Debutime nga stoli. Reja: Dua përqëndrim, ndryshe humbasim

Trajneri i Kombëtares Edy Reja foli të enjten pasdite në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes kundër Turqisë. Tekniku i kuqezinjve tregoi fillimisht se skuadra është e përgatitur për këtë ndeshje, ndërsa kundërshtarin e ka studiuar me hollësi. “Grupi po fuksionon mirë. Po punojmë mirë në të gjitha aspektet. Kemi konsideratë për Turqinë, për lojtarë Burak Jilmaz, Calahanglu dhe Tosun. Po përmend sulmuesit sepse dalin më shpesh para portës. Janë lojtarë që i njoh. E ndjek kampionatin italian. Ne na duhet të jemi në kondicionin më të mirë të mundshëm. Duhet të shprehim potencialin në fushën e lojës, ndryshe do ta humbim këtë sfidë. Duhet të bëjmë një përfaqësim sa më dinjitoz për këtë ekip sepse e meriton”, tha Reja.

Mungesat do të jenë një problem për trajnerin italian të kuqezinjve. Të paktën mbrojtësi Elseid Hysaj, që u dëmtua disa ditë më parë me Napolin. Megjithatë, ai beson se çdo futbollist që do të luajë do të bëjë mirë. “Hysajn e dimë mirë rëndësinë që kishte, por kush do të luajë, do të bëjë mirë. Ky është një test i rëndësishëm për ne sepse përmes kësaj ndeshje mund të bëjmë vlerësime, nëse po përmirësohemi në aspektin individual dhe kolektiv. Do të na japë përgjigje, uroj pozitive që ka ndodhur rritja, duhet të marrim në konsideratë se kemi ndryshuar gjëra, kanë ardhur lojtarë të rinj edhe muajt e kaluar. Pres përmirësime të tjera dhe nëse do të jenë, do të thotë që kemi marrë rrugën e duhur”, shprehet Reja.

Në fjalën e tij, Reja tregoi se Turqinë e njeh mirë si ekip, pasi ka studiuar çdo ndeshje të saj. Sipas tij, kundërshtari ëshë i rrezikshëm në disa aspekte. “Nuk kam parë vetëm atë ndeshje, kam parë Turqinë edhe në ndeshje të tjera, kur ka luajtur në shtëpi si me Francën që e ka mundur, që nuk është  lehtë, ka bërë mirë edhe në Shkodër duke fituar 2-0. Qartësisht që kjo është një ndeshje që duhet përballuar me vendosmëri, duhet të jemi të aftë taktikisht, janë të fortë fizikisht e teknikisht, kanë bërë gol me goditje standarde e janë të rrezikshëm, por këto janë vëmendjet nesër në darke dhe nëse do të jemi të vëmendshëm do të jetë më e lehtë të bëjmë një paraqitje të mirë, bëjmë edhe rezultat”, tha Reja.

Nga skuadra pret të shoh përmirësime në krahasim me ndeshjen e fundit ndaj Islandës, ndërsa tregoi se nga lojtarët e grumbulluar rishtaz nuk do të debutojnë direkt. Sipas tij, të paktën dy lojtarë të rinj, do ta nisin nga stoli.  “Ajo që më intereson në mënyrë të veçantë është që të shoh përmirësimet në krahasim me ndeshjen e fundit, pres një paraqitje të mirë gjatë 90 minutave, se nuk duhet të ulim asnjëherë vëmendjen, se bëhet e rrezikshme se janë të aftë. Jo debutues jo. Në pankinë do të ketë 2 lojtarë, që po presin shansin e tyre dhe mund të futen në fushë si zëvendësues”, përfundoi Reja.

Skip to toolbar