Problemi i ujit dhe situata tek Astiri, Veliaj sqaron situatën

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka folur edhe për disa nga çështjet e rëndësishme dhe mjaft të diskutuara për qytetarët e Tiranës si protestat tek Astiri dhe situata e ujit të pijshëm në qytet. I pyetur nga analistët e Real Story për situatën e banorëve të Unazës, Veliaj tha se spekulantë mund të flasin shumë, por shumica e banorëve janë shpronësuar ose kanë marrë apartamente.

Pjesa më e madhe e banorëve të Unazës ose janë shpronësuar ose kanë marrë apartamente. Pra, secili ka marrë atë që i takon, sipas përqindjeve që janë në treg. Mund të dalë deri në fund fare ndonjë militant. Ka edhe spekulant, që ka 8 kate, që nuk rri fare aty dhe kërkojnë shumë. Kemi sistemuar edhe në banesa sociale. Nuk ka drama sociale. Ta siguroj. Unë do jap gjithë energjinë time për të bëhet Unaza”, deklaroi Veliaj.

Në lidhje me situatën e ujit në Tiranë, Veliaj tha se po punohet dhe se situata do të përmirësohet.

Ne jemi duke punuar për Tiranën, edhe për ujin. Kemi marrë kredi nga BERZH dhe e kemi marrë për shkak të rezultateve tepër të mira. Në Tiranë mund të jetë çmimi i ujit pak më shtrenjtë se në Kamzë, sepse sigurisht niveli i mirëqenies në Tiranë është më e madhe se në Kamzë. Ne po rregullojmë totalisht sistemin”. tha Veliaj

Pako eksplozivi tek Astiri, bëhet shpërthimi i kontrolluar

Rezulton një alarm i rremë se në Unazën e Re, tek rrethrrotullimi i dytë, në anë të bordurës, është konstatuar një pako me lëndë shpërthyese.

Policia pas njoftimit nga banorët bëri rrethimin duke vendosur perimetrin e sigurisë, ndërsa ekspertët e repartit antieksploziv të Reneas bën shpërthimin e kontrolluar. Policia tha se pako nuk kishte lëndë plasëse.

Qeveria miraton dëmshpërblimin për banorët e Astirit

Plot 1 miliardë e 224 milionë lekë janë vendosur në dispozicion të banorëve tek “Unaza e Re” si dëmshpërblim të banesave të tyre që preken nga projekti “Rehabilitimi i segmentit rrugor “Pallati me shigjeta – rrethrrotullimi “Shqiponja””. Shpronësimi i banorëve do të fillojë menjëherë dhe se banorët duhet të paraqesin dokumentacionin përkatës pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Procedurat e kalimit të pronësisë në favor të shtetit dhe shpronësimi i banorëve duhet të nis brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi.

Banorët e Astirit, prej muajsh, protestojnë thuajse çdo ditë, ku kërkojnë dëmshpërblim me vlerën e tregut për pronat e tyre, pavarësisht statusit të legalizimit të tyre. Gjatë protestave nuk kanë munguar edhe përplasjet me policinë.

Skip to toolbar