Bubqi, Basha, Braçe: Hajde brenda se nuk të hamë

Rastësia ka bërë bashkë në fshatin Bubq kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe zëvendëskryeministrin Erion Braçe. Ato kanë qenë për vizitë tek familjet e prekura nga tërmeti, shumë pranë njëri-tjetrit, por nuk janë takuar apo përshëndetur mes tyre. Këtë e bëri të ditur vetë zëvendëskryeministri Braçe, i cili me një postim në Instagram, i bëri thirrje Bashës të vijë e të takojë banorët se “nuk e hanë”  dhe takimin të mos e quante bashkëpunim me qeverinw, por thjeshtë informim me qytetarët.

“Po hajde brenda ooo njeri, hajde! Nuk të ha e nuk të hamë. Nuk të quhet as bashkëpunim, thjesht komunikim, informim! Të hysh te dera e të kthehesh nga rruga për kaq, në këtë situatë, nuk bën!

Tani sa për ta ditur, Në Bubq, çdo familje që ka shtëpinë të goditur rëndë dhe të pabanueshme, ka marrë paketën e plotë të ndihmës, nga çadra tek ushqimet. Po çojmë dhe ilaçet te të sëmurët kronikë. Ndërkohë, grupet e eksperteve po bëjnë verifikimet shtëpi më shtëpi dhe kanë mbyllur tre fshatra të mëdhenj deri tani. Shpresoj të të vlejë!”, shkruan Braçe.

Edhe vetë kreu i PD-së, Basha ka postuar në facebook takimin që zhvilloi me disa nga banorët e Bubqit duke falenderuar të gjithë të rinjtë dhe vullnetarët që po ndihmojnë njerëzit e prekur nga tërmeti.

Mirënjohje e thellë për të rinjtë dhe të rejat që prej ditësh po ndihmojnë banorët e Bubqit. Ata kanë ngritur një kuzhinë dhe gatuajnë drekë dhe darkë për banorët e dëmtuar nga tërmeti dhe një sistem shpërndarje bashkë me veshje dhe ilaçe për familjet në këtë zonë. Mirënjohje nga zemra për të gjithë ata që kontribuojnë sipas mundësive që së bashku si një familje e madhe duke ndihmuar njëri-tjetrin të lehtësojmë vuajtjet dhe dhimbjen e njerëzve në emergjencë” , shkruan Basha.

“Rrezik shtesat në pallatet e vjetra dhe garazhet ku janë sharruar kolonat”

Zëvendës kryeministri Erion Braçe drejtoi të mërkurën mbledhjen e 7 të jashtëzakonshme të qeverisë, në mungesë të kryeministri Rama, i cili ndodhet në Londër ku po merr pjesë në Samitin e NATO-s. Braçe vuri theksin në domosdoshmërinë e kontrollit të pallateve të vjetra me shtesa, duke thënë se këto shtesa përbëjnë rrezik në pallatet e para viteve ’90. Zëvendës kryeministri gjithashtu pasqyroi dhe shqetësimin e disa qytetarëve për disa pallate ku janë sharruar kolonat në garazhe.

“Në Tiranë unë personalisht kam marrë një seri shqetësimesh që janë në pallate të reja, shqetësime me atë që nuk duken, kryesisht me garazhe, ku janë lëvizur dhe sharruar kolona për t’u hapur vende për t’u strehuar. Janë raste sporadike, por ne duhet t’u përgjigjemi së bashku me ata që janë përgjegjës, pra me ndërtuesit. Puna duhet të përfshijë ata që kanë leje. Nuk kanë përmasën e Durrësit as në sasi, por as në përmasën e dëmit. Duhet t’u japim garanci njerëzve.

