Ardian Cuculi ka dalë në konferencë për shtyp ditën e sotme, duke shoqëruar trajnerin Ernest Gjoka. Mbrojtësi i skuadrës verilindore ka folur për disa tema i pyetur nga gazetarët. Ai është shprehur se ndaj Tiranës do synohen tre pikët për të ruajtur vendin e dytë në renditje, ndërsa tregon se për Kukësin do ishte mirë që në fund të ngrinte një trofe, siç është Kupa e Shqipërisë.
Humbja ndaj Flamurtarit– “Normalisht kur luan me ekipe të nivelit të lartë, që janë në tabelën e renditjes lart normalisht që presioni është më i lartë. Shpresonim të bënim mirë, por nuk ja arritëm. Tani e kemi obligimin ndeshjen me Tiranën dhe Kupën.”
Takimi me Tiranën– “Tragjedi nuk është, pasi futbolli i tillë është. Do të luftojmë maksimalisht për të qëndruar në vendin e dytë dhe për të parë sa më shumë përpara. Do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi Tirana lufton për mbijetesë. Dihet emri i madh që ka Tirana. Do të jetë dhe një sfidë për ne, pas ndeshjes zhgënjyese ndaj Flamurtarit, në aspektin e rezultatit.”
Kupa si objektiv– “Do të ishte një gjë e mirë, pasi çdo futbollist në fund të sezonit kur ngre një trofe, qoftë kupë qoftë kampionat është gjë e mirë. Kukësi e ka dëshmuar që çdo vit është pretendent dhe ngre nga një kupë. Do të ishte gjë e mirë, si për ne si për klubin për të vazhduar ecurinë e ngritjes së trofeve.”
Presioni – “Ekipet që pretendojnë për titull normalisht që te të tre ekipet presioni është shumë i lart. Te të tre ekipet presioni është zjarr.”
Aspekti personal – “Deri para dëmtimit kam pasur bilanc pozitiv, por pas dëmtimit nuk kam qenë i kënaqur. Ndoshta edhe për arsyen se kam nisur të aktivizohem shumë shpejt, kjo edhe nga dëshira për të ndihmuar ekipin, mbase i kam bërë edhe dëm.”