Autoriteti Kombëtar i Aviacionit Civil u bëri thirrje qytetarëve, që gjatë ditës së diel në 19 janar humbën fluturimet e tyre, të informohen pranë kompanive ku kishin rezervuar biletat për fluturimet e ardhshme. Sipas AAC, dje u anuluan disa fluturime për shkak të motit të keq, mjegullës që përfshiu Tiranën. Ndaj, Aviacioni Civil njofton se të gjitha kompanitë që anuluan fluturimet të dielën, do t`i kryejnë ato gjatë ditës së hënë, por përsëri do të ketë vonesa.
“Njoftim i rëndësishëm për të gjithë pasagjerët e prekur nga vonesat apo anullimet e fluturimeve të datës 19 janar 2020, për shkak të motit të keq. Njoftohen të gjithë pasagjerët e prekur nga vonesat apo anullimet e fluturimeve të djeshme për ose nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, se për shkak të mjegullës së dendur, kompanitë ajrore Air Albania, Alitalia, Austrian Airlines, Albawings, Air Serbia, Blue Panorama, Pegasus dhe Wizz Air, do t’i kryejnë të gjitha fluturimet e vonuara apo anulluara brenda ditës së sotme, por me vonesa.
Pasagjerët duhet të presin udhëzimet nga kompanitë ajrore dhe të zbatojnë oraret që do të marrin prej tyre, përpara se të nisen për në aeroport. AAC informon publikun, se ngjarje të tilla të lidhura me kushtet të pazakonta të motit janë të pranueshme në industrinë e aviacionit, ku kryesore për pasagjerin mbetet siguria në operim”, shkruan AAC.