Ish-futbollistët e kombëtares vizitojnë zonat e prekura nga tërmeti

Futbollistët e “brezit të artë” të kombëtares shqiptare, pak orë pas ndeshjes miqësore për bamirësi, zhvilluan një vizitë në zonat e prekura nga tërmeti. Ish-futbollistët e ekipit kombëtar si: Besnik Hasi, Ervin Skela, Klodian Duro, Nevil Dede, Erion Bogdani, apo dhe ish-trajneri i ekipit kombëtar Gianni De Biasi u ndalën në Bubq, një nga zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ish-mesfushori i kombëtares Ervin Skela u shpreh i hidhëruar për tragjedinë që goditi Shqipërinë. Sipas tij, ajo që pa nga afër në terren ishte më keq nga çfarë kishte parë në televizor. “Më bëhet mishi kokrra kokrra kur shikoj këpucë fëmijësh këtu…. këtë gjendje. Zoti u dhëntë forcë, është më rëndë nga ajo që kemi parë në televizor”, u shpreh Skela për mediat.

Futbollistët e brezit të artë të Shqipërisë do të luajnë mbrëmjen e të premtes në një ndeshje bamirësie, përballë brezit të artë të kombëtares së Italisë, Greqisë dhe Turqisë. Të ardhurat e mbledhura nga biletat në stadium do të shkojnë në fondin e rindërtimit për të prekurit nga tërmeti.

Skip to toolbar