Kryeministri Rama ka bërë sërish ftesën e tij drejtuar opozitës joparlamentare për të dialoguar dhe arritjen e një marrëveshje që do të sjell paqen politike për Shqipërinë dhe jo për karriget e pushtetit. Rama, me një ton të but dhe bashkëpunues, bëri thirrje që opozita të ulet dhe të diskutojë për reformën zgjedhore, madje duke thënë se i japin në dorë edhe “veton” që t’ia vendosë edhe vetë PS nëse e mendojnë të duhur, por tregon zero tolerancë për sa i përket reformës në drejtësi. Kryeministri gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të PS, tha se reforma në drejtësi nuk preket dhe nuk bëhet pjesë e asnjë marrëveshje politike që pengon drejtësinë të merret me këdo që mund të jetë subjekti i saj, si majtas apo djathtas qoftë.
“Patjetër që duam paqe politike për Shqipërinë që duhet të nisë me Shqipërinë dhe jo me karriget dhe duhet të bitiset për Shqipërinë. Dora ime mbetet e shtrirë, gati për të shkruar prapë, kur të vijë momenti. Reforma zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-së dhe KE-së mbetet sfidë e përbashkët me opozitën parlamentare dhe jo parlamentare e cila ka edhe një vend të lirë bosh që e pret në komision. Është e mirëpritur, madje ka edhe veton. Ky është ndryshimi mes nesh dhe atyre, ata me molotov ne u japim edhe veton që të na vënë veton ne.
Ndërsa reforma në drejtësi as nuk negociohet dhe as nuk diskutohet, vetëm mbështetet. Nuk kam disponimin minimal për asnjë marrëveshje për të ndjekurat e politikanëve dhe për asnjë marrëveshje që rrezikon ose mund të rrezikojë të pengojë drejtësinë të merret me këdo që të jetë subjekt i drejtësisë qoftë djathtas, majtas, në këtë sallë apo kudo tjetër. Borxhi që na ka futur ku na ka futur populli në 30 Qershor nuk shlyhet dot. Qoftë ata që përfunduan aty ku e meritojnë. Ata që kanë hesape me drejtësinë qoftë edhe në këtë familje, i ka individuale dhe duhet ti trajtojë individualisht. Partia jonë nuk ka gatishmëri të mbrojnë, justifikojë, tolerojë askënd që mund të ketë hesape me drejtësinë”.