Harry Kane pritet të jetë në dispozicion të Tottenham për ndeshjen finale të Champions League kundër Liverpool, që do të luhet më 2 qershor. Sulmuesi i “Spurs” nuk aktivizohet me ekipin e tij që prej ndeshjes së parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, që Tottenham luajti kundër Manchester City-t.
Lajmin se sulmuesi 25-vjeçar do të jetë gati për ndeshjen ndaj Liverpool në Madrid, e ka dhënë ish-mbrojtësi i Tottenham, Graham Roberts, që tashmë shërben si ambasador i “Spurs”. Roberts ka folur për “Sky Sports”, ku ka konfimuar se Harry Kane i ka thënë personalisht se ndihet gati për të luajtur.
“Unë organizova një darkë bamirësie, ku ishte i ftuar dhe Harry Kane. Pyetja e parë që i bëra ishte ‘A je i aftë?’, dhe ai tha po”, ka thënë Graham Roberts. “Ai është duke bërë përpjekje që të jetë gati. Dje (të mërkurën) ai është bashkuar në stërvitje me pjesën tjetër të lojtarëve”, ka thënë ndër të tjera ish-mbrojtësi i Tottenham, duke i dhënë një lajm të mirë tifozëve për ndeshjen finale të Champions League ndaj Liverpool.
Harry Kane u dëmtua në ligament në atë ndeshje, duke dalë nga fusha i detyruar. Më vonë trajneri Pochetino konfirmoi se Kane do të jetë gati për finalen e madhe të Ligës së Kampionëve, nëse skuadra do të kalonte në gjysmëfinale Ajax-in, që tashmë është fakt.