Çdo të bëhet me shtesat me leje apo pa leje mbi pallatet para viteve 1990? Për mendimin tim sa kam parë, ata që janë bërë me leje sipas ekspertëve rrezikojnë strukturën e pallatit që sot është në rregull, por rrezikon më tutje, ata zyrtarë që kanë këto gjëra duhet të mbajnë përgjegjësi. Atje ku janë pa leje po prapë të mbajnë ata që i kanë bërë. Duhet marrë një vendim teknik se çfarë do të bëhet me shtesat mbi lejet e ndërtimit që rrezikojnë pallatet. Gjatë fazës së kontrollit duhet të kemi parasysh edhe këtë fakt”, tha Braçe.

Ndërkohë ministri Bledi Çuçi bëri një bilanc të personave që janë strehuar deri tani dhe dëmeve në godina.

“Strehimi ka shkuar 12 mijë persona që janë akomoduar në hotele, çadra, qendra sociale, palestra, etj. 4 mijë persona janë në hotele, 254 në palestra, 6.5 mijë në çadra, 395 në qendra sociale, 769 në Kosovë dhe 436 në akomodime të tjera. Për sa i takon dëmeve, në 26 shkolla me 10300 nxënës janë me dëme, 15 në Durrës, 2 në Lezhë dhe 9 në Tiranë. Nga objektet 656 janë inspektuar në Durrës, 242 të pabanueshme, 27 për t’u prishur. Në qarkun Tiranë javën 525 pallate të dëmtuara dhe 3921 banesa dhe 146 biznese.

Në Lezhë 400 banesa të dëmtuara, 138 me dëme të mesme, 53 pallate të dëmtuara rëndë, 13 institucione me dëme të rënda dhe 3 të mesme. Sot përfundon strehimi për të gjitha familjet e prekura me viktima. U bëj thirrje për pak durim banorëve, asnjë banesë nuk do të mbetet pa verifikim. Prioritet tjetër është hartimi i listës së ndërtuesve me dëme, dje 12 pronarë shprehën gatishmëri për rindërtimin e pallateve që nuk kanë marrë goditje në strukturë.

Sot do të fillojmë me lejet përkatëse që të fillojnë menjëherë. Duhet një udhëzim për bashkitë e prekura për trajtim të bonuesve të qirasë deri kur të përfundojë akomodimi. 20 objekte të shembura deri tani në bazë të procedurave, nga akti i konstatimit te dosja procedurale, para ndërhyrjes së shembjes me fiksimin e vendit të ngjarjes dhe marrjes së provave, 8 në Thumanë dhe 12 në Durrës. Donacionet janë gjithmonë në rritje”, tha Çuçi.

Braçe gjithashtu kërkoi më shumë vëmendje për zonat rurale. “E gjithë vëmendja të përqendrohet te zonat rurale për shkak edhe të motit dhe nisjes së dëborës. Të dërgohen çadra dimërore. Banorët e Krujës dhe Vorës të akomodohen në Tiranë për strehim në banesat me qira. Për vlerësimin e dëmeve, është bërë një punë shumë e mirë deri tani, ekspertët kanë dhënë siguri për një pjesë të madhe.

Lezha dhe Laçi të kthehen në prioritet, për shkak të panikut atje, por edhe se çfarë duhet të bëhet me ata njerëz, por edhe për t’i vënë limit abuzimit. Zona rurale ka mbetur pak më mbrapa për vlerësimin e dëmeve. Ka njerëz që i kanë shtëpitë me plasaritje të lehta, por nuk hyjnë për shkak të frikës”, tha Braçe.

Qeveria lehtëson lejet për shtëpitë e dëmtuara

Në mesin e javës së ardhshme qeveria pritet të miratojë një VKM, e cila do të lehtësojë procedurat për dhënien e lejeve të ndërtimit, për banorët që janë prekur nga tërmeti. Lajmin e ka bërë të ditur zëvendëskryeministri Erion Braçe, i cili gjatë një inspektimi të dëmeve të tërmetit në terren me kryebashkiakun e Tiranës, u shpreh se do të propozojë lehtësimin e procedurave ligjore për lejet e ndërtimit dhe shmangien e taksave për të gjithë banorët që do tu duhet të rindërtojne apo rikonstruktojnë banesat e tyre.

