I dënuar për trafik droge, viktima në Astir kishte ardhur për të varrosur gjyshen

Ekzekutimi i Vilson Tafçiu (Noka), 28-vjeç, me armë zjarri para lokalit “Artisti” në zonën e Astirit në Tiranë, dyshohet të ketë lidhje me të kaluarën e tij me trafikun e drogës.  Hetimet janë përqendruar në të kaluarën e viktimës, i cili ishte deportuar nga Franca në vitin 2018 për trafik droge, ndërsa kishte jetuar edhe në Belgjikë.

Viktima ka qenë i shoqëruar më dy vajza në lokal ku po konsumonin kafe, kur është thirrur nga një person për të dalë jashtë, ku dhe është qëlluar për vdekje. Sipas dëshmitarëve 28-vjeçari është thirrur nga një person i gjatë dhe më pas e ka qëlluar para lokalit, që ndodhej në një zonë mjaft të populluar.

Noka ka marrë tre plumba në pjesën e gjoksit çka i kanë shkaktuar atij vdekjen. 28-vjeçari ishte me origjinë nga Dibra dhe ndodhej në zonën e Astirit, për të varrosur gjyshen, e cila kishte ndërruar jetë para pak ditësh.

Policia ka shoqëruar mbi 20 persona, që ndodheshin në lokal, për t’i pyetur për ngjarjen, si dhe ka ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të krimit.

5 banesa drejt shembjes në Astir. Bllokohet qarkullimi te “Shqiponja”

Mëngjesin e të enjtes filloi aksioni i IKMT për prishjen e pesë objekteve në zonën e “Astirit”, të cilat përfshihen në projektin e Unazës së Re. Për prishjen e këtyre objekte, policia bllokoi qarkullimin e mjeteve në aksin e unazës nga sheshi “Shqiponja” te Pallati me Shigjeta.

Për këtë arsye në rrugët e kryeqytetit, kryesisht në hyrje të Tiranës është krijuar trafik. Ndërkohë, perimetri i objekteve që do të prishen është rrethuar me shirit nga policia. Katër banesa do të prishen me mjete të rënda, ndërsa një tjetër me shpërthim të kontrolluar.

Ndërkohë, ndryshe nga herët e tjera, mëngjesin e të enjtes nuk është vënë re rezistencë e banorëve kundër shembjes së objekteve. Aksioni i IKMT për shembjen e këtyre banesave do të vijojë deri të premten. Gjatë të enjtes pritet të prishen katër objekte me eskavator, ndërsa të premten do të shembet një objekt me shpërthim të kontrolluar.

Sulmuan policinë me molotov tek Astiri, 26 banorë nën hetim

Aksioni i IKMT-së për të prishur 33 objektet në Unazën e Re përfundoi me procedimin penal të 26 personave dhe plagosjen e 5 policëve dhe 8 banorëve të Astirit.

Policia e Tiranës njoftoi se një person është arrestuar dhe 25 të tjerë po procedohen në gjendje të lirë për sulmin me gurë, sende të forta dhe bomba molotov ndaj punonjësve të policisë në zonën e Astirit. Sulmi nisi që në orën e para të mëngjesit nga banorët e Astirit në përpjekje për të mos lejuar IKMT të shkatërrojë objektet në zonë.  

Policia njoftoi se u arrestua shtetasi Shkëlzen Sadikaj, 46 vjeç, për veprën penale “Kundërshtim me dhunë të punonjësit të policisë së rendit”. Arrestimi i tij u bë pas materialeve filmike dhe prova të tjera që policia ka paraqitur.

Gjithashtu nisi procedimi penal në gjendje të lirë për 25 banorë të moshave nga 22 deri ën 73 vjeç për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të policisë së rendit”, “Prishje e rendit dhe e qetësisë publike”, “Mbajtja dhe përdorimi i lëndëve plasëse dhe piroteknike”, dhe “Shkatërrim prone”.

Si pasojë e sulmit me gurë, sende të forta dhe bombave molotov mbetën të plagosur 5 punonjës Policisë nga FNSH-ja, Shqiponjat dhe nga Patrullat e përgjithshme. Gjithashtu, gjatë sulmit me gurë e sende të forta dhe bombave molotov, është dëmtuar 1 automjet i Policisë.

Policia njoftoi se vijojnë hetimet për identifikimin e të gjithë personave të tjerë përgjegjës në lidhje me dhunën e ndodhur në Astir.

Skip to toolbar