Efektivët e policisë së Lushnjës kanë arrestuar dy persona, përkatësisht shtetasit me inicialet G.L., dhe M.V., të dy të moshës 31 vjeç, i pari banues në Tiranë dhe tjetri në Lushnje. Këta dy persona, sipas policisë janë arrestuar pasi kanë goditur për motive të dobëta një shtetas, ndërsa kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e patrullës.
Në këto kushte janë arrestuar në flagrancë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Skënder Libohova”. Dy personat e arrestuar dyshohet se pas mesnate, për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta shtetasin J.B., 30 vjeç, banues në qytetin e Lushnjës. Në këtë kohë, policia ka marrë një njoftim në Sallën Operative, se tre personat ishin duke u konfliktuar me njëri-tjetrin.
Pas njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë shkuar punonjësit e policisë, të cilët janë kundërshtuar nga dy 31-vjeçarët, të cilët kanë përdorur dhunë. Në këto kushte, efektivët i kanë arrestuar duke ngritur akuzën penale ndaj tyre për “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, “Mosbindja ndaj urdhërit të Policisë së Rendit Publik”, “Plagosje e lehtë me dashje”, “Prishja e qetësisë publike” të kryera në bashkëpunim”.