Konferenca e Ballkanit që zhvillohet të hënën
në Berlin ka tërhequr fort vëmendjen e shtypit gjerman. Mjaft gazeta i
kushtojnë vëmendje sidomos çështjes së Kosovës – toni sundues – jo ndryshim
kufijsh në Ballkan.
Një artikull i përbashkët i tre politikanëve
gjermanë, Peter Beyer (CDU), Josip Juratovic( SPD), dhe Manuel Sarrazin (Të
Gjelbrit) me titull “Jo ndryshime kufijsh në Ballkan botohet të hënën nga
gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung. Aty deputetët e Bundestagut
theksojnë se të dy presidentët, ai i Kosovës, Thaçi dhe presidenti serb, Vuçiq
kanë propozuar këmbimin e territoreve përgjatë vijës etnike për të zgjidhur
konfliktin mes të dy vendeve. “Ne e refuzojmë këtë propozim, sepse zonat e
përcaktuara etnikisht janë vizion i rrezikshëm nacionalistësh që mendojnë në
kategori racore, e që e kanë çuar njëherë rajonin në luftën më të përgjakshme
të historisë europiane të pasluftës. Propozimi është antikushtetues dhe vendos
pikëpyetje mbi multietnicitetin e Kosovës. Kushtetuta e Kosovës e përcakton
qartë mosndarjen e vendit.”
Më tej
tre politikanët gjermane theksojnë, se ky propozim do të ishte
kapitullim para vlerave europiane. “Prandaj ky propozim duhet të hidhet
poshtë qartësisht.”…”Ne kemi mësuar, se paqja e vërtetë është e mundur, vetëm me ato shoqëri, që e gjejnë
forcën tek pluralizmi, toleranca, mosdiskriminimi dhe të drejtat e veçanta për
pakicat. Për çështje etnike nuk mund të ketë zgjidhje territoriale. Ky parim
mbetet për ne i patundur.”
Ndërsa gazeta tjetër gjermane, Süddeutsche
Zeitung nën titullin “Eksperimente shpërthyese” shkruan se në debatin
për një zgjidhje të konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë u fut në axhendën e
ditës edhe ndryshimi i kufijve, e sipas kësaj qetësia do të vendosej, nëse
veriu i Kosovës i banuar me serbë do të bashkohej me Serbinë dhe zonat e
banuara me shqiptarë do të shkonin si këmbim tek Kosova. “Por këtu duhet
të bien këmbanat e alarmit.” Autori vlerëson qëndrimin e qartë të
kancelares Merkel në këtë çështje. “Është merita e Angela Merkelit që gati
e vetmja ishte që që nga fillimi doli kundër kësaj. Sepse kush vë në pyetje
kufijtë, ndez sërish fitilin në fuçinë e barutit Ballkan. Ai rrezikon, madje
provokon shpërthimin e konflikteve të reja në shtetin e tre etnive,
Bosnje-Hercegovinë, deri në Maqedoninë e Veriut me pakicën e fortë shqiptare.
Në mënyrë të panevojshme konfirmohen në fund me konceptin e ndryshimit të
kufijve ata nacionalistë, të cilët në luftërat e viteve 90-të, megjithë
brutalitetin nuk mundën të arrinin qëllimin e tyre të shteteve homogjene
etnike.”
Edeh gazeta Die Welt i kushton vëmendje
konferencës së Ballkanit. Nën titullin “Merkel mbron trashëgiminë e saj në
Ballkan”, theksohet se kancelarja synon të pengojë ripërcaktimin e kufijve
në rajon. “Shqetësimi për një nga rajonet më të pastabilizuara të Europës
është konstante e politikës së jashtme të Merkelit….Që nga fillimi Merkel
ndoqi një politikë konsekuente në Ballkan….Berlini e kuptoi vonë, se Vuçiq me
një fushatë të zgjuar ia doli të bënte për vete për idenë e këmbimit të
territoreve të ngarkuarën e BE për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, një
liberale e majtë. Italianja dëshiron që ta kurorëzojë me një projekt të madh
mandatin e saj që po shkon drejt fundit, e që mund të interpretohet si hap
drejt pajtimit në rajon. Por në zyrën e kancelares i tremben të kundërtës: Një
ndarje e plotë mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë nuk mund të arrihet. Çdo
ndryshim kufijsh do të çonte në një debat të ri për ndryshime të tjera, në akte
kërcënuese, armatim, në rastin më të keq edhe në luftë. Merkel punon me durim
për të kundërtën…Por a është Merkel aq e fortë, që t’i japë fund debatit për
kufij të rinj? Përgjigjen për këtë do ta japë takimi të hënën.”
Frankfurter Allgemeine Zeitung i kushton po të
hënë një analizë me titull “Trump, Kosova dhe loja me median”
zhvillimeve në Ballkan para Konferencës së Berlinit.
“Para disa javësh presidenti serb Aleksandar Vuçiq mori një letër nga Uashingtoni. Donald Trump uronte për festën kombëtare dhe shtonte, se sipas qëndrimit amerikan, njohja e dyanshme duhet të jetë baza e çdo procesi normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë. Ky është një korrigjim i habitshëm i pozicionit amerikan, sepse në vitin 2018, këshilltari i Trumpit për sigurinë, John Bolton kishte thënë, se nëse Serbia dhe ish-provinca e saj e pavarësuar ndërkohë do të binin në ujdi për zgjidhjen e konfliktit, Uashingtoni nuk do t’i pengonte….Por a mendon kështu edhe presidenti serb? ‘Ky është qëndrimi i tij e ai nuk mund të pranohet prej nesh kaq thjesht. Por ne e kemi regjistruar interesin e tij, ta zgjidhim këtë temë kaq të vështirë për ne’, komentoi Vuçiq deklaratën e Trumpit.”/Marrë nga Deutsche Welle