Forumi i SEEF, Balluku: Bashkëpunim rajonal për diversifikimin e burimeve energjitike

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka marrë pjesë në Forumin e Energjisë të Vendeve të Europës Juglindore, zhvilluar në Selanik të Greqisë. Ministrja Balluku, me anë të një postimi në rrjetet sociale, shkruan se në këtë forum është shprehur se ‘diversifikimi i burimeve të energjisë, mbetet gjithmonë një nga strategjitë kryesore të së ardhmes’.

“Gjatë Forumit të Europës Juglindore për Energjinë 2019, SEEF, i cili u zhvillua në Selanik, pata rastin të diskutoj me homologët e mi çështjet prioritare në fushën e energjitikës. Diversifikimi i burimeve të energjisë, mbetet gjithmonë një nga strategjitë kryesore të së ardhmes, jo vetëm për Ballkanin, por edhe për tërë Europën. Vëmendje të veçantë paneli ministror i kushtoi zhvillimeve gjeopolitike në rajon dhe më gjerë, me fokus korridoret strategjike të transmetimit, gaz dhe energji elektrike”, shkruan ministrja.

Më tej, Balluku shprehet se gjatë forumit ka thënë se diversifikimi i burimeve të energjisë kërkon bashkëpunim midis vendeve të rajonit. “Gjithashtu siguria energjitike zuri vend të veçantë gjatë ketij forumi dhe u prek gjerësisht në të gjitha panelet, si një nga pikat më delikate për zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj industrie”.

“Theksova gjatë këtij forumi se strategjia e Qeverisë Shqiptare për gazifikimin e vendit, si pjesë përbërëse e strategjisë afatgjatë për diversifikimin e burimeve të energjisë, kërkon bashkëpunim me të gjithë aktorët vendimmarrës ndërkombëtarë, veçanërisht ato rajonalë. Në këtë kontekst sinergjia e shteteve Ballkanike dhe më gjerë, nën ombrellën rregullatore të BE, do të ishte ajo çka i duhet sot rajonit për të përmirësuar e zhvilluar kapacitet energjitike dhe ato të transmetimit”, përfundon ministrja Belinda Balluku.

Task Forca Rrugore me teknologji të re, Balluku: S’ka më abuzime

Task Forca e Transportit Rrugor i është nënshtruar një ristrukturimi të plotë dhe modernizimi me pajisje të reja në mënyrë që kjo strukturë të funksionojë në mënyrë të kualifikuar. Gjatë prezantimit Ministria e Infrastrukturës sqaroi se të gjithë automjetet që janë pjesë e Taskë Forcës Rrugore, autobusët, taksitë, mjetet e tonazhit të lartë, do t’i nënshtrohen kolaudimit, të detyrueshëm në momentin në ndalohen nga inspektorët, dhe i gjithë procesi do të kryhet nga pajisja e re elektronike që do të jetë në akset rrugore. Inspektorët do të jenë në terren në mënyrë të vazhdueshme dhe në formën e një postblloku për këtë kategori automjetesh, që më pas do të bëjnë kontrollin teknik. Inspektorët do të jenë të pajisur me kamera trupi të një rezolucioni të lartë HD ku çdo gjë do të shfaqet qartë me zë dhe figurë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë inspektimit të kësaj teknologjie të re, tha se kjo do të bëjë të mundur garantimin e transparencës dhe evituar abuzimet si dhe do të përgatis inspektorë sa më të kualifikuar dhe të përgjegjshëm. Balluku tha se dokumentimi i të gjithë procesit të kontrollit në terren nga ana e inspektorëve  do t’i jap fund edhe pretendimeve për sjelljen e tyre ndaj drejtuesve të mjeteve apo shqetësime të tjera që kanë shoqëruar këto procese ndër vite.

