Skema fiktive me TVSH/ ‘Sëmuren’ në gjyq, lirohen 9 nga 15 biznesmenët e arrestuar

Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë për 15 biznesmenët e arrestuar pak ditë më parë, të cilët akuzohen se kanë ngritur një skemë fiktive financiare, duke i shkaktuar miliona euro dëme shtetit. Në përfundim të seancës gjyqësore, Gjykata e Tiranës ka vendosur të lirojë 9 nga 15 biznesmenët e arrestuar, duke u dhënë masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’.

Konkretisht, janë lënë të lirë biznesmenët; Paqsor Buzi, aksioner me 50% i G.P.G Company; Astrit Lala, kompania Leksi ‘Security 1’; Haxhi Sala, kompania Leksi ‘Security’; Ilia Dimo, kompania IBS sh.p.k; Shkëlqim Prodani, kompania ‘Red Black’; Shpresa Joanidhi, kompania “Shpresa” sh.p.k; Rabi Kurti, kompania “Kurti Construction”; Riza Roshi, kompania “Dorgen” sh.p.k dhe Rrapo Baduni, kompania “Bani/s”.

Ndërkohë, Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë ‘arrest me 20 ditë burg’ për gjashtë biznesmenët e tjerë. Ata janë; Besnik Pelivani, kompania e ndërtimit A.B.BE; Fatmir Firi, kompania Arb &Trans Sh.p.k; Ardian Bejko, kompania “Babeko Trans”; Vasil Korita, kompania “Medi Pharma” ; Vangjush Mbriçe, kompania C.E.C Group dhe Mhill Ndreca, kompania “Kombeas”.

Ka qenë prokurorja Elisabet Imeraj, e cila në fillim të seancës gjyqësore kërkoi arrest me burg për 14 nga 15 biznesmenët e arrestuar. Por pasi biznesmenët kanë dhënë dëshmi në gjyq, prokurorja Imeraj ka kërkuar masë lehtësuese me ‘arret shtëpie’. Kjo gjë ndodhi pasi disa nga biznesmenët kishin probleme shëndetësore. Ndërkohë, gjatë ditës së shtunë është arrestuar dhe një tjetër biznesmenë, i dyshuar si i përfshirë në skemën e rimbursimit të TVSH, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 30 milion euro.

Ja biznesmenët e arrestuar. Policia jep informacion zyrtar

Policia e Shtetit ka dhënë informacion zyrtar në lidhje me arrestimin e 15 biznesmenëve në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit. Me anë të një komunikate për shtyp, Policia e Shtetit njofton zyrtarisht se ka arrestuar 15 administratorë të shoqërive dhe kompanive të ndryshme në kuadër të operacionit “Informaliteti”. Konkretisht personat e arrestuar janë: Shpresa Joanidhi- Kandidate e PD-së për deputete në qarkun e Gjirokastrës, bashkë-ortake te SHPRESA AL; Besnik Pelivani- Administrator i kompanisë së ndërtimit A.B.BE; Astrit Lala- Ortak i kompanisë ‘LEKSI SECURITY ’; Fatmir Firi – Administrator i kompanisë ARB & TRANS 2010; Paqsor Buzi- Pronar dhe administrator i firmës GPG Company; Vangjush Mbirce; Rabi Kurti; Riza Roshi; Haxhi Sala- Pronar i kompanisë ‘LEKSI SECURITY’; Ilia Dimo; Ardian Bejko; Mhill Ndreca; Rrapo Baduni; Albert Ahmeti; Shkëlqim Prodani, ndërsa dy persona të tjerë janë nën hetim në gjendje të lirë.

Ndalimi i këtyre shtetasve është bërë pasi këta persona, sipas policisë, me aktivitete të ndryshme ekonomike si: Ndërtime konstruksion godinash, ndërtime të ndryshme, import, eksport, tregëtim me shumicë e pakicë të mallrave të ndryshme industrial, ushqimore, makineri e pjesë këmbimi, pajisje elektrike, elektronike, hidraulike, lëndë të para, materiale ndërtimi kanë kryer shitje dhe blerje të faturave fiktive në total në vlerën 182.677.020 lekë me TVSH 25.704.243 lekë të reja. Shitjet janë kryer vetëm tek një subjekt tregtar për të cilin nuk jepen të dhënat për arsye hetimi.

Nga analizimi i librave të blerjes rezultoi se shoqëria në total nuk ka kryer asnjë blerje ose importe sipas deklarimeve të subjektit në organin tatimor. Subjekti gjithashtu nuk ka berë asnjë deklarim tjetër në organin tatimor. Në kuadër të këtij proçedimi janë shpallur disa shtetas në kërkim, ku për arsye hetimore nuk jepen të dhëna të tjëra. Materialet proçeduriale ju kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, në ngarkim të shtetasve të mësipërm, për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, si dhe “Fshehje e të ardhurave”.

Skip to toolbar