Nga Spartak Ngjela
Siç dihet, tani, ish opozita shqiptare është larguar nga Parlamenti; donte të kryente një kryengritje, por dështoi. Kurse Reforma në Drejtësi, këtë gjendje të re e pati në favor. Ish opozita Berisha u largua nga Parlamenti me shpresë të një kryengritjeje popullore. Por, nuk e mbështeti populli. Në fakt, kryengritjen e desh se i ndruhet për vdekje Reformës në Drejtësi që po e drejtojnë amerikanët në Shqipëri. Në thelb, lëvizja e saj “kryengritëse” ishte një lëvizje antiamerikane, por me flamur amerikan. Një aziatizëm naiv ky. Njëlloj si antimaoistët në Kinë që dilnin të luftonin maoistët me portretin e Mao Cedunit, se kishin frikë t’iu thoshin përkrahësve të tyre që jemi kundër Maos. Por tani, kryengritja Berisha mbeti një ëndër, kurse Reforma në Drejtësi është në prag të aktit të vet të parë antikorrupsion
l.
Ndërkohë, në Parlament po funksionon opozita e re. Gjithsesi, duhet pranuar se, ndonëse momenti parlamentarist sot është më afër shoqërisë, sërish kësaj opozite i duhet shumë punë për të bindur opinionin publik. Opozita Berisha kishte dhe ka sens antikombëtar, sepse ishte dhe mbetet në luftë për ekzistencën e saj, gjithmonë në funksion të kundërshtimit që i bën Reformës antikorrupsion. Gjithsesi, lodhet kot: nuk shpëton dot. Kurse opozita aktuale, 90 përqind të së cilës kuptohet se e ka strukturuar politika perëndimore, po pritet të sjellë risi me vlerë kombëtare në Parlamentin shqiptar.
Në funksion të Reformës, kjo opozitë, nga ekspertët perëndimorë mendohet se e garanton ecurinë e projektit të ngritjes së SPAK- ut, por këtu del kjo pyrtje: A do të jetë në gjendje që opozita aktuale në Parlamentin shqiptar të ngrihet në rangun e një opozite të theksit kombëtar e perëndimor? Pikërisht kjo pritet të ndodhë, prandaj mendojmë se do ta kemi tani një opozitë të tillë. Dhe, ne mendojmë gjithashtu, që do të ndodhë, sepse është domosdoshmëri. Është domosdoshmëri për Shqipërinë, sepse vetëm me forcën e kësaj opozite të re parlamentare dhe me forcën e politikës amerikane, mazhoranca aktuale nuk do të këtë mundësi që të lëvizë drejt bllokimit të Reformës, ndonëse mendohet se do të jetë e nxitur kundër reformës nga liderët e saj që i kap antikorrupsioni.
ll.
Sipas analizës së më sipërme, kjo opozitë, që rezulton e pakorruptuar, duhet të marrë në dorë çështjen e vendosjes së drejtësisë në Shqipëri. Por, a do t’i imponohet kjo mazhorancës së korruptuar për ta çuar deri në fund Reformën në Drejtësi? Tani kuptohet që një grup liderërësh të mazhorancës janë të rrezikuar nga Reforma antikorrupsion. Por, koha tregoi që nuk iu kundërvunë dot hapur politikës amerikane, sikundër që bëri Berisha dhe Meta.
Kryeministri Rama bëri lëvizje për të frenuar Reformën, por nuk ia arriti dot. Kurse sot, nëse ky kryeministër mendon se mund ta mundë politikën amerikane në Tiranë me forcën e Erdoganit, do rrëzohet si në një skenë komedie. E dini pse? Sepse politika amerikane, forcën politike të Erdoganit e sheh si “forcën e pleshtit”. Dhe ka edhe diçka që duhet ta kujtojë zoti Rama: ambasadorja amerikane që pritet të vijë këto ditë në Tiranë, është forcë politike anti – Erdogan, sepse kështu e ka quajtur presidenti i Turqisë kur e dëboi si nongrata nga Turqia. Edhe diçka zoti Rama: hiqe atë memorialin e shëmtuar turk, të dëshmorëve fals të Erdoganit, para sesa të vijë ambasadorja.
lll.
Megjithate, na duhet të theksojmë se gjithçka do të varet nga skema që do të përdorë politika amerikane si forcë për shpejtimin e vënies në veprim të Reformës në Drejtësi. Kjo sepse tani gjithçka është afër kurorëzimit të Reformës, por edhe reaksioni antireformë mendohet të jetë i madh. Prandaj, gjithçka do të varet nga fora e parlamentit, dhe këtu duhet të spikasë opozita e re parlamentare. Opozita jashtëparlamentare tani, edhe pse ende ka vullnet kundërshtues antiteformë, nuk ka forcë se nuk është më në Parlament Prandaj, përfundimisht, na duhet të theksojmë se gjendja reformuese e Shqipërisë sot duket se mban me vete dy lëvizje që varen nga funksionimi normal i Parlamentit: shkarkimi i presidentit Ilir Meta, sa më shpejt që të jetë e mundur; dhe, fillimi normal i SPAK-ut. – sa më shpejt! E pra, pikërisht në këto dy pika vjen dhe qëndron edhe opozita e re për të dhënë ndihmesën e saj. Ashtu siç e theksuam më lart.