Ish-futbollisti i Bayern Munich, Bastian Schweinsteiger, zbuloi këtë fillim jave se Jose Mourinho mund të jetë pasuesi i Niko Kovaç te Bayern. Sipas Schweinsteiger, Mourinho tregonte interes të madh për Bayern gjatë kohës që ai drejtonte Manchester United në Angli. Madje, ish-futbollisti i klubit bavarez, tregoi se trajneri portugez kishte mësuar dhe gjermanishten. “Unë mund ta imagjinoj Mourinho në Gjermani”, thotë Schweinsteiger.
Ai shtoi më tej për Bild se: “Mbaj mend që ai gjithmonë më peste për Bayernin dhe Bundesligën. Gjatë ndeshjeve tona në transfertë, ai shihte gjithmonë Bundesliga në TV. Ai njihte çdo lojtar, madje edhe te skuadrat më të vogla. Ai gjithashtu mësonte gjermanisht. Ai nuk ka punuar në Bundesliga, kështu që unë mund ta imagjinoj që ai do të tundohej nga një angazhim në Gjermani”, është shprehur ish-futbollisti i Bayern, që luajti për Manchester United gjatë kohës që drejtohej nga Mourinho.
Skuadra bavareze shkarkoi trajnerin kroat Niko Kovaç pas humbjes turpëruese 5-1 ndaj Eintracht Frankfurt. Ndërkohë, Mourinho është i papunë që prej dhjetorit të vitit 2018, pasi u shkarkua nga Manchester United për shkak të rezultateve të dobëta. Ndihmësi i Kovac, Hans Flick do të drejtojë përgatitjet e Bayern për përballjen në Ligën e Kampionëve me Olympiacos të mërkurën dhe “Klasikes” gjermane të shtunën kundër Borussia Dortmund.