 “Jam dakord me atë që propozoi kryetari. Besoj se qeveria brenda kësaj jave duhet, pa më të voglin diskutim, të heqë barrierat për lejet e ndërtimit për të gjitha shtëpitë që kanë pësuar dëme dhe ku vetë njerëzit duan t’i ndërtojnë. Kam parasysh jo vetëm burokracinë, letrat e me radhë, por edhe çlirimin nga taksat e infrastrukturës apo tarifat e lejes së ndërtimit, me qëllim që kjo lloj barre dhe kjo barrierë, që shpesh i ka vonuar njerëzit, të ezaurohet sa më shpejt të jetë e mundur. Pa diskutim që do të duhet të ndërtojmë struktura që i rezistojnë kohës dhe fatkeqësive të tilla natyrore, si tërmetet. E kemi gjithë mundësinë tani që të ndërtojmë struktura me beton, brenda kushteve sizmike”, u shpreh Braçe.

U plagos në Fier, Zhapaj niset me urgjencë në Tiranë

Aleksandër Zhapaj, një nga të plagosurit e dy ditëve më parë në Fier, është trasnprotuar  këtë të hënë drejt Tiranës, për ndihmë mjekësore më të specializuar. Zhapaj, që mbeti i plagosur me armë zjarri të shtunën në Fier, është transportuar me ambulancë drejt Tiranës, ndërsa është shoqëruar nga forca të shumta të policisë.

Aleksandër Zhapaj u plagos me armë zjarri, pas një konflikti me disa persona të tjerë. Autori i dyshuar i kësaj ngjarje, D.Braçe, i mori pistoletën një punonjësi të policisë, duke plagosur rëndë dy persona në ambientet e urgjencës së spitalit në Fier. Veç Aleksandër Zhapës, u plagos dhe djali i tij, Gentian Zhapa, i cili në fak u përfshi më herët në konflikt me autorin e plagosjes.

Ngjarja nisi fillimisht në një lokal në Levan, ky u konfliktuan dy grupe, dhe përfundoi me plagosjen me armë në spitalin e Fierit. Policia ka arrestuar disa persona për këtë ngjarje, ndërsa dosja hetimore i ka kaluar Krimeve të Rënda.

Lanë të lirë “bosët” e transportit publik, Braçe; Gjyqtarët do përballen me Vettingun

Lënia në arrest shtëpie apo detyrim paraqitje për pronarët dhe administratorët e transporti publik të përfshirë në skandalin e skemës së evazionit fiskal me biletat e autobusit fals, dhe lënia në burg e dy prej punëtorëve të këtyre kompanive, ka sjell reagimin e fortë të zëvendëskryeministrit, Erion Braçe.

Braçe e cilëson këtë vendim si pjesë e sistemit të kalbur dhe drejtësisë së vjetër, që shumë shpejt do të përballen me vettingun dhe do të marrin përgjigjen që meritojnë.

“Kjo është drejtësia e vjetër që kemi dhe produkti i kësaj drejtësie, pronarët e administratorët në shtëpi, punëtorët e tyre në burg. Por radha vjen shpejt në vetting. Me këta ka punë Vettingu.” shkruan Braçe, i cili sqaron se pronarët e liruar, që i shkaktuan shtetit një dëm prej 1 miliardë lekë, i kanë të gjitha faktet dhe provat të dokumentuara me zë dhe figurë, kështu që e kanë të kotë të djegin provat.

E keni kot, kot i digjni letrat, jemi një hap para jush, kemi çdo gjë në letër, zë e figurë! Mos u zhysni edhe më në krim, do ju kushtoj shumë më shtrenjtë! Rruga e drejte, e ligjshme dhe korrekte në pagimin e tatimeve e taksave, ju kushton shumë më lirë!

Braçe falënderon çdo inspektor, polic dhe prokuror që hetoi këtë çështje dhe bëri një punë profesionale, pavarësisht se ndihet i tradhtuar për shkak të vendimit të gjykatës, “por kjo nuk do të zgjas shumë, bëni durim”.

