Lejet mjedisore nga 1 dhjetori 2019 do të jenë online. Sipas ministri të Mjedisit Blendi Klosi kalimi online i lejeve mjedisore do krijojë një sistem kombëtar elektronik, transparent dhe i shpejtë.
“Aplikimi online do të mbyllë një raport të vështirë midis administratës dhe biznesit duke vendosur njëherësh edhe kufizime të qarta të bazuara në legjislacion, për të mos lenë më vend për asnjë diskutim në dëm të mjedisit. Sistemi online do të krijojë gjithashtu një sërë avantazhesh si eliminimi i burokracisë, rritja e transparencës, shkurtimi i procedurave administrative dhe ulja e kostos së aplikimit.” tha Klosi gjatë një takimi të zhvilluar me ekspertë të fushës. Sipas Klosit nga 1 dhjetori 2019 lejet e mjedisit të tipit A dhe B do mund të aplikohen online përmes portalit qeveritar e-Albania por paralelisht do të vijojnë aplikimet edhe përmes metodës së vjetër të dërgimit të shkresave pranë institucionit përkatës. Ky sistem dual do të zgjasë deri më datën 28 shkurt 2020 pasi në datën 1 mars 2020 lejet mjedisore do të lëshohen vetëm përmes platformës online.
Ministri Klosi mbështeti nismën e tij për shkrirjen e inspektoratit të mjedisit si dhe kalimin e kompetencave Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen e Mjedisit, si dhe kërkoi diskutimin për heqjen e lejeve mjedisore të tipit C, kategori që Veliaj kërkon t’i kalojë si kompetencë Bashkisë Tiranë.
Veliaj, prej kohësh kërkon marrjen e të drejtës të inspektoratit mjedisor dhe kompetencat për lëshimin e lejeve të kategorisë C ose leje e thjeshtë mjedisore (leje për ushtrim të aktiviteteve që shkaktojnë ndotje akustike) si furrat e bukës, depot farmaceutike, lavazhet apo dhe mobilieritë që hapen poshtë pallateve. Kryebashkiaku tha gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak se këto leje duhet t’i kalojnë si kompetencë bashkisë për një monitorim më të mirë të situatës dhe për të shmangur abuzimet që bëhen me këto raste.
“Kur them se duhet t’i kalojnë bashkitë, nuk dua t’i marr ndonjë gjë Klosi. Thjeshtë duhet t’i jap qytetit diçka që duhet ta menaxhojë qyteti dhe të shmangen dhëniet e leje abuzive.” tha Veliaj