Publikohen akuzat për Trump

Në SHBA, demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve shpallën të martën dy akuza në procesin e ndërmarrë prej tyre për shkarkimin e Presidentit Donald Trump: shpërdorim të pushtetit dhe pengim të Kongresit. Votimi në Dhomën e Përfaqësuesve pritet para Krishtlindjeve. Presidenti Trump reagoi në Twitter duke e quajtur procesin kundër tij një “çmenduri të pastër politike.”

Shpallja e akuzave shënon një hap të ri drejt votimit historik që pritet të ndërmarrë Dhoma e Përfaqësuesve ku demokratët kanë shumicën. Ata e akuzojnë presidentin se ka korruptuar procesin e zgjedhjeve dhe ka vënë në rrezik sigurinë kombëtare.

Kryetarja e Dhomës, Nancy Pelosi, e shoqëruar nga kryetarët e komisioneve që kanë organizuar hetimet kundër presidentit, e quajti hapin e sotëm “një akt solemn”.

Akuzat i shpalli kryetari i komisionit të ligjeve, demokrati Jerrod Nadler.

“Ai rrezikon demokracinë tonë, rrezikon sigurinë tonë kombëtare. Zgjedhjet tona të rradhës janë në rrezik. Kjo është arsyeja pse ne duhet të veprojmë tani”, tha zoti Nadler.

Akuzat e shpallura të martën burojnë nga presioni që demokratët thonë se presidenti Trump i bëri Ukrainës që ajo të ndërmerrte hetime kundër rivalit të tij politik, ndërkohë që pezulloi ndihmën ushtarake për Kievin.

Por, republikanët thonë se demokratët nuk kanë asnjë bazë.

“Nuk kemi krim, nuk kemi asgjë dhe askush nuk po kupton se çfarë po përpiqet të bëjë maxhoranca. Përveçse të ndërhyjë për t’u siguruar që Presidenti të mos fitojë vitin e ardhshëm pasi ndaj tij janë ngritur akuza”, thotë ligjvënësi republikan Doug Collins.

Presidenti Trump publikoi një koment në Tëitter përpara njoftimit ku thoshte se të përpiqesh të shkarkosh një president me arritje si të tijat është “çmenduri e pastër politike.

Dhoma e Përfaqësuesve ka votuar vetëm tre herë në historinë e saj për shkarkimin e një presidenti amerikan.

Votimi në Komisionin e Ligjeve pritet brenda pak ditëve, ndërsa para Krishtlindjeve do të hidhet në votë në të gjithë Dhomën e Përfaqësuesve./VOA./

Hajdari forcon pozitat te të djathtët

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi refuzoi të enjten kërkesën e Korab Litës, që pretendon se është zgjedhur drejtues i grupit të deputetëve të djathtë në Kuvend. Në fund të seancës plenare të Kuvendit, Ruçi u shpreh se në zyrën e tij kishte disa kërkesa. Së pari kishte shkuar kërkesa e Korab Litës që njoftonte se ishte zgjedhur kryetar grupi. Së dyti ishin kërkesat e Halit Valterit dhe Fatjona Dhimitrit që njoftonin dorëheqjen nga firma për zgjedhjen e Korab Litës kryetar, dhe më pas ishte një kërkesë e Rudina Hajdarit dhe Myslim Murrizit, që njoftonin se pesë deputet opozitar kërkonin të bashkoheshin me grupin e deputetëve të djathtë.

Megjithatë, Kreytari i Kuvendit nuk mori asnjë kërkesë parasysh, pasi sipas tij, deputetët duhet të zbatojnë rregulloren e Kuvendit. Ramoz Ruçi u kërkoi deputetëve që kërkuan ndryshime në drejtimin e grupit, të sjellin së pari rregulloren e funksionimit të grupit në Kuvend, dhe më pas të bëjnë riformatimin e grupit.

“Më ka ardhur një njoftim për ndryshime në drejtimin e grupit Demokrat të cilët deklarojnë si kryetar grupi Korab Litën nga deputetë të tjerë si Halit Valteri dhe Fatjona Dhimitri më kanë drejtuar shkresë për të më vendosur në dijeni se ky vendim nuk është marrë. Nga deputeti Murrizi dhe zonja Hajdari konfirmojnë të njëjtën gjë, dhe kam 5 kërkesa nga Ligoraq Karamelo, Majlinda Halili, Krenar Ryci, Elda Hoti dhe Vasil Stejovski që deklarojnë pjesëmarrjen në grupin Demokrat”.

“Nga verifikimi që kam bërë kam tre gjëra për të thënë, e para jo vetëm këtij grupi por të treja, në fund të korrikut është miratuar rregullorja, që detyron që çdo grup të miratojë rregulloren, prandaj kërkoj që të vendosni në dispozicion rregulloret përkatëse. Lidhur me kërkesat e patë që janë disa, riformatoni grupin parlamentar zotërinj që keni kërkuar, qoftë për pjesëmarrjen, qoftë për mendimet apo vendimet, së bashku me prurjet e reja dhe së treti unifikoni qëndrimet dhe që është e drejta juaj të zgjidhni kë të dëshironi në krye të grupit” deklaroi Gramoz Ruçi. 