Ditën e premte Gjykata e Tiranës vendosi masën arrest me burg për dy prej punëtorëve të kompanive të transporti publik dhe la të lirë pronarët dhe administratorët duke u dhënë masën “detyrim paraqitje” apo “arrest shtëpie”.

Hapën lokalet e bllokuara, Braçe u shpall “luftë” 3 gjyqtarëve

Vendimet e gjykatave për hapjen e aktiviteteve duke rrëzuar urdhrin e qeverisë për bllokim të tyre gjatë aksioni kundër informalitetit, ka sjell reagimin e ashpër të zëvendëskryeministrit Erjon Braçe. Ai tha për mediat se të gjitha ato gjyqtarë që kanë vendosur në kundërshtim me urdhrin e qeverisë, konkretisht emrat e tre gjyqtareve në Tiranë, Vlorë e Gjirokastër, i janë dërguar   Ministres se Drejtësisë, KLGJ dhe organeve të vetingut, për të hetuar mbi ta për paligjshmëri dhe vendime të njëanshme.

I jam drejtuar me dosje të posaçme ministres së drejtësisë, KLGJ dhe OMN, KPK, për tre gjyqtarë, një prej gjyqtarëve të Tiranës, në gjykatën administrative, për një çështje që ka marrë në shqyrtim e ka vendosur në kundërshtim me vendimin e marre nga qeveria. Gjykatës të Vlorës që kanë vendosur brenda një minute dhe natyrisht jashtë kompetencës së tij lëndore dhe një gjykatës të Gjirokastrës që siç jeni edhe në dijeni ka liruar nga bllokimi 7 ton ushqime të bllokuara nga AKU që ishin jashtë afatit të skadencës që ishin me muaj e me vite. Këto institucione të kenë në vëmendje veprimtarinë e këtyre gjyqtarëve që këto çështja të jenë pjesë e diskutimit”, tha Brace.

Braçe foli edhe për vijimin e aksionit ndaj informalitetit, ku tashmë në fokus në fushën e hidrokarbureve nuk do jenë vetëm prodhuesit e mëdhenj por edhe konsumatorët që në kompanitë e tyre kanë depozita nafte përtej kapaciteteve dhe të palicencuara. Zëvendëskryeministri Braçe u dha kohë kompanive që të nisin certifikimin e tyre deri në fund të shatorit, pasi ligji nuk do të bëj asnjë sy qorr përballë paligjshmërive. “Jemi fokusuar në tregun e karburanteve, jemi ndalur te importuesit e mëdhenj. Jemi ndalur te prodhuesit e mëdhenj të karburanteve. Tani do ndalemi te konsumatorët e mëdhenj të karburanteve në vend. Janë ata që zënë gati 40-45% të konsumit të karburanteve në Shqipëri. Iu bëj thirrje konsumatorëve të mëdhenj dhe që kanë depozita në ambientet e kompanive të tyre dhe që i përdorin për furnizimin e mjeteve të tyre. Që nga sot deri në fund të shtatorit secili prej tyre ka kohë t’i drejtohet organeve shtetërore, për të certifikuar kapacitetet e depozitave të tyre sa më parë të jetë e mundur, më qëllim që të kemi informacion për kapacitetet e tyre.” tha Braçe.

Tatimet bllokojnë 22 kompani të mëdha. Braçe: Asnjë telefon s’ju ndihmon dot

Qeveria dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kanë mbyllur gjatë 10 ditëve të aksionit kundër informalitetit 22 kompani të mëdha për mos lëshim të kuponit dhe për shkelje të tjera ligjore.

Zv.kryeministri Erion Braçe në një inspektim që zhvilloi të shtunën bëri të ditur se këta kompani janë bllokuar pasi gjatë kontrolleve u janë gjetur shkelje me diferenca të mëdha.

Sipas Braçes, ata janë bllokuar, ndonëse disa prej administratorëve kanë tentuar t’i shmangen bllokimit duke përdorur njohjet me miqtë në politikë dhe drejtësi.

