Ministria e Jashtme i përgjigjet Greqisë për pakicat dhe kandidaturën e Fredi Belerit në Himarë, duke shprehur se vendimi erdhi nga një institucion kushtetues dhe nuk ka të bëjë me cenimin e të drejtave të pakicave kombëtare, ndërkohë që nga ana tjetër shpreson që kjo mos të cenojë marrëdhëniet midis dy shteteve në prag të vendimmarrjes për hapjen e negociatave të Shqipërisë.
“Pas njohjes me deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, të datës 30 maj 2019, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh keqardhjen që vendimi i një institucioni të pavarur dhe kushtetues, siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kontekstualizohet si devijim apo zmbrapsje e progresit të Shqipërisë në kuadër të mbrojtjes së pakicave”, deklaron Ministria e Jashtme.
Më tej, diplomacia shqiptare shpjegon se situata lidhur me Fredi Bejlerin është e qartë. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me votë unanime dhe bazuar në legjislacionin në fuqi, ka ndaluar kandidimin e tij në zgjedhjet e ardhshme vendore në Shqipëri, referuar faktit se legjislacioni elektoral shqiptar ndalon, për një periudhë 10 vjeçare, kandidimin e personave për t’u zgjedhur në postin e kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore, të cilët kanë qenë dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykatat shqiptare”, thuhet në deklaratë.
Lidhur me respektimin e të drejtave të pakicave, Ministria e Jasthme shprehet se, sundimi i ligjit është në interes të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, qofshin ata shqiptarë, përfaqësues të pakicës greke apo pakicave të tjera pa dallim, përjashtim apo diskriminim.
“Në Shqipëri garantohet e drejta e personave që u përkasin pakicave për t’u vetë-identifikuar si të tillë dhe e drejta e tyre e pronësisë pa diskriminim. Po kështu, është i garantuar ushtrimi i gjitha të drejtave elektorale të shtetasve që u përkasin pakicave. Mbi këtë bazë, çdo qytetar shqiptar, minoritar ose jo, ka të drejtën t’i drejtohet gjykatave shqiptare si organet kompetente për interpretimin e Ligjit në Republikën e Shqipërisë”, deklaron MPJ, duke kujtuar se raporti i fundit i Komisionit Europian është dëshmia më e qartë e këtij progresi në funksion të hapit të radhës, çeljes së pakushtëzuar të negociatave për anëtarësim.
“Në këtë frymë, vlerësojmë mbështetjen e vazhdueshme dhe të vyer të Greqisë për Shqipërinë dhe mbarë rajonin tonë në avancimin e rrugës europiane, veçanërisht tani në vigjilje të vendimmarrjes së afërt, nga ana e vendeve anëtare të BE-së”, shprehet Ministria e Jashtme.
Dy ditë më parë, Ministria e Jashtme e Greqisë ka reaguar në lidhje me vendimin e Kolegjit Zgjedhor për të mos lejuar Fredi Bejlerin të kandidojë për Bashkinë Himarë. Ministria e Jashtme greke e cilësoi respektimin e të drejtave të minoriteteve si një nga 5 pikat kryesore të lidhura me integrimin, ndërsa akuzoi Shqipërinë se po bën hapa pas me pengimin e kandidimit të Fredi Bejlerit për përfaqësimin politik të minoritetit grek për zgjedhjet në Himarë.