Nëse ju kujtohet, në qershor të vitit të kaluar, një ditë para nisjes së Kupës së Botës, Spanja shkarkoi nga detyra trajnerin, pasi ai kishte arritur marrëveshje me Realin e Madridit pa njoftuar klubin. E njëjta histori, e ngjashme vetëm në largimin e trajnerit, por jo për nga arsyet, ka ndodhur me Luftëtarin e Gjirokastrës. Një ditë para nisjes zyrtare të kampionatit të futbollit, Klevis Dalipi ka lënë drejtimin e Luftëtarit, një muaj pasi mori drejtimin e saj. Tekniku elbasanas ka dhënë dorëheqjen, pasi mësohet se nuk ka qenë dakord me ndërhyrjet e drejtuesve të klubit.
Ndërkohë, pas largimit të tij, drejtimin e skuadrës e ka marrë Klodian Duro, ish-mesfushori i kombëtares dhe trajner i disa klubeve në Superligë. Ndërkohë, pas largimit të Dalipit, ka reaguar klubi gjirokastrit. Në një konferencë për shtyp, administratori i Luftëtarit, Artan Laze, është shprehur se shkak i largimit të Dalipit, është bërë paga. Ai pretendon se trajneri nuk ka pranuar që t`i tatohet paga.
“I plotësuam kushtet që nga mënyra e jetesës deri tek mënyra e pagesës. Në kuadër të këtyre kushteve i kemi plotësuar kërkesat e tij për ndërtimin e një skuadre më të mirë. Të gjithë lojtarët që ai ka sjellë vetë ia kemi pranuar. Të gjithë lojtarët që ai i ka parë dhe si ka dashur i kemi larguar. Domethënë në këtë kuadër ne nuk i kemi ndërhyrë, pasi ky është profesionalizmi. Papritur, dje natën vonë kemi bërë bisedat përfundimtare për lidhjen e kontratës, sipas dëshirës së tij për ta lënë në këtë ditë lidhjen përfundimtare të kontratës. E kemi parapaguar me një muaj, zotin Dalipi, sipas dëshirës së tij”.
“Kemi diskutuar gjerë e gjatë për kushtet e kontratës. Kemi rënë dakord për të gjitha pikat, por s’kemi rënë dakord për një pikë. Unë nuk e kam toleruar, bashkë me presidentin dhe jemi kategorik në këtë pikë, pasi ai nuk ka pranuar të paguajmë detyrimet shtetërore, në kuptimin e tatimit mbi pagën”, ka thënë Artan Laze.