Kemi arritur më në fund që përveç personelit të cilët tashmë janë të kualifikuar dhe me përgjegjshmëri të plotë ne kryerjen e detyrë në të gjitha akset rrugore të Republikës së Shqipërisë ,kemi edhe pajisjet elektronike që ofrojnë transparencë totale të të gjithë procesit. Sot, krenarisht ne kemi prezantuar skuadrat dhe grupet e inspektorëve të Task Forcës Rrugore, por mbi të gjitha dhe pajisjet të cilat ata kanë në përdorim dhe do të krijojnë një transparencë të jashtëzakonshme për sa i përket këtij kontrolli në terren”, tha Balluku duke theksuar se e gjithë puna e kësaj strukture është e fokusuar tek siguria rrugore.

Pjesa lindore e Unazës së Madhe, Balluku: Brenda tetorit zgjidhet problemi i shpronësimeve

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e shoqëruar nga Drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, ka inspektuar punimet në pjesën lindore të Unazës së Madhe. Gjatë inspektimit të punimeve, Ministrja Balluku deklaroi se ‘punimet në këtë aks rrugor’, nuk kanë të bëjnë thjesht me ndërtimin e rrugës, por me ‘rikualifikimin e gjithë zonës’.

“Është shumë e rëndësishme që këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me një rrugë për automjetet por kjo është një zonë që rikualifikohet e gjitha. Kemi sistemimin e shtratit të Lanës, krijohet një pjesë për këmbësorët, pra trotuaret janë një pjesë e rëndësishme e projektit dhe kjo nuk është thjesht një rrugë për t’u aksesuar nga automjetet por do jetë një pikë ku të gjithë banorët e zonës po dhe banorë nga zona të tjera mund ta aksesojnë”, tha Balluku.

Më tej ajo deklaroi se ‘brenda muajit tetor’ do të gjendet një zgjidhje për problemet e shpronësimeve, ndërsa shtoi se ky proces do të zgjidhet një herë e mirë.  Besoj që brenda muajit tetor do t’i jepet një zgjidhje e mirëfilltë të gjitha proceseve të shpronësimeve që ne kemi dhe atyre që do të vijnë pasi siç e dimë, të gjitha projektet e reja që ne hapim kanë gjithmonë një pjesë të madhe dhe të rëndësishme që ka të bëjë me shpronësimet si nga ana e buxhetit ashtu edhe nga ana e procedurave legale që krijojnë vonesa. Por ne tashmë kemi nisur një proces brenda qeverisë me disa nga aktorët dhe ministritë e përfshira për t’a zgjidhur këtë problem një herë e mirë dhe afatgjatë, kështu që kjo është shumë e rëndësishme”, deklaroi ministrja balluku.

Drejtoresha e ARRSH, Sonila Qato është shprehur se punimet po ecin mirë në këtë pjesë të Unazës së Madhe, duke shtuar se kompania që po ndërton rrugën, ka punuar me cilësi, ndërsa pritet që të përfundojë procesi i shpronësimeve, për të vijuar punën dhe në ato pjesë të rrugës ku ende nuk ka nisur.

Balluku: Kontroll cilësisë së karburanteve. Në tetor, laborator në Porto Romano

Aksioni i qeverisë kundër informalitetit do të përshkallëzohet më tej dhe do të shtrihet në fushën e hidrokarburanteve, ku ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur të hënën në një konferencë për shtyp, se rëndësi do t’i kushtohet kontrollit të cilësisë së karburanteve. Balluku tha se në muajin tetor do të ngrihet në Porto Romano pranë pikës së magazinimit të hidrokarbureve, një laborator që do të bëjë të mundur kontrollin e cilësisë të naftës, gazit dhe lëndëve të tjera që hyjnë dhe dalin në këtë pikë grumbullimi.  Ky laborator pritet të kontrollojë online në kohë reale rreth 85% të sasive të hyrje-daljes të hidrokarbureve.

Balluku gjithashtu njoftoi se gjatë 6 mujorit të parë të këtij viti, janë kontrolluar rreth 3459 subjekte dhe janë gjobitur 44 prej tyre. Balluku gjithashtu premtoi se lufta kundër informalitetit do të jetë e ashpër dhe nuk do të bëjë diferencime, nëse është biznes i vogël apo i madh. Kujtojmë se kjo deklaratë e ministres vjen vetëm pak ditë pas gjobës së majme që iu vendos Gega Oil në depozitat në Porto Romano, pasi u kap me 233 ton karburant pa akcizë dhe u gjobit me 350 mijë euro.

