Mëngjesi i kësaj të hëne ka nisur me një protestë në qytetin e Korçës, ku tregatërt e në tregun agro-ushqimor kanë bllokuar unazën e qytetit. Shkak sipas tregtarëve është bërë fakti, që sipas tyre, policia bashkiake nuk i ka lejuar të tregtojnë mallrat.
Në fakt, autoritetet kanë ndaluar shitjen e produkteve nga tregtarët të cilët ende nuk janë pajisur me NIPT fermeri, por vetëm me NIPT tregtari, çka do të thotë se mund të shesin mallin vetëm në pikat e tregtimit me shumicë.
Nga ana tjetër, tregtarët pretendojnë se ata kanë 20 vjet që shesin produktet e tyre në treg, ndërsa këtë fillim jave janë bllokuar nga bashkia.
Disa prej tregtarëve kanë hedhur në tokë produktet e tyre bujqësore në shenjë proteste, ndërsa gjatë saj janë dëgjuar dhe thirrjet “Ram ik”. Për shkak të bllokimit të unazës, në qytetin e Korçës ka pasur kaos në qarkullimin e mjeteve, ndërsa ka ndërhyrë policia për të normalizuar situatën.