“Në tregun e karburanteve vazhdon të gëlojë paligjshmëria në aspektin fiskal, është bërë e gjerë deri në kufijtë e një krimi. Administrata tatimore ka zbuluar shkelje të rënda me skema kriminale të kalimit dhe operimit me kasat, ndaluar me ligj.

Ka zbuluar diferenca të thella mes litrave në pompa të shitura dhe litrave të regjistruara në kasat fiskale, diferenca që dëshmojnë evazion fiskal.

Diferenca mijëra ton nga vjeshta 2017 deri sot. Diferenca në litra do i nënshtrohet detyrimeve fiskale deri në qindarkën e fundit.

Të gjithë të përfshirët në këtë veprimtari kriminale, administratorë të kompanive të karburanteve, të kasave fiskale, miqve dhe shokëve në politike do t’i jepen drejtësisë, pavarësisht emrit të kompanisë, miqve dhe shokëve në politikë, drejtësi dhe jo vetëm.

10 ditët drejtoria e tatimpaguesve të mëdhenj ka bllokuar aktivitete 22 kompani të mëdha. Disa kanë shlyer detyrimet dhe llogaritë e tyre janë zhbllokuara.

Prej tyre kanë rënë telefona e deputetëve, kryetarë bashkish, edhe disa ministrave. Harxhojnë kohën kot, nuk do t’i paguajë askush, asnjë telefon nuk ju ndihmon dot nga pagesa e detyrimeve”, tha Braçe për mediat.

Qeveria dhe drejtoria e tatimeve do të vazhdojë aksionin e informalitetit edhe gjatë ditëve në vijim dhe do të përqëndrohen kryesisht në kontrollin e pikave të karburanteve. Më herët gjatë ditës prokuroria ka shpallur në kërkim pronarin e Gega Oil për evazion fiskal dhe pastrim parash.

LISTA E BIZNESEVE TË BLLOKUARA

Alba Shoes Group-Blerta Doka

Vind- Blerta Doka

European Education Initiation- Eris Rezhda

Fushë-Krujë Cement Factory- Eris Rezhda

Junik-Eris Rezhda

Elbasan Cement Factory- Eris Rezhda

Tosk Energji – Irsa Domnori

Byllis Energji – Irsa Domnori

Birra Tirana – Irsa Domnori

Rametal – Johana Papa

Fin Pek Petroleum- Johana Papa

Shega-Trans – Rajmonda Vllahu

“Mito By Caterina Firenze”- Rajmonda Vllahu

Acquario Sali Peshku – Rajmonda Vllahu

Donianna- Rajmonda Vllahu

Eurokos Holding SH.P.K- Ramiz Çiku

Rajfi Group – Ramiz Çiku

Boshnjaku B. – Vasilika Xhamo

Shoqëri e Thjeshtë Copri – Vasilika Xhamo

Vega – Vasilika Xhamo

Arifaj – Vasilika Xhamo

Kompania Erjoni

Braçe: Më 30 qershor, një proces i qartë dhe i qetë zgjedhor

Pavarësisht situatës që sot duket shumë e nxehtë për shkak të sulmeve të organizuar të militanëve të PD-së ndaj KZAZ-ve, zëvendës kryeministri Erion Braçe garanton se më 30 qershor jo vetëm që do të ketë zgjedhje, por këto do të jenë edhe të qeta.

Ai tha të enjten para gazetarëve se të gjithë ata që kanë sulmuar dhe do sulmojnë zgjedhjet do të trajtohen në bazë të Kodit Penal, ndërsa garantoi se mjetet e dëmtuara zgjedhore janë lehtësisht të rikuperueshme.

“Kemi dy gjëra, së pari nuk ka përplasje, por sulme mbi institucionet zgjedhore dhe publike, mbi policinë e shtetit që është në krye të detyrës sipas ligjit. Grupe kriminale të nëpunësve të bashkive të cilat kanë përdorur mjete të dhunshme për të penguar procesin elektoral. Jam djegur materialet zgjedhore, por që janë të rikuperueshme lehtësisht për votimin.