 “Kontrollet janë bërë në kuadër të aksionit që i kemi hapur informalitetit. Informaliteti cilësor është i njëjtë dhe i ngjashëm me fiskalin për të mos thënë që është prodhues. Duke mos përmbushur kërkesat, subjektet krijojnë si derivat infomalitetin fiskal. Kjo luftë do të intensifikohet. Duke qenë se sot po flasim për punën që inspektoratit kemi edhe disa pika në 6 mujorin e fundit dhe kemi plan pune si do të bëjmë. Para përfundimit të 2019 do të shtohen inspektorët. Brenda tetorit do të ngremë laboratorin e ri në Porto Romano për të hidrokarburet, duke ulur kostot si të inspektoratit por edhe subjekteve”, është shprehur ministrja Balluku.

I pranishëm në këtë konferencë ka qenë edhe Admir Abrija, Kryeinspektori i Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial i cili ka dhënë edhe detajet për 6 mujorin e parë të këtij viti.

“Inspektorati ka parë masa për shkeljet. Bëmë një analizë risku, në hidrokarburet është e madhe dhe e ndjeshme. Analizat në këtë sektor i kemi konstatuar në jo pak raste me shkelje cilësore, nafte gaz dhe solar. Kemi marrë masa administrative. Kemi dhënë mundësi apelimi por janë lënë në fuqi masat. Tani po rrisim inspektimet. Do të rritet në numrin total 230 punonjës. Gjatë 6 mujorit të parë janë kontrolluar 3459 subjekte. Kemi rritje me 20%. 2477 inspektime. Janë penalizuar 44 subjekte”, ka bërë të ditur Abrija.

PS: Kolegji foli qartë, zgjedhjet më 30 qershor

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka deklaruar se Kolegji Zgjedhor e bërë të qartë për të gjithë se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor. Në një reagim të tij në Twitter, Balla tha se vendimi i Kolegjit Zgjedhor duhet të respektohet nga të gjitha palët. 

“Tani është e qartë! Zgjedhjet Lokale që do të mbahen më 30 qershor! Të gjitha palët duhet të respektojnë Kolegjin Zgjedhor të Shqipërisë që urdhëroi mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 30 qershor.” shkruan Balla, i cili e shoqëron postimin me një shkrim të prestigjiozet New York Times për vendimin që Kolegji Zgjedhor vendosi për mbajtjen e zgjedhjeve duke mos njohur dekretin e presidentit Meta për anulim të tyre. Më herët RealStory.al solli shkrimin e plotë të “New York Times” dhe “Washington post”, ku të dyja cilësojnë se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor.

Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ky vendim ishte një fitore e ligjit dhe një ditë me bereqet, pasi vetë gjyqtarët e Saliut dhe Ilirit vendosën 5 më 0 që zgjedhjet të  mbahen më 30 qershor. Edhe vetë gjyqtarët e tyre e kanë kuptuar se nuk mund të luhet me demokracinë sipas oreksit të presidentit shtoi Veliaj.

“Një ditë me bereqet për drejtësinë dhe për demokracinë në Shqipëri. 5 me 0. Gjyqtarë të emëruar nga Saliu, gjyqtarë të emëruar nga Ilir Meta, jo gjyqtarët e reformës së re në drejtësi. Ata s’i kemi parë akoma, por edhe gjyqtarët e emëruar nga ata vetë arrijnë të kuptojnë se nuk mundet demokracia të jetë një sport që ndryshon sipas oreksit të presidentit”, tha Veliaj.

Më herët edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka komentuar vendimin e marrë të hënën nga Kolegjit Zgjedhor për të lënë në fuqi 30 qershorin si datën e zgjedhjeve vendore. Balluku ka deklaruar se vendimi i Kolegjit i jep fund amullisë së krijuar nga dekreti i Metës dhe se zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor. Tani ky është një vendim i formës së prerë dhe është i pakontestueshëm.

