Kosova përballë Çekisë, për një biletë në Euro 2020

Kosova përballet mbrëmjen e të enjtes në sfidën e parafundit eleminatore të Euro 2020, ndaj Çekisë në transfertë. Dardanët janë ende në garë për kualifik, ndaj do të kërkojnë tre pikët në transfertën çeke, pasi kundërshtarët e të enjtes janë dhe rivalët kryesor për kualifikim.

Në seancën e fundit janë stërvitur të gjithë futbollistët që trajneri Challandes i ka grumbulluar për dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Euro 2020, me përjashtim të Vedat Muriqit, i cili tashmë është kthyer në Turqi, për shkak të lëndimit. Atmosfera në radhët e Dardanëve është mjaft optimiste dhe të gjithë janë të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes.

Trajneri Challandes u shpreh të mërkurën se skuadra e tij është gati, ndërsa Muriqi do të jetë një mungesë e rëndësishme.  “A jemi gati? Sigurisht që po, pasi nëse nuk do të ishim do të qëndronim në Prishtinë e nuk do të vinim këtu. Muriqi është një mungesë e rëndësishme, pasi nuk kemi një lojtar të dytë si ai, që mund ta zëvendësoj kokë më kokë, por ka shumë rëndësi që të reagojmë si grup dhe të luajmë në këtë mënyrë në fushën e lojës”, ka thënë Challandes.

Nëse Kosova fiton ndaj Republikës Çeke, ekipi Dardan shkon në vendin e dytë në renditje me 14 pikë në Grupin A, ndërsa Çekia mbetet me 12 pikë. Ndërkohë, në takimin e fundit eleminator, Kosova pret Anglinë në stadiumin “Fadil Vokrri”. Nëse fiton të enjten ndaj Çekisë, dhe barazon ndaj Anglisë, Kosova rrit shanset për kualifikim, duke mbajtur gjithashtu shpresën se Bullgaria do të ndalë Çekinë në takimin e fundit në grup.  

Çekia qetëson Kosovën: Njohim pavarësinë

Deklaratat e bujshme dhe aspak miqësore ndaj Kosovës të presidentit çek Zeman, i ka hedhur poshtë ministri i Jashtëm çek, Tomáš Petříček. Ministri Petříček tha se Çekia nuk ka aspak në plan të tërheq njohjen e shtetit të Kosovës, pasi nuk ka asnjë arsye ta bëj këtë. Me një reagim zyrtar, Ministria e Jashtme e Çekisë ka deklaruar se tërheqja e njohjes së Kosovës nuk mund të ndodh dhe se mes dy vendeve ekzistojnë marrëdhënie diplomatike e bashkëpunim dypalësh.

Qeveria e Republikës së Çekisë e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe në të njëjtën kohë ka dhënë pëlqimin për vendosjen e raporteve diplomatike. Është njohje ‘de jure’, pra është njohje e plotë dhe përfundimtare nga pikëpamja e ligjit ndërkombëtar. Republika e Çekisë asnjëherë nuk e ka tërhequr njohjen ndaj ndonjë shteti. Republika e Çekisë pa dyshim që ka një interes për të respektuar marrëveshjet ndërkombëtare me Republikën e Kosovës, përfshirë këtu edhe obligimet që dalin nga bashkëpunimi dypalësh” thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Çekisë.

Ky reagim i qeverisë Çeke, vjen pas deklaratave të pazakonta të presidentit çek Milos Zeman, i cili tha para mediave gjatë një takimi me presidentin serb Vuçiç, se vendi i tij mund të rishikojë njohjen e Kosovës si shtet. Për shkak të këtyre deklaratave, Kosova bojkotoi pjesëmarrjen e saj në Samitin e Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor në Pragë.

Skip to toolbar