetuesit e BKH-së, apo fakti që po udhëheq Vettingun, tregon dhe njëherë, madje konfirmon jo vetëm se Reforma në Drejtësi është investimi më i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës si ‘partner strategjik’ i vendit tonë, por se nëpërmjet kësaj reforme, Shqipëria do të futet në rrugën e integrimit evropian. Pra, me video mesazhet ‘çfarë është Reforma në Drejtësi”, që nisën në 22 korrik, SHBA ndali sulmet e Metës, që e quante “Ramaformë”, investimin amerikan, por gjithashtu, po u jep dhe mesazhin politikanëve, se Shqipëria do të bëhet, duke nisur me parimin themelor të demokracisë amerikane, “përpara ligjit janë të gjithë të barabartë”. /Realstory.al/

Ambasada e SHBA thirrje shtetasve të saj: Rrini larg protestës

Opozita e bashkuar pritet të zhvillojë më 8 korrik protestën e 10 kombëtare. Ambasada amerikane u ka bërë thirrje shtetasve të saj të qëndrojnë larg grumbullimeve të demonstruesve. Duke pasur parasysh dhunën e ushtruar në protestat e kaluara, ambasada u bën apel shtetasve të saj të qëndrojnë larg vendeve ku zhvillohen këto demonstrime.

Një demonstrim i madh pritet të zhvillohet pranë Zyrës së Kryeministrit të hënën, më 8 korrik 2019, duke filluar rreth orës 20:00. Grupi synon të demonstrojë kundër qeverisë shqiptare dhe mund të lëvizë në vende të ndryshme në Tiranë. Kohëzgjatja e demonstratës së pritshme është e panjohur. Demonstrimet e kohëve të fundit kanë përfshirë dhunën. Forcat e sigurisë kanë përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat. Personeli i Ambasadës së SHBA-së dhe anëtarët e familjes janë drejtuar për të shmangur të gjitha pikat e grumbullimit dhe vendet ku demonstratat janë të pashmangshme ose në vazhdimësi”, njofton ambasada e SHBA.

SHBA dënon paraprakisht dhunën, nëse ka sot: Do mbahen përgjegjës autorët

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka bërë një reagim mbrëmjen e së enjtes, ku me një deklaratë publikuar në faqen zyrtare, kërkon që në Shqipëri të vihet sundimi i ligjit, atë, që sipas SHBA-së, qyetarët shqiptarët meritojnë. “Shtetet e Bashkuara duan atë që meriton populli shqiptar: sundim të ligjit që mbron punonjësit civilë dhe shkollat nga sulmet e pakuptimta, që mbron integritetin dhe sigurinë e procesit zgjedhor, dhe që mban premtimin e së drejtës së qytetarit për të protestuar paqësisht ndëkohë që bën që ata që përfshihen në dhunë të mbajnë përgjegjësi”, shkruhet në këtë deklaratë.

Më tej, deklarata e ambasadës së SHBA-së vijon me një thirrje tjetër drejtuar institucioneve, ku padyshim përfshihen dhe drejtuesit politikë, për respektim dhe mbështetje të parimeve të sundimit të ligjit, duke refuzuar dhunën në çdo formë të saj.  

“Nxisim të gjithë qytetarët dhe të gjitha institucionet kudo në Shqipëri që të mbështesin parimet e sundimit të ligjit, të refuzojnë dhunën në të gjitha format e saj, si dhe të ushtrojnë paqësisht të drejtat e tyre demokratike ndërkohë që lejojnë bashkëqytetarët e tyre të bëjnë të njëjtën gjë”, shprehet ambasada e SHBA-së.

Në fund, thirrja është drejtuar opozitës që do të zhvillojë protestën e ditës së premte, të cilës i kërkohet të mbajë përgjegjësi përballë të njëjtave parime, duke refuzuar dhunën në çdo mundësi. “Po ashtu, iu bëjmë thirrje organizatorëve të protestës së nesërme që të mbajnë përgjegjësi përballë po të njëjtave parime, t’iu bëjnë thirrje publikisht mbështetësve të tyre të mblidhen paqësisht si dhe të refuzojnë energjikisht dhunën në çdo mundësi”. Përfundon deklarata e SHBA-së.

Ajo që vihet re në deklaratën e ambasdës së Shtevete të Bashkuara, është mos përmendja në asnjë moment e datës 30 qershor, apo e uljes në dialog të palëve. Megjithatë, indirekt, duke iu drejtuar shqiptarëve dhe institucioneve në vend, amerikanët thonë se duhet të respektohet ligji, qoftë për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor, njëherazi edhe për të protestuar.

Pra çudi që për herë të parë ata që kanë këmbëngulur më shumë te data, në këtë deklaratë se përmendin. Sinjal?
Se një datë tjetër afër me 30 qershorin por me kusht që opozita të futet në zgjedhje, është e pranueshme për ta?

SHBA thirrje qytetarëve të saj: Qëndroni larg protestuesve më 21 qershor

Të premten më 21 qershor opozita ka lajmëruar zhvillimin e një tjetër proteste, e cila do të jetë e nënta kombëtare që prej shkurtit të këtij viti. Ashtu si zakonisht, ambasada e SHBA-së në Tiranë ka dalë me një thirrje drejtuar qytetarëve të saj që jetojnë në Shqipëri, që të premten të shmangin vendzhvillimin e protestës së opozitës. 

Në deklaratën e ambasadës thuhet se kohëzgjatja e demonstratës nuk dihet se sa do të jeë, ndërsa sjellë në vëmendje se në protestat e kaluara ndaj demonstruesve është hedhur ujë dhe gaz lotsjellës.

Një demonstrim i madh pritet të zhvillohet pranë Zyrës së Kryeministrit të premten, më 21 qershor 2019, duke filluar rreth orës 8:00. Grupi synon të demonstrojë kundër qeverisë shqiptare dhe mund të lëvizë në vende të ndryshme në Tiranë. Kohëzgjatja e demonstratës së pritshme është e panjohur”.

Demonstrimet e kohëve të fundit kanë përfshirë dhunën. Forcat e sigurisë kanë përdorur ujin dhe gazin lotsjellës për të shpërndarë turmat. Shmangni grumbullimet e mëdha apo vendet ku mbahet demonstrata. Monitoroni mediat lokale për lajmet e fundit, mbani profil të ulët”, shkruan ndër të tjera ambasada e SHBA.

Skip to toolbar