Policia e Tiranës ka arrestuar një shtetas, pronar i një lokali në Tiranë, të cilin e kishte përshtatur si bazë të shpërndarjes së kokainës. Sipas një njoftimi të policisë, mësohet se gjatë operacionit “Befasia” është arrestuar një shtetas, emri i të cilit jepet me inicialet R.P., 44 vjeç në Tiranë.
Ky shtetas, sipas policisë, në rrugën “Merdar Shtylla”, një biznes i llojit ‘bar’, ky shtetas ofronte lëndë narkotike të llojit kokainë për persona të ndryshëm që frekuentonin ambientet e këtij barai.
Sipas njoftimit të policisë, mësohet se gjatë kontrolleve të forcave të policisë, është gjetur dhe sekuestruar një qese me lëndë narkotike e dyshuar Kokainë. Gjithashtu, në një prej tavolinave të këtij bari, është gjetur dhe një qese tjetër me Kokainë, dhe një fishek luftarak.
Pas gjetjes së këtyre provave, policia ka arrestuar pronarin e lokalit me akuzën për veprën penale të “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, “Përshtatje e lokalit për përdorim droge”, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e municionit luftarak”.
Gjithashtu, në gjendje të lirë, policia ka nisur edhe procedimin penal për dy punonjës të këtij lokali, për moskallëzim krimi. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 13.4 gramë kokainë, 4 aparate celulare dhe një fishek luftarak. Materialet proceduriale do t’i kalojne Prokurorisë pranë Gjykates së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.