Me anë të një shkrese, 56 deputetë të Partisë Socialiste i kërkojnë kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi të shtohen faktet në Komisionin Hetimor Parlamentar, ngritur në muajin korrik për hetimin e shkeljeve të Kushtetutës nga Ilir Meta me synim shkarkimin e tij. deputetët socialistë kërkojnë që Komisioni Hetimor të ketë në dosjen e tij edhe shkeljet e fundit kushtetuese që Ilir Meta bëri me emërimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Në shkresën drejtuar Kuvendit argumentohen të paktën 4 shkelje të Kushtetutës nga Ilir Meta, në rastin e refuzimit të kryerjes së betimit të Arta Vorpsit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, që mori këtë detyrë pasi Presidenti dogji afatin për të zgjedhur një kandidat.
“Shkeljet kushtetuese në lidhje me refuzimin e kryerjes së betimit të Znj. Arta Vorpsi: 1. është cënuar e drejta e një gjyqtari kushtetues të ushtrojë detyrën. 2. është shkelur detyrimi kushtetues për të realizuar betimin e gjyqtarit kushtetues. 3. Është cenuar funksionaliteti i vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese dhe e fundit, është cënuar e drejta e subjekteve për një proces të rregullt kushtetues brenda afateve”, citohet nga shkresa që deputetët e Partisë Socialiste i drejtojnë kryetarit të Kuvendit. Më tej, deputetët duke njohur Arta Vorpsin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, argumentojnë edhe shkeljet që Ilir Meta i bëri Kushtetutës në rastin në fjalë.
“Sipas nenit 129 të Kushtetutës, betimi para Presidentit është kusht për fillimin e detyrës së gjyqtarit kushtetues. Presidenti publikisht ka deklaruar se nuk don e thërrasë znj. Arta Vorpsi për betimin dhe se nuk e njeh atë si gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë mënyrë, Presidenti ka refuzuar të plotësojë një detyrim kushtetues, duke bllokuar një gjyqtar kushtetues të emëruar sipas dispozitave kushtetuese dhe ligjit, të ushtrojë detyrën”, shkruhet në shkresën e deputetëve të Partisë Socialiste.
Ndërkohë, në shkresë janë renditur dhe shkelje të Kushtetutës nga Ilir Meta me emërimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare e kushtetueses. Së pari, deputetët veçojnë se “është dekretuar një gjyqtar kushtetues në kundërshtim flagrant me kushtetutën dhe ligjin”. Së dyti, “në mungesë të kompetencës për të emëruar gjyqtarin kushtetues, Presidenti, në mënyrë të kundërligjshme ka ndërhyrë në një proces kushtetues”.
Gjithashtu, “Presidenti ka ushtruar kompetenca të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, duke i veshur vetes atribute të organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Është cenuar e drejta e subjekteve për të patur një proces të rregullut gjykimi kushtetues, në kushtet kur do të gjykohen nga gjyqtar kushtetues me mandatat të paligjshëm. Është cenuar funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në argumentet e PS./Realstory.al/