Zyra e OSBE-së në Tiranë, mbajti një konferncë të martën, ku u diskutua lidhur me pjesëmarrjen më të madhe të grave, pakicave kombëtare dhe personave me aftësi të kufizuar në proceset zgjedhore. Gjatë fjalës së tij, Ambasadori i OSBE-së Bernd Borchardt, riktheksoi dhe njëherë rëndësinë për futjen e rekomandimeve të OSBE në draftin për reformën zgjedhore. Borchardt foli së pari për shitblerjen e votës, duke treguar rekomandimin e OSBE. Ai tha se “ne kemi rekomanduar një fushatë ndërgjegjësimi qytetar përpara zgjedhjeve, ndjekjen penale të shkelësve të ligjit, një zotim të sinqertë të partive politike për të luftuar shitblerjen e votës, si edhe që politikanët të refuzojnë publikisht mbështetjen financiare nga individët me të shkuar kriminale”.
Më tej, Borchardt tha se duhet të mos ushtrohet asnjëfarë presioni ndaj zgjedhësve për të marrë pjesë në fushatë apo për të votuar një subjekt caktuar politik. Kreu i Zyrës së OSBE në Tiranë foli edhe për disa rekomandime të tjera, duke përmendur presionin mbi administratën publike, abuzimet me burimet shtetërore apo reformimin e ligjit “Për partitë politike”, për të siguruar transparencën financiare të tyre. Një pikë, ku Borchard u ndal, ishte propozimi i opozitës për krijimin e mekanizmave për të prerë lidhjet e krimit dhe politikës.
“Një aspekt tjetër, i sugjeruar nga Opozita e Bashkuar, është krijimi i mekanizmave të efektshëm për të prerë lidhjet mes krimit dhe politikës. Në fund të vitit 2018, pati një projektligj për këtë. Komisioni i Venecias e quajti jopërpjestimor. Por Komisioni theksoi, njëkohësisht, përligjjen për të diskutuar një ligj të tillë. Unë do të sugjeroja një diskutim të plotë për mënyrat e kufizimit të ndikimit të shkelësve të ligjit në jetën politike të rangut të lartë. Gjatë procesit të vetingut në drejtësi, justifikimi i pasurisë ka luajtur një rol mbizotërues”, tha Borchardt.
Më tej, kreu i OSBE në Tiranë tha se, lidhur me këtë proces, “institucionet e zbatimit të ligjit duhet të hetojnë katërçipërisht të gjitha pretendimet për shkelje zgjedhore. Ne besojmë se reforma në drejtësi është pjesë e rrugës në këtë drejtim. Prokurorët duhet të jenë të gatshëm të shqyrtojnë akuzat për krime zgjedhore. Kjo do të sillte një ndikim frenues”. Ndërkohë, lidhur me barazinë gjinore në lista, Borchardt tha se po diskutohet varianti që 1 në çdo 3 emra në listën e kandidatëve të jetë femër. Gjithashtu, nëse ky kusht nuk plotësohet nga partitë, po diskutohet varianti që në Kodin e ardhshëm Zgjedhor, KQZ të mos pranojë regjistrimin e listës nëse 1 në 3 kandidatë nuk është femër.
Pika e fundit, që përmendi gjatë fjalës së tij Borchardt, ishte ajo për ndryshimet që kanë të bëjnë me sektorin e medias. Sipas tij, “një nga rekomandimet është që të ashtuquajturat ‘kaseta’ të përgatitura nga partitë duhet të kufizohen dhe të etiketohen qartë. Një rekomandim tjetër është ai për dekriminalizimin e shpifjes, pra heqjen e saj nga kodi penal. Po ashtu, përqendrimi i pronësisë në media, në sektorin e transmetimeve, duhet të kufizohet. Ky është njëri ndër rekomandimet e papërmbushura. Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias ka rekomanduar që projektligji për shpifjen ka nevojë për përmirësime të mëtejshme”, shtoi ambasadori i OSBE në Tiranë. Të gjitha rekomandimet janë diskutuar dhe do të diskutohen në tryezën e Këshillit Politik deri në hartimin e draftit final.