COVID-19 përgjysmon misionet arkeologjike ndërkombëtare në Shqipëri

Ekspedita arkeologjike me pjesëmarrjen e specialistëve shqiptarë dhe zviceranë në parkun kombëtar të Orikumit ka hyrë në javën e fundit.

Por realizimi i saj një muaj më parë, u vu në rrezik për shkak të pandemisë nga Covid-19.

“Qeveria zvicerane vendosi që qytetarët e saj, në kthim nga Shqipëria duhet të vetkarantinoheshin për dy javë,”  thotë për BIRN bashkëdrejtori i misionit arkeologjik të Orikumit, Saimir Shpuza.

Programet individuale të parashikuara pas rikthimit në Zvicër në fund të muajit shtator, i detyruan disa nga specialistët e huaj, përfshirë edhe bashkëdrejtorin zviceran të misionit, që ta anulonin vizitën e punës në Shqipëri.

“Pjesa më e madhe e tyre erdhën në kohë, si arkeologët nga Universiteti i Gjenevës, edhe studentët nga Franca, Zvicra dhe Shqipëria, dhe gjithçka ka vijuar normalisht,” tregon më tej z. Shpuza.

Por jo të gjitha misionet arkeologjike dypalëshe të kësaj vere kanë arritur të realizoheshin.

“Më shumë se gjysma e tyre janë anuluar ose janë shtyrë për një kohë tjetër, vetëm si pasojë e pandemisë,” tha drejtori i Institutit të Arkeologjisë në Tiranë, Luan Përzhita.

“Muajt e parë të mbylljes mundësuan thellimin personal në temat studimore, si dhe në përgatitjen e publikimeve,” shtoi Përzhita, i cili vëren se në të njëjtën kohë arkeologjia e terrenit u vu në vështirësi, pikërisht nga pamundësia e lëvizjes së kolegëve të huaj.

Ekspeditat e kësaj vere në luginën e Drinos; në Butrint dhe në fshatin Babunjë të Lushnjes u hoqën nga programi pasi specialistët nga Macerata (Itali), nga SHBA dhe nga Gjermania  njoftuan disa javë më parë mbi pamundësinë e udhëtimit drejt vendit tonë.

“Ne besojmë se brenda muajit shtator do të fillojnë edhe ekspeditat dypalëshe me arkeologë nga Universiteti i Bolonjës (Itali) në Foinike dhe në Butrint,” sqaroi prof. Luan Përzhita, duke shtuar se në të njëjtën kohë pritet edhe starti i punës së përbashkët në Bushat, pranë Shkodrës, në bashkëpunim me specialistët polakë të Universitetit të Varshavës.

Drejtori Përzhita ndalet veçmas në ekspeditën që pritet të zhvillohet në fund të këtij muaji në liqenin e Ohrit, ku pritet që arkeologë nënujorë shqiptarë dhe zviceranë të thellojnë për herë të parë së bashku kërkimet në një nga sitet prehistorike të zbuluara pranë fshatit Lin.

Një muaj më parë, kërkimet e arkeologut nënujor Adrian Anastasi çuan në gjetjen e tre zonave me material qeramike të periudhës mesjetare pranë Tushemishtit, ndërkohë që identifikimi i mëparshëm i palafiteve të periudhës së neolitit e vë bregun shqiptar të liqenit në krye zbulimeve më të hershme të prehistorisë.

Adrian Anastasi, arkeologu i vetëm nënujor në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë tha për BIRN se ekspedita e programuar për në muajin qershor është shtyrë për në javët e ardhshme.

Rezultatet e misionit të përbashkët në stacionin e emërtuar Lin 3 pritet, që bashkë me zbulimet e deritanishme të sqarojnë një pjesë të madhe të elementëve të zbuluar pranë Pogradecit gjatë viteve të fundit.

Një pjesë tjetër e specialistëve të Institutit të arkeologjisë dhe kolegët e huaj janë përqëndruar edhe këtë verë në Koman, në Shurdhah dhe në luginën e Drinit të Zi.

Misioni i përbashkët me Qendrën Shkencore të Francës u zhvillua për një muaj radhazi duke provuar me të dhëna arkeologjike praninë e elementëve të kulturës arbërore, si vijimësi e kulturës ilire në këtë trevë.

“Ne përfunduam tre javë më shpejt kërkimet tona, për shkak të pandemisë që pengoi specialistët nga Zvicra, si dhe disa arkeologë francezë,” tha arkeologja Elvana Metalla, nga Instituti I Arkeologjisë në Tiranë.

Në Koman ekspedita është përqendruar në një territor të pasur me banesa që u përkasin shekujve 7 – 13-të.

“Prania e pesë kishave që i përkasin mesjetës së hershme e më tej, flet shumë për të kaluarën e këtij territori, i cili tashmë ka hyrë në fjalorin e përditshëm me termin ‘kultura arbërore e Komanit”.

Metalla shton se disa nga kolegët po vazhdojnë kërkimet nënujore në rrjedhën e Drinit të Zi.

“Ndryshimet që kanë ndodhur në shekuj me rrjedhën e lumit kanë bllokuar nën ujë mjaft elemente arkeologjike, sidomos në Sardë, siç njihej më parë Shurdhahu.

Edhe në Orikum të rejat e këtij viti janë premtuese.

“Jemi përqendruar në muret fortifikuese të qytetit,” thotë Saimir Shpuza, sipas të cilit “gjetjet e reja i shtohen zbulimeve me vlerë të 12 ekspeditave të fundit që kanë nxjerrë në dritë monumente dhe objekte me shumë vlerë”./BIRN

Skip to toolbar