Materialet thelbësore nuk janë cënuar. Të gjithë këta që kanë sulmuar do të trajtohen sipas Kodit Penal dhe do të marrin atë që u takon. Në 30 qershor do të ketë një proces të qartë dhe qetë zgjedhor, atje ku do të pamundësohet do të trajtohet në përputhje me ligjin. Pavarësisht angazhimit të çdo ofiqari apo mandatari për të shfuqizuar të drejtën e qytetarëve për të votuar” tha ai, referuar dekretit të Metës.

Zëvendës kryeministri komentoi edhe përgjimet e publikuara nga Bild ku shfaqen ministra dhe deputetë të PS-së, dhe tha se blerje votash nuk ka pasur, ndërsa kërkoi që hetimet të shkojnë deri në fund dhe nëse faktohet fajtorë të dalin para ligjit individualisht.

“Përgjimet i kam lexuar, dhe shefi i komisariatit nuk thotë se kam bërë vota për PS-në, por se ka ruajtur rendin nga një bandë e qartë politike dhe partiake dhe që ka dhunuar përfaqësues të PS-së me pistoletë në dorë. Madje nuk iu bind urdhrave të policisë dhe goditi makinën e policisë. Prokuroria duhet të vërtetojë autenticitetin.

Pjerin Ndreu nuk thotë cilido mësues. Ai nuk thotë se mësuesit nëse nuk votojnë për PS-në duhet të largohen, ai i referohet drejtorit të një shkolle, që nuk janë të ndaluar që të merren me aktivitet politik. Një socialist i kërkoi një socialisti…. Ndreu i ka identifikuar dy personat, atë që ka folur dhe atë që ka përdorur atë lloj shprehje. Nuk bëhet fjalë për të gjithë mësuesit e Dibrës, por dy persona që janë brenda PS-së.

Prokuroria duhet të provojë që ato para janë provuar apo kanë blerë vota, apo kanë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, të mbajnë përgjegjësi. Nëse identifikohen rastet e blerjes së votave, krimi është individual dhe duhet të ishte hetuar në kushtet e flagrancës dhe prokurori politik duhet të mbajë përgjegjësi. Për palën tjetër që rrahu, bleu vota nuk është bërë asnjë veprim.

Në rast se ka fakte prova dhe provohet secili individualisht. Kush ka folur për shit-blerje votash. Në asnjë prej përgjimeve të publikuara për Durrësin apo Dibrën, në gojën e Dakos apo të tjerë socialistë, përfshirë Gjiknurin apo të tjerë nuk flitet për para për të këmbyer…Qoftë Gjiknuri apo Dako nuk është gjetur që të ketë komunikuar për çështje parash, për secilin prokuroria duhet të hetojë nga i pari tek i fundit, përfshirë edhe këta të dy”, tha Braçe.

Basha nuk paraqitet në prokurori, Braçe: Prandaj bëhet gjithë kjo zallamahi

Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka reaguar të hënën pas vendimit të Lulzim Bashës për të mos u paraqitur në prokurori sipas fletë-thirrjes së ardhur disa ditë më parë, për t’u njohur me akuzën për pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh.

Në një postim në instagram, Erion Braçe shkruan se e gjithë kjo zallamahi, duke iu referuar krizës në vend, bëhet pikërisht për këtë arsye, që të mbahet në këmbë ky sistem pabarazie në drejtësi.

Imagjinoni, shkruan Braçe sikur një tjetër person i hetuar si keqbërës, të refuzojë prokurorinë.

 “I njejti film, e njejta histori; nuk dua te hetohem! Nuk dua te gjykohem! Personazhi: LYLZIM BASHA! Me tregoni faktet pastaj vi-thote.

Kjo eshte DREJTESIA E PABARABARTE! Ku dhe per ke tjeter ndodh kjo? Imagjinoni nje te dyshuar, hetuar si KEQBERES qe thote: Nuk dua te vij ne Prokurori, me jepni faktet njehere, pastaj flasim!

