Një ditë pasi Saimir Tahiri ankimoi vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, që e dënoi me 3.4 vite burg (i konvertuar në shërbim prove), vjen dhe reagimi i organit të akuzës. Prokuroria e Krimeve të Rënda, gjithashtu, ankimoi vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, që ndryshoi akuzën e Prokurorisë ndaj Saimir Tahirit.
Akuza kërkoi dënimin e Saimir Tahirit me 12 vite burg për tre vepra penale, i cili do të zbriste në 8 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar, por Gjykata e Krimeve të Rënda hodhi poshtë akuzat e Prokurorisë, duke e dënuar ish-ministrin e Brendshëm me 5 vite burg për “Shpërdorim detyre”. Por, këto 5 vite u konvertuan në 3.4 për shkak se më herët Gjykata kishte pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar ndaj Saimir Tahirit.
Megjithatë, burgu konvertohet në 3.4 vite shërbim prove, por të dyja palët, Saimir Tahiri (që kërkon pafajësi) dhe Krimet e Rënda (që kërkojnë dënim më të madh), nuk janë dakord me vendimin e gjykatës, duke e apeluar atë. Vendimi i plotë i Gjykatës së Krimeve të Rënda ende nuk është zbardhur.