Miku i Gjiknurit: “U japim 30 ose 40 mijë për votë”

Në përgjimin e 15 të publikuar nga Bild, që i përkasin dosjes 184 të Prokurorisë, shfaqet biseda e Bekim Krashit, një biznesmen dhe një personi të paidentifikuar me numër 0686795208. Në bisedë diskutohet se sa mund të paguajnë për një votë, pasi ai ka dy familje me 5 vota në total. Çmimi për një votë varion nga 30 deri në 40 mijë.

Përgjimet e reja të BILD provojnë:

Bekim Krashi: Alo
0686795208: O Bekim si je a je mirë?
Bekim Krashi: Hë, çfarë ke bërë si ja kalove?
0686795208: Ca ke bërë, si ja kalove?
Bekim Krashi: Hë…
0686795208: Tani doja të thoja për familjen e Halit Bashës
Bekim Krashi: Po
0686795208: Ka tre vota
Bekim Krashi: Po
0686795208: Po ai do diçka mor burri dheut si do ja bëjmë?
Bekim Krashi: A ke komunikuar me Naimin?
0686795208: Po, jam konsultuar pak por, por për zotin nuk e di, edhe për Fiqiri Bashën, ka dy vota dhe i ka dhënë thjeshtë 50 mijë lekë
Bekim Krashi: Sa?
0686795208: 50 mijë lekë, kështu më tha Fiqiriu
Bekim Krashi: Kush Fiqiri?
0686795208: Nuk e di sa e vërtetë është, a është me letra
Bekim Krashi: Hë se letrat do mi japin një më një
0686795208: Po tani si do ja bëjmë, ca mund të bëjmë ndonjë gjo me ta?
Bekim Krashi: Unë tani jam në Peshkopi, po vij nesër t’i jap ndonjë gjo
0686795208: Sa mund të japim për Halit Bashën?
Bekim Krashi: Sa vota ka?
0686795208: Tre vota ka Haliti, edhe dy vota ka Fiqiri Basha
Bekim Krashi: 5
0686795208: Eeee
Bekim Krashi: T’u japim ndonjë 40 mijë lekë, 50 mijë lekë?
0686795208: 50 mijë lekë për dy vota?
Bekim Krashi: Jo mo jo, nga një 40 apo 30 për kokë
0686795208: 40 për votë?
Bekim Krashi: 100 mijë lekshin ia japim atij që ka tre
0686795208: Po, 100 mijë lekë, po atij që ka dy vota?
Bekim Krashi: Atij ti japim 60-70 mijë lekë
0686795208: Naimi i ka thënë 50 më thotë, më thotë ai Fiqiriu, dmth ti japim edhe 20 të tjera plus
Bekim Krashi: Ata e kanë pasur shumë, por nëse i ka dhënë 20 ti japë edhe 20
0686795208: Po shihe se më duket janë duke abuzuar me punë leksh o Bekim
Bekim Krashi: O zotni mos më thuaj më në telefon, më çmende, se përgjohet ooo
0686795208: Hë?
Bekim Krashi: Lëri këto diskutime me mua në telefon
0686795208: T’kuptoj, t’kuptoj, shihi vetë tani
Bekim Krashi: Faleminderit , mirupafshim

Zaloshnja: E vërteta e “blerjes” së votave. PS u tkurr, por LSI u shtua me herë

Eduard Zaloshnja

Në thelb të kursit bojkotues të PD-së është pretendimi i saj se PS-ja i bleu votat e saj në zgjedhjet e fundit, kështu që nuk ia vlen të garosh me të, për sa kohë strategu i blerjes vazhdon të jetë kryeministër.

Në fakt, blerja e votave nuk është një fenomen i panjohur në Shqipërinë e tre dekadave të fundit. Dhe indiciet për këtë fenomen janë edhe shkencore.

Pyetje e bërë në një sondazh në vjeshtën e vitit 2017: A ju janë ofruar NDONJËHERË pará apo ndonjë favor, në shkëmbim të votës tuaj në zgjedhje? Kësaj pyetje i janë përgjigjur pozitivisht 20.6% e të anketuarve shqiptarë. Vetëm malazezët kanë një kuotë më të lartë në Ballkan 22.5% (shihni grafikun shoqërues).

Sondazhi i mësipërm u bë në kuadër të një studimi të kryer prej Institutit për Demokraci “Shoqëria Civile”, Shkup, si pjesë e Projektit HORIZON 2012, të financuar nga BE. Projekti HORIZON 2012 zbatohet nga një konsorcium ndërkombëtar i drejtuar nga Shkolla për Studime Sllave dhe Europiano-Lindore pranë Kolegjit Universitar Londër. Ndërsa anketimin në terren në Shqipëri e ka kryer Qendra e Kërkimeve Historike dhe Antropologjike.

