Bashkimi Kombëtar, Kurti: S’kam ndryshuar mendim, por…

Dëshira e Lëvizjes Vetëvendosje për të krijuar bashkimin kombëtar Shqipëri-Kosovë, ka ndryshuar duke synuar fillimisht një bashkim kombëtarë ekonomik dhe institucional dhe më pas kur të krijohen mundësitë e një ndryshimi të Kushtetutës së Kosovës në mënyrë paqësore, mund të realizohet bashkimi me Shqipërinë. Kurti tha në emisionin “Real Story” se nuk dëshiron të nxisë një Luftë të tretë Ballkanike, por krijimin e një bashkimi në mënyrë paqësore dhe kushtetuese.

“Nuk kam ndryshuar mendim për bashkimin me Shqipërinë, por Kushtetuta e Kosovës na e ndalon, nuk jam dakord por do e respektojë atë. Ne vazhdojmë ta kundërshtojmë Kushtetutën që ndalon bashkimin e Kosovës me një vend tjetër. Synojmë që një ditë ta ndryshojmë në mënyrë demokratike, paqësore dhe kushtetuese. Nuk do fillojmë Luftën e Tretë Ballkanike për tu bashkuar me Shqipërinë, por në mënyrë paqësore. Me luftra na kanë ndarë, me paqe dhe demokraci një ditë do të vij koha që ta bëjmë këtë hap të rëndësishëm për vendet tona.”

Për Kurtin rruga e integrimit nuk pengon bashkimin e dy vende, përkundrazi ajo i bën mirë edhe BE.

“Kosova dhe Shqipëria të bashkuara, i bëjnë mirë edhe BE. Unë jam që BE të qëndrojë dhe shqiptarët të jenë të bashkuar.” tha Kurti  / Real Story

Cakaj në Real Story: Diplomatë nga Kosova në ambasadat shqiptare në vendet që s’e njohin

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka qenë i ftuar në pjesën e dytë të emisionit Real Story të Sokol Ballës në Vizion Plus, përballë dy analistëve Skënder Minxhozi dhe Alfred Lela. Cakaj foli për progres raportin e Komisioni Europian që rekomandoi hapjen e negociatave pa kushte për Shqipërinë duke e konsideruar mjaft pozitiv, pasi konfirmoi arritjet e reformave që opozita ka kundërshtuar me forcë deri më sot. Cakaj tha se Shqipëria do të atashojë diplomatë nga Kosova në ambasadat, që ndodhen në vend ku nuk është njohur zyrtarisht Kosova.

Për deklaratat e Presidentit Thaçi për një bashkim të Shqipërisë dhe Kosovës, ministri Cakaj preferoi të mos i komentonte pasi i kalonin kompetencat e tij vendimmarrëse ndërsa tha se “Me Kosovën po shihej mundësia e Ambasadave të përbashkëta, konsullatave të përbashkëta, shërbimeve diplomatike dhe një task-force në ministri për kundërpërgjigje ndaj Serbisë për tërheqjen e njohjeve.”

Më pas, ministri Cakaj u ndal te progres raporti , që sipas tij nuk është lajm i vjetër edhe pse ka tendenca ta paraqesin si të tillë. “Raporti është pozitiv dhe rekomandon hapjen pa kushte të negociatave si vitin e kaluar dhe konstaton vlerësimet e Shqipërisë për të gjitha reformat e ndërmarra deri tani, gjë që opozita e ka kundërshtua gjerë më sot. Raporti, qartazi e bënë përgjegjëse opozitën për dështimin e reformës elektorale. Opozita është përgjegjëse që ka cenuar konsensusin shoqëror e politik në Shqipëri.” – tha Cakaj

Në studio pati replika mes analistit Alfred Lela dhe ministrit Cakaj në lidhje me vlerësimet e raportit, ndërsa Skënder Minxhozi u shpreh për raportin se “është hera e parë që në një gjendje kaq të ndezur politike në vend, e shoh kaq pak të trajtuar në të.”

