Bombat molotov në protestë, kimistët: Tepër të rrezikshme

Protesta e dhunshme e opozitës e 11 majit u shoqërua me hedhjen e disa bombave molotov në drejtim të Kryeministrisë dhe Kuvendit. Të gjithë panë përmes transmetimeve direkte në media se si zjarri u përhap me shpejtësi që në disa raste rrezikoi edhe jetën e policisë që ndodheshin aty për të ruajtur këtë institucionin.

Mirëpo sa të rrezikshme janë këto bomba artizanale? Në një intervistë për Top Channel, Ylli Bërdufi, kimist ushtarak, ka treguar se ato janë mjaft të rrezikshme për jetën njerëzore, pasi temperatura e tyre arrin deri në 1000 gradë dhe djegia e njeriut është e menjëhershme.

“Në shishe qelqi të mbushur me benzinë, me një ndezës të jashtëm. Mund të jetë një ndezës i përgatitur industrialisht, apo qoftë edhe një copë leckë e lidhur pas saj dhe e lyer me benzinë, që e mban flakën të ndezur deri në momentin që shishja shkon e përplaset në objekt. Temperatura e djegies në të dyja është rreth 1.000 gradë, shumë e lartë. Qoftë kur është e holluar, benzinë normale, qoftë kur është e mpiksur me kimikate të ndryshme, ose me lëndë të tjera që i shtohen. Mermeri nuk digjet, nëse mund të jetë djegur është djegur lënda drusore. Po të ketë pemë i than dhe i djeg. Por, rreziku më i madh është kur bie mbi trupin e njeriut, sepse e ka temperaturën shumë të lartë dhe djegia është e menjëhershme sidomos kur është benzinë e pa mpiksur. Kjo nuk i jep kohë të prekurit që të bëjë shuarjen e saj. Ai që do t’i japë ndihmën dikujt të prekur, duhet të jetë shumë e shpejtë. Shuarja e lëndës djegëse që përdoret për bombat molotov bëhet thjesht duke e izoluar me një rrobe, batanije apo xhaketë të dikujt tjetër. Mjafton që lënda djegëse të mos marrë ajër.” – tha Ylli Bërdufi

Bombat molotov janë përdorur gjatë luftës civile në Spanjë në vitet 1930, fillimisht për qëllime luftarake kundër mjeteve të blinduara dhe objekteve të fortifikuara.

Skip to toolbar