Presidenti Meta ka dekretuar të hënën dy ligje të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, një prej të cilëve shumë i rëndësishëm që lidhet me Reformën në Drejtësi. Ndryshimet dhe shtesat e bëra në ligjin “Për statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” ka kaluar në seancën e fundit të Kuvendit, pas dy vitesh që disa nene ishin rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese me kërkesë të shoqatës së gjyqtarëve. Pikërisht në këtë aspekt, Meta ka gjetur sërish hapësirë për të sulmuar ndërkombëtarët, konkretisht Euralius, ekspertët e të cilit kanë kontribuar në hartimin e ligjit.
Presidenti Meta gjatë arsyetimit të bërë në dekretimin e tij theksoi se ky ligj nuk ishte gati dhe ka pasur probleme në momentin e miratimit të tij në 2016, prandaj janë dashur këto ndryshime të reflektuara nga Kuvendi.
“Ndryshimet e miratuara tregojnë se në momentin e miratimit të ligjit, ky akt përveç se ka pasur probleme antikushtetushmërie për të cilat ka folur Gjykata Kushtetuese, gjithashtu ka pasur edhe mangësi të tjera të karakterit të teknikës legjislative, shprehje të pasakta, gabime në referime etj, që nëse do të ishte gjykuar në mënyrë të thelluar dhe jo të nxituar nga ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë në momentin e hartimit të ligjit nr.96/2016 dhe miratimit nga Kuvendi i Shqipërisë, nuk do të ekzistonin”, shkruan Meta, me qëllim për t’i dhënë të drejtë vetes për sulmet që ka bërë disa herë ndaj ndërkombëtarëve për paketën e reformës në drejtësi, megjithëse në kohën e miratimit të këtij ligji, ai ka qenë Kryetar i Kuvendit dhe ligji është kaluar në heshtje nga Presidenti Nishani.
Me miratimin e këtyre ndryshimeve presidenti Meta ka kërkuar të bëjë sërish rolin e fitimtarit duke thënë se “edhe pse këto ky ligji i miratuar erdhi me vonesë nga Kuvendi, presidenti i mirëpret këto ndryshime ligjore dhe për këto arsye e dekreton dhe e miraton atë”.
Gjatë seancës të fundit të Kuvendit u miratuan 14 ndryshime ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” që lidheshin me funksionin apo procesin disiplinor që zhvillohet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. Nevoja për ndryshimet në ligj, lindi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në 2017, e cila pranoi pjesërisht kërkesën e Shoqatës së Gjyqtarëve, të cilët kundërshtonin një sërë nenesh të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”.
Presidenti Meta gjithashtu ka miratuar edhe një ligj të dytë në të cilën njeh të drejtën e qytetarëve për të dërguar në Kuvend propozime të ligjeve për miratim.
“Ky ligj ka për qëllim të rregullojë procedurën e detajuar mbi ndërmarrjen e nismave ligjvënëse popullore nga 20 mijë shtetas me të drejtë vote, duke filluar nga momenti i regjistrimit të nismës, deri në paraqitjen e tyre në Kuvendin e Shqipërisë për shqyrtim dhe miratim. Ky rregullim me ligj është i domosdoshëm për shkak të zhvillimeve për rritjen e të drejtave të pjesëmarrjes së qytetarëve në qeverisjen e vendit.”- shkruan Meta.