Analisti i njohur Mero Baze në artikullin e së shtunës në mbrëmje ka sqaruar të vërtetën e faturave “të çmendura” të ministres së Ramës, Etilda Gjonaj, ndërsa fton gazetarët dhe mediat që të marrin të dhënat e TIMS dhe të shikojnë se kreu i opozitës Lulzim Basha shpenzon më shumë se 5 mijë dollarë çdo muaj për udhëtimet çdo javë drejt Holandës.
“Merrni udhëtimet e Lulzim Bashës në TIMS, që është minimalisht një herë në javë jashtë Shqipërisë, kryesisht në Holandë, dhe në shumicë të herës në biznes klas, dhe gjeni burimin financiar të gjithë këtij buxheti udhëtimesh, i cili i kalon 5 mijë dollarë në muaj.
Është njësoj e pamoralshme dhe nëse ja paguan PD, dhe nëse i paguan vetë, pasi në rastin e parë, shpërdoron për qëllime personale paratë e PD, e në të dytin fsheh burimet publike financiare të vetat.
Ndaj është mirë që shtypi të merret me shpenzimet publike të politikanëve, udhëtimet e tyre, udhëtimet e ministrave për punë apo privatisht, që kjo të kthehet në një kulturë komunikimi për ta”, shkruan Baze.
Ndërsa përsa i përket akuzave ndaj shpenzimeve marramendëse të ministres së Drejtësisë, Baze shpjegon se artikulli është gjysmak. Ai sqaron se faturat i janë dhënë gazetarit nga Ministra e Drejtësisë në respekt të transparencës për publikun, por shpenzimet nuk janë detajuar në zëra dhe gazetari i ka shpjeguar sipas dëshirës. Pra nëse fatura është 700 euro për një natë në hotel aty nuk është pagesa vetëm për 1 person, por për disa punonjës të ministrisë.
“Një reporter i ri, i angazhuar në një projekt investigative, ka kërkuar faturat nga Ministria e Drejtësisë dhe ata ja kanë ofruar. Kjo është shenjë e fortë transparence.
Pas kësaj, reporteri i ka lexuar faturat si shpenzime personale të ministres Gjonaj dhe i ka publikuar.
Burime zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë i pohuan gazetatës TemA, se i kanë ofruar portalit në fjalë faturat dhe konfirmojnë orgjinalitetin e tyre, por kanë theksuar se askush nuk ka bërë pyetje rreth kompleksitetit të faturës, numrit të personave që kanë udhëtuar, ditët që kanë fjetur, natyrën e udhëtimit, ndonjëherë të minutës së fundit dhe çmimet e asaj periudhe. Pra nuk ka pasur pyetje shpjeguese për faturat dhe në dukje ato ngjajnë si një zbulim.
Ministria është duke verifikuar çdo zë shpenzimi dhe me siguri që do të ketë ndonjë komunikim më profesional, të cilin e ka detyrim për publikun.
Reporteri i ri natyrisht nuk e ka çuar deri në fund punën e tij, por pjesa tjetër e shtypit që e ka keqpëdorur atë, e ka banalizuar fare, jo vetëm duke mos u thelluar, por duke fantazuar”, shkruan analisti Mero Baze.
Ai fton gazetarët dhe mediat që të hetojnë dhe të bëjnë transparencë për udhëtimet e zyrtarëve të shtetit dhe politikanëve të lartë, qofshin në pushtet apo opozitë pasi ky është detyrim publik.