Partia Demokratike reagoi, pasi Arta Vorpsi bëri betimi si anëtare e Gjykatës Kushtetutese përpara noteres, Miranda Xhemalçe. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi shprehet se Vorpsi nuk mund të jetë as ligjërisht e as moralisht garante e Kushtetutës, pas aktit të së enjtes.
“Betimi tek noteri i kandidates së vetëshpallur si anëtare e Gjykatës Kushtetutese e kthen Shqipërinë në kohët më të errëta të diktaturës komuniste, kur gjithçka dhe kushdo varej nga vullneti i partisë, jo shteti i së drejtës. Me aktin partiak noterial kandidatja e përdorur nga Edi Rama provon se nuk mund të jetë as ligjërisht dhe as moralisht garante e Kushtetutës”.
Bardhi citon Nenin 129 të Kushtetutës, që thotë se: “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës. Tek noteri mund të bësh edhe “njësimin me origjinalin” të Ardian Dvoranit me Edi Ramën, por kjo nuk të mundëson ligjërisht ushtrimin e detyrës si anëtar i Gjykatës Kushtetuese”, shkruan ai.
Më tej, Bardhi shprehet se Arta Vorpsi po përdoret si “ushtare”, njësoj si Arta Marku, ndërsa thekson se me veprimin e të enjtes, Vorpsi dëmtoi veten para opinionit publik.
“Të jem i sinqertë, Arta Vorpsin e njoh dhe, në vlerësimin tim profesional, nuk ka njohje kaq të ulët mbi Kushtetutën. Prandaj, kushdo që e ka detyruar të bëjë këtë veprim, thjesht e ka dëmtuar përpara opinionit publik, duke i vënë etiketën e Arta Markut, si ushtare e këtij pushteti, kundër shtetit të së drejtës. Me këtë skenar për shkeljen skandaloze të Kushtetutës, në vend që të përmbushë kushtet gjermane për standardet europiane të drejtësisë së pavarur, Edi Rama po zbaton parimin nazist ‘Çfarë është e mirë për Hitlerin, është ligjore”, shkruan Bardhi.