 “Rëndësi kanë vendimet kushtetuese, vendimi i Kolegjit është i pakontestueshëm. Ne ndodhemi në fushatë zgjedhore të dekretuar nga Presidenti Meta. Në këtë rast mund të ishte dhe Gjykata Administrative, por Kolegji mendoj se ka të drejtën të shprehet në raste të tilla. E gjitha amullia e ngritur nga data e dekretit të Metës sot është larguar dhe kemi një vendim të qartë se zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor. Interpretimi i këtij vendimi është i pavend nga të gjithë ne”, është shprehur ministrja.

Sa i takon aksionit opozitar, i cili do të vijojë gjatë kësaj jave në të gjithë Shqipërinë, ministrja Balluku ka deklaruar se opozita prej muajsh po bën kërcënime, por duhet të bëjnë kujdes se po nxisin luftë dhe veprime jodemokratike.

“Zgjedhjet më 30 qershor nuk i vendosi qeveria Rama dhe as PS, janë zgjedhje brenda afateve kushtetuese të dekretuara nga Meta. Se çfarë do bëjë Shehi, nuk është në kuadër të një diskutimi serioz. Kërcënime të tilla janë bërë prej muajsh. Shehi apo kushdo tjetër nuk i ka seriozisht këto bërjet e luftës, duhet të kenë kujdes kur nxisin luftë dhe veprime jodemokratike”, është shprehur Ministrja Balluku.

Kolegji Zgjedhor vendosi të hënën të rrëzojë kërkesën e Idajet Beqirit për t’u çregjistruar nga pjesëmarrja në zgjedhjet e 30 qershorit, duke rrëzuar në këtë mënyrë edhe dekretin e Metës për të anuluar zgjedhjet. Me këtë vendim Kolegji lë në fuqi vendimin për zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor. Vendimet e kolegjit në bazë të Kodit Zgjedhor janë të formës së prerë dhe të zbatueshme nga të gjithë.  

Shpërndahen kartat, Balluku premton shërbime shtesë për studentët

Më shumë se 2 mijë studentë të Universitetit Politeknik të Tiranës janë pajisur me Kartën e Studentit, duke përfituar kështu nga një sërë shërbimesh falas ose me çmime të ulëta. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe Dekani i Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit, Vladi Koliçi, ndoqën nga afër vijimin e procesit të aplikimit dhe tërheqjes së kartës nga studentët e universitetit.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh i kënaqur për ecurinë e procesit në këtë Universitet dhe shtoi se deri tani janë shpërndarë mbi 10 mijë karta. “E kemi kaluar shifrën 10 mijë në të gjithë studentët e Tiranës, pra kemi nisur goxha mbarë. Shpresoj që deri në fund të qershorit, por edhe në korrik, kur vazhdon periudha e sezonit, do të kemi mundësi të bëjmë shpërndarjen e të gjitha kartave”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku nënvizoi se puna për shpërndarjen e kartave do të vijojë edhe gjatë javëve që kanë mbetur, para se studentët të marrin pushimet e verës, me synimin që çdo student të ketë mundësi që të aksesojë gamën e shërbimeve që i ofrohet nëpërmjet këtij dokumenti të posaçëm.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se interesi që kanë treguar studentët për kartën është i lartë, ndërsa bëri të ditur se ministria që ajo drejton, përmes institucioneve apo subjekteve që kanë lidhje me të, do të ofrojë shërbime të tjera shtesë për studentët. “Interesi është shumë i madh për ta marrë këtë kartë, pasi është një kartë që do t’i ndihmojë të gjithë studentët, pasi nga lista që pashë janë absolutisht shërbime për të cilat ka nevojë studenti. Përmes Ministrisë ne mund ta ndihmojmë këtë proces me subjekte që janë të lidhura me ne, për t’i lehtësuar dhe për të shtuar listën e subjekteve të cilat ofrojnë shërbim për kartën”, përfundoi Balluku.

