Drejtoresha për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në EEAS, Angelina Eichhorst ka qenë sot e pranishme në Tiranë ku ka marrë pjesë në Forumin Ballkanik për Shoqërinë Civile. Në fjalën e saj ajo i ka bërë thirrje palëve për dialog, për gjetjen e një rruge kompromisi, ndërsa ka theksuar se bojkoti nuk i shërben askujt.
“Përmes dialogut dhe punës që ne kemi bërë sëbashku, mund të tregojmë se kompromisi mund të arrihet. Bojkoti nuk mund të jetë një instrument që duhet të përdoret. Është shumë negative të thuash ne nuk do jemi të pranishëm, ne nuk vijmë. Padyshim duhet kurajo për t’u bashkuar në tryezë, të diskutojmë dhe të ballafaqohemi me çështjet që duam të diskutojmë. Është pikërisht kjo, pse ne duhet të përdorim këto mekanizma që kanë në fokus debatin, dhe themi se debati nuk është rruga e duhur që duhet ndjekur. Kjo nuk të çon drejt standardeve demokratike. E rëndësishme është që të ketë debat në të gjitha nivelet”, tha Angelina Eichhorst.
I pranishëm në këtë forum ka qenë edhe kryebashkiaku Veliaj i cili se bashku me Drejtoreshën për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në EEAS theksuan domosdoshmërinë për bashkimin mes palëve.
“Siç e tha edhe Erioni, ka pak nervozizëm lidhur me punët që janë bërë, disa herë ka negativitet, dhe ne gjithmonë përpiqemi të shohim më të mirën. Është shumë gjë e mirë të shohim atë që vërtet ka ndodhur, të shohim pozitivitet. Ky është një mesazh gjithashtu për Ballkanin dhe BE. Ju jeni vërtet të bashkuar, jemi në një kontinent, ndaj është shumë e rëndësishme mënyra sesi ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku, në një kontinent, në një union, në një familje. Kjo është busulla e punëve që ne duam të bëjmë sot dhe unë këtë e shoh qartësisht këtu në Ballkan. Është e rëndësishme të shohim bashkëpunimin e thellë në të gjitha nivelet, sigurinë, politikat për fondet, edukimin, mjedisin, në të gjitha nivelet dhe unë e di që këtë do ta diskutojmë së bashku sot”, deklaroi Angelina Eichhorst.