Si pjesë të citimeve pro shembjet së teatrit të vjetër dhe ngritjes së një teatri të ri dhe modern i denjë për artin shqiptar, kryeministri Rama ka zgjedhur të citojë aktorin shkodran Bruno Shllaku.
Shllaku me një karrierë të pasur si aktor, ka deklaruar se teatri ishte një godinë që i përkiste një stalle kuajsh, që Italia fashiste e ndërtoi për kapanon truprojesh. Prej kohësh Rama ka nisur një “aksion” në Facebook duke cituar të gjithë artistët shqiptarë që i kanë kontribuar skenës shqiptare prej vitesh, që kërkojnë ndërtimin e një teatri të ri dhe modern për vendin.
“Miti i skenës shkodrane Bruno Shllaku, ishte vetëm 11 vjeç, kur u ngjit në skenën teatrore. Ndërsa si profesionist ai e nisi karrierën në teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Si emigrant, së bashku më të shoqen Paskualinën, edhe ajo artiste e “Migjenit”, krijoi një teatër fëmijësh jashtë vendit. Pas rikthimit në Shqipëri, si aktor dhe regjisor i Teatrit “Migjeni”, Bruno Shllaku, ka pasur një karrierë të pasur me personazhe në skenë dhe ekran. Opinioni i tij për çështjen e Teatrit Kombëtar është i qartë.
BRUNO SHLLAKU: Më vjen mirë që gjithmonë gjërat e mira vazhdojnë sipas traditës klasike, të lindin me vështirësi. Kam parasysh për analogji momentin e parkut të Liqenit, kur u vërsulën i madh e i vogël me drurë e me shkopinj dhe mjete rrethanore për ta ndaluar të bëhej, dhe po ato njerëz vijnë dhe gjejnë qetësi dhe kënaqen, ndoshta – ndoshta edhe mburren në heshtje.
Për sa i përket çështjes së Teatrit, më vjen keq se shumë nuk e dinë që është një godinë që i përket një stalle kuajsh, që Italia fashiste e ndërtoi për kapanon truprojesh. Ajo vërtetë që ka vlera, por do të marrë vlera më të mëdha kur të bëhet një godinë e re, bashkëkohore që t’i përkasë Teatrit të Tiranës, i cili shumë shpejt do të jetë në bashkëbrinj me qytete të mëdha të Europës.
Reliket, figurat, objektet e suveniret e atij teatri, do të jenë në një seli të shenjtë si Teatri i Ri modern, që jam i bindur se do të ndërtohet. Jam dakord që Teatri i Ri të fillojë punën një orë e më parë dhe madje kam besim absolut te arkitekti që do vërë dorë në teatër.”- shkruan Rama në Facebook