Nje tjeter, te ndryshem nga Lylzim Basha, nuk ndodh, per kerkend! Ka nje arsye: Nuk mbeshtet ne ligj! Por Lylzim Basha eshte mbi ligjin! Keshtu ka qene; Edhe kur u hetua per vjedhjen ne Durres-Kukes, te njejten gje beri, nuk mi dhate faktet ne kohe dhe i la ne dere, tek pragu per te mos i marre!

Ketu u mbeshtet dhe, nje peseshe gjykatesish te larguar nga Vettingu nuk u gjykua kurre! KJO ESHTE PABARAZIA QE GELON NE KETE VEND! KJO ESHTE PABARAZIA QE KA PRODHUAR KETE KASTE TE PAPREKSHMISH NE POLITIKE! KJO ESHTE PABARAZIA QE KERKON TE MBIJETOJE, TE REZISTOJE BASHKE ME SISTEMIN E PANDESHKUESHMERISE NE KETE VEND! Per kete po behet e gjitha kjo zallamahi; PER TE MBAJTUR NE KEMBE PABARAZINE!”, shkruan Braçe.

Lulzim Basha refuzoi të hënën që të paraqitej në prokurorinë e Tiranës me argumentin se fletë-thirrja ishte në shkelje me ligjin.

“Në 30 vite, të njëjtët politikanë dogjën dy breza dhe tani po përvëlojnë të tretin”

“Në 30 vite të njejtët politikanë dogjën dy breza dhe tani po përvëlojnë të tretin”. Kështu nis postimin e së martës i Erion Braçes në Instagram, duke sulmuar ashpër si Berishën, si Metën, ashtu dhe Bashën. Erion Braçe nuk kursehet hiç kur shkruan se këta njerëz që janë në krye të dy partive vjedhin bashkë, dhunojnë bashkë, vrasin bashkë dhe ua marrin jetën brezave në Shqipëri, po bashkë.

Por 30 vjet janë shumë, – shkruan Braçe, tani është koha të themi boll më!

“Nuk ka asnje arsye qe brezi i femijeve te sotem te pervelohet ne zjarrin e ketyre!”, shkruan zëvendës kryeministri i cili thekson se zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor.

Postimi i Braçes:

NE #30VITE, TE NJEJTET POLITIKANE, DOGJEN DY BREZA DHE, PO PERVELOJNE TE TRETIN! Ne fillim brezin e babait, pastaj brezin e djalit, tani te nipit/mbeses! Jane te njejtet shkaterrues, te njejtet zjarrevenes, te njejtet hajdute, te njejtet dhunues e vrases!

Kaq te lire e kemi jeten ne shqiptaret sa, cdo dhjetevjecar falim nga nje brez tek politika e te njejteve terminatore? Kane dy partite e tyre, por gjithnje vjedhin bashke, dhunojne bashke, vene zjarrin bashke, vrasin bashke, Marrin jeten e brezave po bashke!

Jo me!

#30VJET, #3BREZA JANE SHUME!

Boll me!

Nuk ka asnje arsye qe brezi i femijeve te sotem te pervelohet ne zjarrin e ketyre! Perkundrazi, ky duhet te jete brezi qe #BENDREJTESI per dy te tjeret-prinderve e gjysherve! #DREJTESIAERE eshte per ta, e ardhme per ta e per cdo brez qe do i pasoje. Kurre nuk do jene te barabarte pa #DrejtesineeRe! Nje vend pa kete #Barazi kurre nuk do te kete nje brez tjeter, te ri dhe garanci per kete vend! #TeBarabarte tani, #DrejtesiaeRe eshte mundesia, garanti per te drejtat themelore, nisur nga e drejta e votes-sulmuar kriminalisht dje, aksesi i drejte dhe perfshires ne arsim e shendetesi, pjesmarrja ne punesim, prodhim, te ardhura!

#TeBarabarte tani!Me vote, ne #30Qeshor.

Skip to toolbar