Protesta në “Unazën e Re”, banorët godasin ambulancën me gurë

Një incident është shënuar mbrëmjen e vonë të së dielës, teksa gjatë protestës banorët e “Unazës së Re” kanë goditur një autoambulacë.

Ngjarja ka ndodhur pranë zonës së ‘Astirit’, teksa  banorët, në prani të ish-deputetëve të opozitës, kanë goditur me gurë dhe mjete të forta një autoambulancë e cila ishte nisur për një rast emergjence.

Mësohet se mjeti i emergjencës mjekësore ishte nisur drejt Pezë Helmës, pasi ishte njoftuar për rast në nevojë. Por banorët në Unazën e Re i kanë dalë para dhe e kanë goditur me mjete të forta dhe gurë, duke i shkaktuar disë dëme materiale.

Fatmirësisht nga ky incident nuk ka pasur probleme për stafin mjekësor që ndodhej në mjet. Ndërkohë, raportohet se gjatë protestës është goditur dhe një mjet i policisë.

Protesta e banorëve në zonën e “Astirit” ka shkaktuar edhe kaos në trafik, ku shumë drejtues mjetesh janë detyruar të kthen mbrapsht për shkak të rrugës së bllokuar.

PD sfidon Ramën: Bllokon Astirin, por lejon Nanon

Banorët e Astirit kanë dalë sërish pasditen e së shtunës për të protestuar për shtëpitë e tyre, të cilat do të prishen për shkak të zgjerimit dhe rehabilitimit të plotë të Unazës së Re. Gjatë protestës banorët për disa orë bllokojnë të gjitha qarkullimin e mjeteve duke krijuar një trafik mjaft të rënduar në zonë.

Por duket se këtë rregull banorët e Astirit, që i janë bashkuar edhe protestave kombëtare të opozitës, e kanë thyer duke kanë lënë të kalojë makinën e ish kryeministrit dhe ish kreut të PS, Fatos Nano. Madje në foto shpërndarë nga Partia Demokratike duket edhe një shenjë si OK e dorës së Nanos, duke u interpretuar nga PD se “është OK me protestën e banorëve të unazës”.

Qeveria gjen zgjidhje për zhvendosjen e banorëve të Unazës së Re

Të gjithë individët ose familjet e prekura nga procedurat për zhvendosje nga banesat e tyre do të akomodohen sipas ligjit “Për strehimin Social”, pavarësisht nëse kanë apo jo titull pronësie mbi banesën apo pronën nga e cila zhvendosen.

Ky vendim është marrë së fundmi nga qeveria shqiptare, duke gjetur kështu një zgjidhje edhe për familjet që do të shpërngulen nga zona e Astirit në Tiranë, ku janë prekur rreth 424 familje për shkak të projektit për Unazën e Madhe.

Një ditë më parë, qeveria ka marrë vendimin për përcaktimin e procedurave të zhvendosjes së individëve ose familjeve nga vendbanimi a strehimi i tyre, në rastet e parashikuara në ligj, dhe të bashkëpunimit institucional. Për zbatimin e këtij vendimi, VKM ngarkon njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Në vendim deklarohet se individi ose familja, që nuk e gëzon të drejtën e pronësisë, gëzon të drejtën për risistemim e ristrehim, në përputhje me kriteret, si: siguria, aksesueshmëria, kostoja e përballueshme e banesës, kushtet e banimit, shprehja e identitetit kulturor dhe aksesi në shërbime bazë, kujdesi social, shëndetësor dhe arsimi.

VKM ka përcaktuar edhe procedurën e zhvendosjes, ku deklarohet njësitë e vetëqeverisjes vendore, në aktet që përmbajnë fitimin e pronësisë dhe të të drejtave reale mbi pasuritë e paluajtshme, përfshijnë shprehimisht referimin e identitetit dhe të cilësimit si bashkëpronar të secilit anëtar madhor të familjes dhe/ose të dy bashkëshortëve, në përputhje me Kodin e Familjes dhe ligjin për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, në bazë të certifikatës së gjendjes familjare. “Individi ose familja, ndaj të cilit fillon procesi administrativ i zhvendosjes, nuk duhet të mbetet i pastrehë ose të vihet në një situatë që e bën atë vulnerabël ndaj shkeljes së të drejtave të tjera të njeriut. Zhvendosja nuk zbatohet pa siguruar më parë sistemimin me strehim të përshtatshëm të individëve dhe familjeve që zhvendosen dhe nuk përfitojnë shpronësim”. Njësia e vetëqeverisjes vendore garanton dhe ofron një strehim të përshtatshëm alternativ, risistemim në një vend tjetër ose akses në tokë prodhuese, sipas rastit, sa më pranë vendbanimit fillestar e burimit të jetesës së të zhvendosurve”, deklarohet në vendim.

Po ashtu, sipas vendimit, minimalisht, pavarësisht kushteve dhe pa diskriminuar, autoritetet kompetente duhet të garantojnë që personat ose grupet e zhvendosura, veçanërisht ata që kanë të ardhura të ulëta dhe shumë të ulëta, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, fëmijët e gratë shtatzëna të kenë akses të sigurt e të mbrojtur në:

a) ushqim, ujë të pijshëm dhe higjienë bazë;

b) strehim dhe akomodim bazë;

c) veshje të përshtatshme;

ç) shërbime mjekësore bazë;

d) burime jetese;

dh) ushqim për bagëtinë dhe akses në burime të pronës së përbashkët nga të cilat vareshin dikur;

e) arsim për fëmijët dhe ambiente për kujdesin ndaj fëmijëve.

Nga ky vendim të parët që mendohet se do të përfitojnë pritet të jenë familjet që do të zhvendosen nga Astiri për shkak të projektit për Unazën e Madhe. Edhe më parë, Kryetari i Bashkisë Tiranë kishte deklaruar se do të bëhet strehimi i tyre sipas ligjit për shërbimin social, por këshilltarët e djathtë e kishin kundërshtuar duke deklaruar se nuk kishte vendim të Këshillit Bashkiak. Por duket se me këtë vendim, qeveria ka gjetur zgjidhje, jo vetëm për banorët e Astirit, por edhe për të gjitha rastet e tjera, ku qeveria po përdor investime strategjike, por që investuesit kanë hasur në kundërshtimin e banorëve. Gjithsesi, ky vendim u vjen edhe disi në mbrojtje banorëve që zhvendosen, pasi sipas tij nuk mund të bëhet zhvendosja pa u siguruar më parë strehimi dhe të gjitha kushtet e tjera të përmendura VKM.

Skip to toolbar