Meqënëse në Shqipëri banonin rreth 2.15 milionë zgjedhës në 2017-ën (nga mbi 3.4 milionë që ishin gjithsej në listat e zgjedhësve), mund të ekstrapolohet se rreth 435 mijë zgjedhësve me banim në Shqipëri u janë ofruar pará apo ndonjë favor (në shkëmbim të votës), të paktën në një nga zgjedhjet që ata kanë marrë pjesë në tre dekadat e fundit.

Por ç’ndodhi në zgjedhjet e 2017-ës?

Sipas përgjimeve të publikuara në mediat vendase (madje edhe të huaja, si p.sh. Voice of America, Deutsche Welle, etj.), në qarqet Durrës e Kukës mund të ketë pasur blerje votash. Por sa mund të kenë ndikuar ato në rezultatin përfundimtar?

Në qarkun Kukës, PS-ja nuk arriti të dilte parti e parë, edhe pse iu afrua fare pranë kësaj surprise të jashtëzakonshme. Si rezultat, PD-ja mori 2 mandate dhe PS-ja 1 mandat (sipas parashikimeveve). Ndërsa në qarkun Durrës, ndodhi surpriza e jashtëzakonshme – PD-ja mbeti me vetëm 4 mandate (gjë që s’kishte ndodhur më parë). Mandati që mori papritmas PS-ja në Durrës e çoi atë nga 73 mandate, në 74 gjithsej.

PD-ja e humbi mandatin e saj të pestë në Durrës për vetëm 2 mijë e ca vota. Le të supozojmë për një çast se PD-ja i mori ato vota (pra PS-ja mori vetëm 73 mandate gjithsej), dhe të analizojmë në rang vendi pse PD-ja mori aq pak mandate.

PS-ja, PSD-ja dhe partitë e vogla të majta (pa LSI-në) pësuan tkurrje të numrit të votave në 2017-ën, krahasuar me 2013-ën – nga 815 mijë vota që morën në 2013-ën, zbritën në 780 mijë vota.

Edhe PD-ja, PR-ja dhe partitë e vogla të djathta (pa PDIU-në) pësuan tkurrje – nga 635 mijë vota në 2013-ën, zbritën në 460 mijë vota.

Tkurrja e votave të dy kampeve të mëdha mund të shpjegohet pjesërisht me rënien e numrit të pjesëmarrësve në zgjedhje – nga 1.72 milionë vota të vlefshme në 2013-ën, zbritën në 1.59 milionë.

Por ndërsa pjesëmarrja u tkurr (e për pasojë, u tkurrën dhe dy kampet e mëdha), dy parti u rritën ndjeshëm. PDIU-ja pothuaj i dyfishoi votat e saj – nga 45 mijë vota në 2013-ën, u ngjit në kuotën e  75 mijë votave. Ndërsa LSI-ja pati një rritje prej 45 mijë votash – nga 180 mijë vota në 2013-ën, u ngjit në kuotën e 225 mijë votave.

Këto shifra janë përmbledhur në figurën shoqëruese, e cila ilustron grafikisht se ku ikën votat e PD-së…

Rama problemin e ka me LSI, jo PD

Gjatë fjalës së tij në foltoren e parlamentit, Rama foli edhe për akuzat e opozitës për blerjen e votave duke i vënë gishtin LSI-së si fajtore të këtij procesi.

Nëse LSI do të shkoj në shtëpi dhe do të rrijë një “turn” pushim nuk do të ketë blerje votash në zgjedhje dhe Shqipëria do të shpëtojë tha Rama.

“Kanë dalë në rrugë dhe thonë ju blini vota. Ndërkohë ne në 2017, një problem kishim, si të ruanim votat se do na i blejë fallxhorja. Kur është fol për blerje votash, nuk kemi pasur problem PD, por kemi pasur problem simotrën tonë, LSI. Tani del daja Titi dhe këndon këngën të shpëtojmë Shqipërinë nga ata që na blejnë votat, po shpëtojeni pra, gjysmën e punës e keni bërë, keni dalë në rrugë tani nga rruga shkoni në shtëpi dhe Shqipëria ka shpëtuar. Mjafton kaq! Bëheni provë, të rrijë LSI një turn pushim dhe mos hyjë në zgjedhje nuk ka blerje votash, nuk ka shitje votash, se nuk ka kujt t’ia shesësh, nuk ka kujt t’ia blesh. Behni pra! DO shpëtojmë Shqipërinë nga blerja e votave.” – tha Rama

Skip to toolbar