Vendimi i Metës, PS: Lajthitje antikushtetuese, mendon për pakicën

Menjëherë pas konferencës për shtyp të presidentit Meta, ku ky i fundit doli hapur kundër qeverisë dhe ndërkombëtarëve, ka reaguar kreu i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla dhe deputetja socialiste Blerina Gjylameti.

Balla tha se vendimi i Metës është një lajthitje antikushtetuese që do e marrë përgjigjen të enjten në parlament. “Zoti President ju nuk keni asgjë në dorë lidhur me datën e zgjedhjeve të dekretuar prej Jush. ZGJEDHJET DO Të MBAHEN MË 30 QERSHOR, në respekt të plotë të dekretit të nxjerrë prej Jush në respekt të detyrimit kushtetues që keni. Ndërsa çdekreti Juaj është një lajthitje antikushtetuese, që meriton të gjithë vëmendjen e Parlamentit, të cilën do ta keni të plotë të enjten, ku do të miratojmë edhe Rezolutën përkatëse lidhur me lajthitjen në fjalë.” – shkruan Balla

Ndërsa Gjylameti tha se Meta mendon vetëm për pakicën dhe jo për shumicën e shqiptarëve që duan të votojnë. ‘Ai mendon vetëm për pakicën e shtëpisë, jo për shumicën e shqiptarëve që duan të votojnë dhe të zgjedhin drejtuesit e tyre lokalë në të drejtën e tyre kushtetuese. Mesa duket Presidentit nuk është në terezinë e lartësisë së detyrës që përfaqëson, por më shumë tek interesat e ngushta të një pale… Ndoshta ka ardhur koha që Presidenti të reflektojë! SHBA dhe BE folën qartë, ndërsa shqiptarët dhe Shqipëria e ka bërë zgjedhjen me kohë.”

Skip to toolbar