Skuadrat shqiptare kanë mësuar këtë të martë rivalët e tureve eliminatore në Kupat e Europës. Kështu, kampionët e vendit, Partizani, do të përballet me ish-skuadrën e mbrojtësit të kombëtares shqiptare, Qarabagun e Azerbajxhanit. Nuk ka qenë ky kundërshtari që priste skuadra e Partizanit, pasi Qarabag është një ekip me shumë eksperiencë në Champions League dhe Europa League.
Me këtë ekip ka luajtur edhe ish-kapiteni i kombëtares Ansi Agolli. Megjithatë, Partizanit tani do ti duhet të përgatitet mirë për një ekip si Qarabag, me ndeshjen e parë që do të luhet më 9 korrik në “Elbasan Arena”, ndërsa takimi i dytë do të luhet në transfertë.
Partizani dhe Qarabag do të takohen në këtë përballje në turin e dytë eliminator të Champions League, ku ekipi që kalon këtë fazë shkon në turin e tretë të këtij kompeticioni, ndërsa skuadra që eliminohet do të luajë në turin e tretë kualifikues të Europa League.
Skuadra tjetër shqiptare, që do të luajë në Champions League është Shkëndija e Tetovës, që do të përballet në raundin e parë eliminator me Nomme Kalju nga Estonia. Tetovarët luajnë në këtë kompeticion si ekipi fitues i kampionatit në Maqedoninë e Veriut.
Ndërkohë, kampionët e Kosovës, Ferronikeli, nëse kalon turin paraeleminator ndaj modestëve të të Linkols Reds Imp nga Gjibraltari, dhe më pas me fituesin e çiftit Tre Pene dhe Santa Coloma, do të duhet të përballet me uellsianët e New Saints.