Nis ndërtimi i ujësjellësit në Rrëshen. Balluku: Banorët përfitojnë 24 orë ujë të pijshëm

Në qytetin e Rrëshenit dhe zonat përreth shumë shpejt do të marrë zgjidhje problemi i furnizimit me ujë të pijshëm. Ndërtimi i rrjetit të ri shpërndarës, i cili pritet të përmbyllet brenda muajit korrik, garanton furnizim 24 orë me ujë të pijshëm për afro 16 mijë banorë të kësaj zone.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, Alqi Bllako dhe kryetarin e Bashkisë Mirditë, Ndrec Dedaj ndoqën nga afër ecurinë e punimeve.

Drejtori Bllako bëri të ditur se ky investim përfshin ndërtimin e një depoje të re, vendosjen në funksion të dy pompave si dhe ndërtimin e rrjetit të ri shpërndarës prej 12 kilometrash duke bërë të mundur qëçdo abonentët të lidhet me këtë rrjet për të shmangur në këtë mënyrë edhe abuzimet.

“Janë 12 kilometra rrjet i brendshëm që rinovohen tërësisht fal këtij investimi. Gjithashtu ndërtohet një depo e re 1 mijë metra kub. Do të rinovojmë pothuajse tërësisht stacionin e pompimit me dy pompa të reja të cilat do të pompojnë gati 40 litra në sekondë dhe do të ulin koston e energjisë me mbi 50 përqind. Projekti është drejt përfundimit dhe brenda muajit korrik do të jetë tërësisht funksional”, u shpreh Bllako.

Për kryebashkiakun e Mirditës, Ndrec Dedaj, investimi në rrjetin e ujësjellësit ishte i domosdoshëm për banorët e Rrëshenit.  “Ishte një investim  i domosdoshëm, që nga viti ’68-të nuk është vënë dorë në këtë ujësjellës. Ky investim do t’i mundësojë qytetit të Rrëshenit 24 orë ujë“, tha Dedaj. Kreu i Bashkisë Mirditë nënvizoi gjithashtu se ka përfunduar projekti edhe për furnizimin me ujë të pijshëm të Rubikut dhe aktualisht është duke u punuar për projektin e Repsit, në mënyrë që edhe këto dy qendra urbane të kenë furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm.

Nga ana e saj, ministrja Belinda Balluku theksoi se ky investim ndikon drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve duke u siguruar atyre jo vetëm 24 orë furnizim me ujë të pijshëm por edhe me cilësi. Ministrja e Infrastrukturës bëri të ditur se depoja e re e ndërtuar përmbush të gjitha kushtet sanitare teksa solli në vëmendje edhe faktin se në këtë rrjet nuk ishte investuar që prej vitit ’68-të.

“Ky është një investim i shkëlqyer sepse ndikon direkt në cilësinë e jetës së qytetarëve dhe është shumë i rëndësishëm fakti që nuk është vetëm Rrësheni por edhe Rubiku dhe Repsi, domethënë mbulojmë gjithë zonën. Edhe kjo depo e re me të gjitha kushtet sanitare që duhet të ketë dhe të gjitha parametrat, për të ofruar shërbim mbas kaq vitesh, pasi që në vitin ’68 nuk ka pasur një ndërhyrje të thellë”, nënvizoi Balluku.

Aktualisht kanë përfunduar punimet në stacionin e pompimit dhe shtrirjen e tubacionit kryesorë ndërkohë që janë drejt fundit punimet për ndërtimin e rezervuarit si dhe po punohet për lidhjen e abonentëve me rrjetin kryesor. Linja e re e stacionit të pompimit në depo do të mundësojë eliminimin e defekteve dhe lidhjet abuzive, dyfishimin e presionit të nevojshëm nga 25 në 50litra/ sekondë si dhe kursen energji elektrike duke i ardhur në ndihmë rritjes së performancës së UK Mirditë.

Skip to toolbar