UEFA caktoi zyrtarisht gjyqtarët që do të vendosin drejtësi në sfidën e të premtes mes Turqisë dhe Shqipërisë. Një katërshe nga Rumania do të drejtojë këtë sfidë, me kryesor arbitrin që mban stemën e FIFA-s, Ovidu Alin Hategan. Arbitri 39-vjeçar, do të asistohet nga Octavian Șovre dhe Sebastian Gheorghe, ndërsa Sebastian Coltescu do të jetë arbitër i katërt në këtë sfidë. Po kush është arbitri kryesor?
Ovidiu Alin Hategan është i datëlindjes 17 korrik të vitit 1980. Ai është arbitër ndërkombëtar prej vitit 2008, ndërsa profesioni i tij i parë është doktor. Ovidiu Alin Hategan vjen nga një eksperiencë e gjatë si arbitër ndërkombëtar, duke drejtuar ndeshje në të gjitha nivelet. Vetëm disa javë më parë, ai ishte arbitër i takimit të fazës në grupe të UEFA Champions League, mes Barcelonës dhe Dortmund, që u mbyll 0-0.
Ndërsa, po në këtë kompeticion për sezonin aktual, 39-vjeçari rumun, gjykoi ndeshjen midis Rosenborg dhe Dinamo Zagreb në fazën e play-offs. Gjithashtu, ai ka gjykuar edhe takime të rëndësishme në nivele kombëtaresh, si Zvicër-Angli në UEFA Nations League, ndërsa eksperienca pasurohet me takime në UEFA Europa League.
Takimi i së premtes nuk do të jetë i pari, që arbitri rumun do të gjykojë Shqipërinë. Në vitin 2012, arbitri Ovidiu Alin Hategan, ishte kryesori i takimit Zvicër – Shqipëri, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e kampionatit botëror, që përfundoi me fitoren 1-0 të Zvicrës. Ndërkohë, arbitri rumun numëron rreth 114 ndeshje ndërkombëtare në karrierën e tij. Ai jep mesatarisht rreth 3 kartona të verdhë gjatë një ndeshje, dhe 0.1 të kuq, ndërsa jep 0.11 penallti për ndeshje.