Rudina Hajdari e priti me duartrokitje vendimin e kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, për të kthyer mbrapsht ndryshimet e kërkuara nga Korab Lita. Në fakt, Rudina Hajdari forcon pozitat në radhët e të djathtëve për të vijuar drejtimin e grupit Demokrat në Kuvend. Me bashkimin e pesë deputetëve të rinj, përfshirë dhe dy deputetët Valteri dhe Dhimitri, numri i mbështetësve të saj shkon në tetë deputetë, ndërsa Korab Lita, të paktën deri tani, mbetet me pesë mbështetës.

Tashmë, deputetët e djathtë, duhet të ridërgojnë në Kuvend kërkesën për ndryshimet në grupin parlamentar. Sipas rregullores së Kuvendit, përcaktuar në Nenin 15 pika 7, grupi Parlamentar nuk mund të krijohet pa pasur të paktën 7 deputetë. Me afrimin e pesë deputetëve të rinj në radhët e saj, Rudina Hajdari është gati të krijojë një grup të ri demokrat në Kuvend. Ndërkohë që tentativa e Korab Litës për të krijuar grupin parlamentar merr fund, të paktën deri tani, pasi numri i deputetëve mbështetës ndaj tij është pesë. /Realstory.al/

Demokratët sulmojnë Trump dhe… njëri-tjetrin

12 kandidatët demokratë për president morën pjesë në një debat shpesh të ndezur të martën në Ohajo. Ata shpesh sulmuan presidentin Doanld Trump, por nuk hezituan të kritikonin ashpër edhe njëri-tjetrin për çështje si kujdesi shëndetësor, pabarazia ekonomike, dhe tërheqja e forcave amerikane nga Siria.

Në qendër të debatit të së martës ishte hetimi për procesin e shkarkimit të Presidentit Trump dhe përpjekjet e tij për të bindur Ukrainën të hetonte demokratin, Joe Biden. Zoti Biden e kishte përgjigjen gati.

“Rudy Giuliani, presidenti dhe banditët e tij e kanë provuar tashmë se po gënjejnë hapur. Tani duhet të përqendrohemi tek Donald Trumpi. Ai nuk do që të jem unë kandidati. Ai po më sulmon sepse e di që nëse marr emërimin, do ta mund pa diskutim”.

Të 12 kandidatët në debat e mbështesin procesin e shkarkimit, përfshirë senatoren nga Massachusetts, Elizabeth Warren që tani ka pothuajse të njëjtën mbështetje si zoti Biden në anketa. “Përmes procesit të shkarkimit, ne do të garantonim që ky njeri të mos shkelte ligjin vazhdimisht dhe pa pasoja”, tha ajo.

Debati shënoi edhe kthimin e senatorit, Bernie Sanders në fushatë pas goditjes në zemër. Ai paralajmëroi për çështjen e procesit të shkarkimit. “Po mendoj se do të ishte një katastrofë nëse populli amerikan beson se ne vetëm po merremi me Trumpin dhe po lëmë në harresë 87 milionë amerikanët pa sigurime ose me sigurime të pamjaftueshme”, tha ai.

Senatori nga New Jersey, Cory Booker shprehu shqetësimin se votuesit mund ta shohin si shumë partiak, përpjekjen e procesit të shkarkimit. “E kuptoj indinjatën që e ndjejmë të gjithë, por duhet ta kryejmë këtë proces në mënyrë të tillë që e bashkon vendin dhe jo që ta përçajë”, tha ai.

Në debat pati këmbime të forta për kujdesin shëndetësor, kontrollin e armëve dhe tërheqjen e befasishme të trupave amerikane nga Siria nga ana e Presidentit Trump. Vendimi u kritikua ashpër nga kandidati, Pete Buttigieg.

“Masakra në Siri, nuk është pasojë e pranisë amerikane. Është pasojë e tërheqjes dhe tradhtia e këtij presidenti ndaj aleatëve amerikanë dhe vlerave amerikane”. Edhe senatorja nga Minnesota, Amy Klobuchar e kritikoi vendimin e presidentit.

“Do doja të më shpjegonte se si bëhet Amerika më madhështore duke lejuar masakrimin e kurdëve, të aleatëve tanë, dhe kur Rusia hyn për t’i mbrojtur ata. Dhe do doja të më sqaronte sesi afrimi me Vladimir Putinin e bën Amerikën më madhështore. E bën Rusinë madhështore”. Debati i ardhshëm i demokratëve mbahet më 20 nëntor në Xhorxha./VOA/

Skip to toolbar