Policia e Tiranës ka vënë në pranga një person që dyshohet për vrasjen e ish-policit Arben Bilali. Ky i fundit u vra në datën 30 janar 2019 në zonën e Selitës në rrugën “Isuf Banka” në Tiranë. Policia, me anë të një komunikate për shtyp, ka njoftuar se ka arrestuar shtetasin me inicialet Gj. C., 40 vjeç, i cili ka qenë i dënuar më parë edhe për vepra të tjera penale.
Njoftimi i Policisë:
Arrestohet vrasësi i Arben Bilalit.
Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore vrasja e 50 vjeçarit A.B.
Kapet dhe ndalohet autori i dyshuar i kësaj ngjarje.
Në pranga 40 vjeçari i dënuar më parë për disa vepra penale .
Sektori i Hetimit të Krimeve Ndaj Jetës dhe Pronës, në D.V.P.Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datë 30.01.2019, ku në rrugën ‘’Isuf Banka’’ në Tiranë, është vrarë me armë zjarri shtetasi A.B., 50 vjeç, pas një pune të mirëorganizuar është arritur të bëhet zbulimi dhe dokumentimi ligjor i kësaj ngjarje, ku është bërë kapja dhe ndalimi i autorit të dyshuar:
Gj. C., 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Rrëmbim personi”
Materialet në ngarkim të shtetasit Gj. C., iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale penale “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje te armeve luftarake”.