Milani e ‘djallos’, Udinese i jep leksion

Milan e ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme kampionatin e Serie A në Itali. Skuadra kuqezi është mundur në transfertë në ndeshjen e parë të kampionatit nga Udinese. Kuqezinjtë e trajnerit Giampaolo, kanë zhvilluar shumë volum loje, por me raste të pakta dhe jo të rrezikshme në portën kundërshtare. Ishin vendasit ata që kanë dominuar rastet e krijuara në portën e Donnarummas, duke goditur të paktën 11 herë përballë 6 të Milanit.

 Ndërkohë, goli për Udinesen do të shënohej pjesën e dytë në minutën e 72`. Gjuajtja nga goditja e këndit e De Paul, ka gjetur kokën e Becao, që ka realizuar një gol të bukur nga brenda zonës. Kaq ka mjaftuar për të mbyllur takimin, pasi Udinese nuk ka lejuar kuqezinjtë që të sulmojnë. Pas humbjes Milan mbetet në vendet e fundit të Serie A, pavarësisht se ky është vetëm fillimi i kampionatit.

Megjithatë, nuk është aspak në pritshmëritë e tifozëve të cilët presin një ekip rivalizues jo vetëm për një vend në kupat e europës por dhe për titullin në Itali. Kujtojmë se Milani nuk luan këtë sezon në kupat e Europës, pasi është i dënuar nga UEFA për fair-play financiar.

Skip to toolbar