Gratë e PPE: “Arrestohen fëmijë e gra”. Por është një fake news!

Java që po mbyllet ishte nga më të “nxehtat” në Shqipëri, jo për temperaturat e motit, por ato të politikës. Retorikës së tensionuar politike iu shtua dhe zjarri ndaj KZAZ-ve në bashkitë e drejtuar nga të zgjedhur të PD-LSI, të cilët, prej të hënës së kaluar e deri të mërkurën, sulmuan ambientet publike për largimin e materialeve zgjedhore, pasi dolën në mbrojtje të dekretit të Ilir Metës për anulimin e datës 30 qershor.

Gjatë këtyre sulmeve, të cilat në ditët e para të tyre ishin të dhunshme, deri në tentativën për të djegur shkollën “Shenaze Juka” në Shkodër, u ndaluan dhe arrestuan disa persona, kryesisht punonjës të policive bashkiake. Opozita i ka lexuar këto ndalime si “arrestime politike”, pa marë parasysh faktin se personat e ndaluar kanë urdhëruar apo kanë sulmuar direkt duke shkatërruar pronën publike.

Ky interpretim i opozitës është shtirë edhe jashtë kufijve, pasi ish-deputetja Albana Vokshi, që drejton Forumin e Gruas në PD, ka informuar Forumin e Grave të Partive Popullore Europiane, se në Shqipëri janë arrestuar gra dhe fëmijë gjatë protestave të opozitës. EPP Women ka dalë me pas me një deklaratë, ku shkruan se: “Forumi i Grave të PPE mbledhur në Tallin, Estoni, është tejet i shqetësuar rreth lajmeve shokuese për arrestimin e grave dhe përdorimin e gazit lotsjellës edhe ndaj fëmijëve që së bashku me familjet e tyre protestojnë në mënyrë paqësore për demokraci. Ju bëjmë thirrje autoriteteve të Bashkimit Europian të veprojnë”.

Por si qëndron e vërteta? A janë arrestuar gra nga policia për dhunën ndaj KZAZ-ve? A u arrestua Dhurata Çupi? Po fëmijë a janë arrestuar dhe sa janë arrestuar?

Realstory.al shkoi më tej për të zbardhur të vërtetën e kësaj çështje, duke konfirmuar informacionet me policinë e shtetit. Ish-deputetja Dhurata Çupi, e cila në fakt u shoqërua, por nuk u arrestua dhe as u procedua, qoftë dhe në gjendje të lirë, por u lirua menjëherë nga policia në MAT. Madje, situata me ish-deputeten u sqarua po ditën që u bë shoqërimi i saj, për më tepër lexoni lajmin në Realstory.al, të asaj dite.

Tani të ndalemi shqetësimi i PPE Women: “te arrestimi i grave të tjera dhe fëmijëve”. Realstory.al i kërkoi informacion Ministrisë së Brendshme, për të mësuar nëse gjatë kësaj jave, ku janë sulmuar KZAZ-të, ka pasur ose jo arrestime apo procedime penale të grave dhe fëmijëve. Sidomos ndalimi i fëmijëve, do të përbënte realisht një lajm shqetësues. Por sipas informacionit zyrtar që Realstory.al disponon:

”Nga sulmi i KAZA-ve në Shkodër, Tropojë, Tiranë, Kavajë, Mat, Berat, Kukës dhe Devoll: janë arrestuar 35 persona. Vetëm në Shkodër është ndaluar në flagrancë një 17 vjeçar, kur u dogj shkolla. (Gjykata e ka vlerësuar arrestim të ligjshëm por gjithsesi ka vendosur masë të lehtë ndaj të riut me vetëm “Detyrim paraqitje”. Ndërkohë, gjatë këtyre ndalimeve rezulton që të mos jetë arrestuar asnjë grua”.

Pra, bëhet fjalë për një “Fake News”, cili më pas zuri vend edhe në një deklaratë të grave evropiane, të cilat, më pas kanë bërë dhe reagimin publik të sipërpërmendur. /Realstory.al/

Skip to toolbar