Skënderbeu nis përgatitjet në Durrës, dilema për të ardhmen

Skënderbeu ndodhet në udhëkryq. Skuadra korçare ditët e fundit është vënë në fokusin e shumë aludimeve, të cilat e lidhin ekipin me një zbritje të mundshme nga Kategoria Superiore për sezonin tjetër.

Megjithatë, Ardian Takaj zhvilloi një mbledhje pak ditë më parë me tifozët korçar, duke u deklaruar besnikëri dhe se do të vijojë investimet, në mënyrë që Korça të mos mbetet pa futboll.

Këtë gjë e ka konfirmuar edhe këtë të hënë, pasi presidenti i klubit ‘bardhekuq’ ka qenë i pranishëm në seancën e parë stërvitore që ekipi i Skënderbeut zhvilloi në Durrës. Të hënën  paradite skuadra ka nisur grumbullimin nën drejtimin e dy trajnerëve, Gentian Liçi dhe Ilir Bozhiqi.

Të pranishëm në seancën e parë stërvitore kanë qenë të gjithë lojtarët të cilët kanë pasur kontratë që nga sezoni i kaluar. Me ekipin janë bashkuar dhe 5 lojtarët e përfituar nga ekipi Under19, Aldo Qoshku, Jorgo Qeleshi, Eqerem Liqeri, Flavio Demollari dhe Kosta Vangjeli.

Nuk dihet ende se cili do të jetë trajneri kryesor i ekipit për sezonin e ri. Gjithsesi, deri në mesin e kësaj jave pritet të zgjidhet çdo dilemë në lidhje me të ardhmen e Skënderbeut, nëse do të jetë në Superligë apo do të zbresë një kategori më poshtë.

Skip to toolbar