Dëmtohet në stërvitje, Berisha rrezikon sezonin!

Lazio është duke vijuar luftën për të arritur një vend në kupat e europës. Ndryshe nga sezoni i kaluar, kur “Biancocelesti”, ishte në pozita të sigurta për të luajtur në një nga dy kompeticionet evropiane të UEFA-s, këtë sezon gjërat janë pak më të komplikuara.

Telashet shtohen për Inzaghin, pasi trajneri i Lazios nuk ka dispozicion një nga lojtarët e rëndësishëm të ekipit si Jordan Lukaku, i cili është operuar në gju dhe ka mbyllur sezonin.

Mirëpo, ky nuk do të jetë lojtari i vetëm që do të mungojë për Lazion deri në fund të kampionatit. Edhe mesfushori shqiptar, Valon Berisha, është në pritje të kryerjes së një operacioni në gju, çka do të thotë se rrezikon të mbyll para kohe sezonin me Lazion.

“Corriere dello Sport”, raporton se mesfushori kosovar, që erdhi në verë nga Salzburg, mund të operohet në gju, duke përfunduar sezonin e tij të parë te Lazio disa javë para përfundimit të kampionatit.

Futbollisti është dëmtuar pas ndeshjes me Spal, në stërvitje. Valon Berisha ka kryer një kontroll në gju në Barcelonë, por ende nuk është vendosur nëse do të kryhet operacioni. Nëse kjo ndodh, atëherë futbollisti do të kthehet në fushë vetëm në fillim të sezonit të ardhshëm për Lazion.

Berisha nuk ka shkëlqyer këtë sezon me skuadrën nga kryeqyteti italian. Ai ka luajtur 14 ndeshje, një numër i kushtëzuar për shkak të disa problemeve fizike që futbollisti pati në vjeshtë.

Skip to toolbar