Thirrjes së Xhelal Mziut për protestë i janë përgjigjur
disa dhjetëra militantë të PD-së të cilët vazhdojnë të mbrojnë bashkinë duke
cituar dekretin e presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Kështu
ka ndodhur të mërkurën kur pas betimit të kryebashkiakut të ri të Kamzës,
militantë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike u mblodhën përreth godinës së
bashkisë duke thënë se nuk do ta lirojnë atë për kryebashkiakun e ri, pasi ai është
i paligjshëm për shkak se zgjedhjet e 30 qershorit janë anuluar nga presidenti Meta.
“Zgjedhjet e 30 qershorit janë anuluar. Dekreti
i presidentit është në fuqi. Kryetari i ri i bashkisë është ilegjitim, ne nuk e
njohim atë. Dekreti i presidentit të republikës e thotë qartë se mandati i
kryetarit të ri legjitimohet vetëm nëse do të ketë proces zgjedhor me pjesëmarrjen
e të gjithë partive politike. Zoti Mziu është në krye të detyrës dhe në krye të
punës”, është shprehur nënkryetari në ikje i bashkisë së Kamzës, Kotarja.
Përveç dekretit të presidentit të cilësuar antikushtetues, demokratët e Kamzës u gjetën të braktisur nga lidershipi i PD-së. Në krah të tyre nuk doli as Basha që prej kohësh u kishte premtuar se nuk do linin zyrat dhe se zgjedhjet e 30 qershorit nuk do të njiheshin dhe asnjë figurë tjetër e lartë e PD-së. I vetmi reagim për Kamzën ishte ai i Edi Palokës në facebook, i cili paralajmëron se do të përgjigjen ligjërisht për shkeljet që po bëjnë. “Një bandë që po betohej në emër të Ramës se do të grabisë dhe bashkinë e Kamzës edhe pse janë koshiente se po shkelin dhe ligjet dhe Kushtetutën.
Janë të menderosur e në siklet jo se kanë sedër
e personalitet, jo se morali i tyre nuk ju a lejon të grabisin çfarë nuk është
e tyrja por sepse këtë po e bëjnë publikisht, në sy të të gjithëve. Prandaj janë
dhe të trembur se e dijnë po kaq mirë që jo vetëm nuk do të munden t’i mbajnë
por dhe do të përgjigjen ligjërisht dhe përtej ligjit, shumë shpejt, nga i pari
deri tek i fundit; nga Biba në KQZ tek biba në prefekturë për këto që po bëjnë.
Ashtu siç po hyni, si grabitës , ashtu dhe do dilni shumë shpejt. “Hapuni” sa
te mundni tani, po mbi zjarr po “hapeni””, shkruan Paloka.
Por drejt Kamzës në mbështetje të Xhelal Mziut që drejtoi për 12 vite bastionin e PD-së nuk shkoi asnjë nga figurat drejtuese të PD-së. Ai u gjet i vetëm në qëndresën e tij për ruajtjen e zyrës. Siç duket lidershipi i PD-së e ka kuptuar se zgjedhjet e 30 qershorit tani janë bërë fakt i kryer dhe se të gjitha premtimet e Bashës kanë rënë, sikurse kanë rënë edhe udhëzimet e tij për qëndresë me dhunë dhe mos lirim të zyrave ndaj të zgjedhurve socialistë./Realstory.al