Cakaj tha se përkundër krizës politike në vend, raporti bën më shumë rekomandime teknike dhe identifikon fakte, pasi ai e njeh parlamentin funksional dhe vlerëson progresin e arritur përkundër gjendjes politike që po kalon Shqipëria.

“Përkundër djegies së mandateve, raporti identifikon më tepër fakte se sa jep rekomandime politike. Por ka disa mënyra për ta lexuar këtë relacion. E para jeta parlamentare është e pacenuar dhe parlamenti gëzon të drejta e plota për marrë vendime dhe është funksional. Integriteti i institucionit ka mbetur i pacenuar. E dyta, Shqipëria ka vazhduar progresin përkundër krizës politike që po kalon. Pra axhenda e qeverisë ka mbetur e pacenuar dhe nuk është tjetërsuar. Gjithashtu duhet theksuar se Komisioni ka ndërruar strategji për rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, po aplikohet një strategji e re, për të siguruar që nuk do ketë prapakthim. Për ne procesi është bërë më rigoroz dhe pragu i meritave është ngritur edhe më lart. Kërkesat që i janë bërë Shqipërisë nuk i janë bërë asnjë vendi tjetër.”- tha Cakaj

Cakaj foli edhe në lidhje se si e pret qasjen e Këshillit Europian pas zgjedhjeve në BE, ku cilësoi dy rezerva në lidhje me hapjen e negociatave, ku në të parën Shqipëria nuk ka asgjë në dorë dhe në të dytën duhet të punojë me lobimin pozitiv të vendit.

“Rezultatet e zgjedhjeve europian kanë treguar se çështja e zgjerimit nuk ka qenë e lidhur me atë elektorale. Kundërshtimi i populizmit nuk mund të bëhet me mjete populiste. Ka dy lloj rezervash lidhur me hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. E para është parimore, ku BE duhet të konsolidohet nga brenda para se të zgjerohet nga jashtë. Në këtë rast Shqipëria është krejtësisht e pafuqishme të ndryshojë gjithçka dhe kjo lidhet me vizionin e europianëve për Europën. E dyta lidhet me mënyrën se si vende të caktuara anëtare e interpretojnë progresin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në këtë rast funksionarët e shtetit nisin lobimet për të rritur imazhin e Shqipërisë.”

Cakaj foli edhe për një mundësi të ndarjes së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave me BE-në duke thënë se një gjë e tillë nuk beson të ndodh pasi ‘dy vendet janë trajtuar në një pako për nga pikëpamjet teknike dhe administrative dhe janë në një stad. Nuk ka sinjale evidente se një gjë e tillë do të ndodhi.”

“Bashkimi me Shqipërinë”, alternativa e re e Thaçit kundër BE

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi vijon t’i qëndrojë idesë së tij për bashkimin kombëtar dhe këtë deklaratë duket se ka vendosur ta përsëris thuajse çdo ditë. Gjatë një aktiviteti për 20 vjetorin e operacionit ‘Shigjeta” si pjesë e UÇK-së, Thaçi tha se ëndrra e projektit të bashkimit të shqiptarëve është shumë më e lehtë se sa ka qenë çlirimi i Kosovës, por këtë duhet ta duan të dy qeveritë. Në fakt këto deklarata të Thaçit janë një kundërpërgjigje ndaj ndërkombëtarëve që nuk mundësojnë liberalizimin e vizave për Kosovën, duke i lënë qytetarët e saj atë izoluar.

“E theksova edhe dje edhe sot, është një projekt që duhet të punojmë të gjithë. Unë mendoj që asnjëherë nuk ka qenë më afër së realizuari kjo objektivë. Sa më tepër që po vonohet Bashkimi Evropian me politikën e vet diskriminuese, poshtëruese dhe ofenduese për qytetarët e Kosovës për liberalizim të vizave, duhet të shikojmë edhe alternativa që qojnë drejt një bashkimi definitiv, përfundimtar Kosovë-Shqipëri duke përfshirë edhe Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin…Realizimi i projektit të bashkimit kombëtar është më i lehtë se sa ka qenë i çlirimit të Kosovës, por duhet vullnet e dy qeverive tona” – tha Thaçi.

Skip to toolbar