Grenell jep lajmin: Kosova dhe Serbia janë pajtuar që Ujmani të quhet “Liqeni Trump”

I dërguari special i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord që Liqeni i Ujmanit, të quhet “Liqeni Trump”.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në Twitter.”Ajo se si të quhet liqeni që gjendet në Kosovë dhe Serbi, ka qenë një pikë serioze pavarësisht kompromisit për studim të fizibilitetit për të krijuar vende pune dhe më shumë energji për rajonin… kështu që të dyja palët kanë rënë dakord për një emër të ri: Liqeni Trump”, ka thënë Grenell.

Pak ditë pas takimi të Washingtonit, Grenell ka treguar se si e propozoi me shaka që Liqeni i Ujmanit të quhet Liqeni Trump.

Grenell, gjatë një interviste për një radio amerikane ka shpalosur detaje të negociatave që kulmuan me marrëveshjen e Uashingtonit, duke pretenduar se mospajtimet Kosovë-Serbi rreth Ujmanit kishin të bënin me emrin e Liqenit.

“Shkaku është se kosovarët thoshin se duhet të quhet ashtu si e quanin ata, e serbët sipas emrit të tyre. E unë propozova të quhet sipas emërimit të Kosovës/ Serbisë. Kështu i zemërova dyja palët”, ka thënë ai.

Ndryshe, i shtrirë në veri të Kosovës, në kufi me Serbinë, Liqeni i Ujmanit, që njihet edhe si Liqeni i Gazivodës, është ujëmbledhësi më i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës.

Ujmani ka sipërfaqe prej 11.9 kilometrash katrorë dhe kur është plotësisht i mbushur me ujë, ka rreth 370 milionë kub ujë.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, 9.2 kilometra katrorë janë në territorin e Kosovës dhe 2.7 në atë të Serbisë.

Penda e Ujmanit është e lartë 107 metra.

Pa ujin e Liqenit të Ujmanit, Kosova do të mbetej pa rrymë brenda pak orësh. Uji i tij përdoret për ftohje dhe destinacione tjera në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”. Planet për rindërtimin e termocentralit tjetër të ri, të njohur si “Kosova e Re”, varen nga furnizimi me ujë nga ky liqen.

Me ujë nga ky liqen furnizohet edhe kompleksi metalurgjik “Ferronikeli” në Drenas.

I ndërtuar mes viteve 1979-1984, Liqeni i Ujmanit është rezervuari më i madh akumulues në Kosovë. Tre liqenet e tjerë janë: Liqeni i Batllavës në Komunën e Podujevës, i Badovcit afër Prishtinës dhe Liqeni i Radoniqit në Komunën e Gjakovës.

Rreth 35 për qind e banorëve të Prishtinës furnizohen nga ky rezervuar përmes fabrikës së re të ndërtuar për përpunimin e ujit në Shkabaj, pak kilometra larg qendrës së kryeqytetit.

Komunat tjera që furnizohen me ujë janë: Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj, Gllogoci, Obiliqi dhe Fushë Kosova.

Trump përmend fletëvotimet e pavlefshme si provë për manipulime të mundshme në zgjedhje

Presidenti i SHBA Donald Trump vazhdon të hedhë dyshime mbi integritetin e zgjedhjeve, duke shprehur shqetësim për mashtrim të mundshëm me fletëvotimet postare, një skenar që shumë zyrtarë thonë se po zmadhohet së tepërmi.

“Duam të sigurohemi që zgjedhjet do të jenë të ndershme dhe unë nuk jam i sigurt se mund të jenë”, u tha Presidenti Trump gazetarëve të enjten në Shtëpinë e Bardhë para se të hipte në helikopterin “Marine One” për të shkuar në Karolinën e Veriut dhe në Florida.

Presidenti Trump tha se “shumë fletëvotime u gjetën në një lumë” dhe ato me emrin Trump “u hodhën në një shportë mbeturinash”.

Një numër i vogël i fletëvotimesh të dërguara me postë nga ushtarakë u hodhën poshtë dhe nëntë prej tyre janë gjetur, në kuadrin e një hetimi, sipas zyrës së Prokurorit në Middle District të Pensilvanisë.

“Disa prej atyre fletëvotimesh mund t’u atribuohen votuesve konkretë ndërsa disa të tjera jo”, tha Departamenti i Drejtësisë në një deklaratë. “Të nëntë fletëvotimet ishin hedhur për kandidatin presidencial Donald Trump,” sipas Departamentit.

Historikisht, vendi nuk ka parë “asnjë lloj përpjekje të koordinuar në shkallë kombëtare për mashtrim në një zgjedhje të madhe, qoftë me postë apo ndryshe,” tha Drejtori i Byrosë Federale të Hetimit Christopher Wray të enjten para një komisioni të Senatit.

Zoti Wray tha se do të ishte një sfidë e madhe që një kundërshtar të mashtronte në shkallë të gjerë, “por njerëzit nuk duhet të jenë vigjilentë ndaj kërcënimit dhe ta vëzhgojnë atë me kujdes pasi jemi në një territor të paeksploruar.”

Zyrtarë republikanë theksojnë rëndësinë e tranzicionit paqësor

Zyrtarë kryesorë republikanë theksuan rëndësinë e një tranzicioni paqësor të pushtetit në Shtetet e Bashkuara, një ditë pasi Presidenti Donald Trump refuzoi të angazhohet për një premtim të tillë, në rast se ai humbet përballë kandidatit demokrat Joe Biden.

“Do të duhet të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha presidenti në përgjigje të pyetjes së një gazetari gjatë një konference për shtyp të Shtëpisë së Bardhë të mërkurën në mbrëmje. “Unë jam ankuar me shumë forcë për fletëvotimet dhe ato janë një katastrofë”.

Pa paraqitur asnjë provë, Presidenti Trump ka folur vazhdimisht për manipulime masive falë dhjetëra miliona fletëvotimeve të dërguara nëpërmjet postës, sistem të cilin demokratët e kanë inkurajuar për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Ne duam të kemi – t’i heqim fletët e votimit”, vazhdoi presidenti, duke shpjeguar se nëse do të krijohej një situatë e tillë “nuk do të ketë një transferim, sinqerisht; do të ketë një vazhdimësi”.

Kreu i shumicës në Senat, Mitch McConnell, shkruajti të enjten në Twitter se “Fituesi i zgjedhjeve të 3 nëntorit do të inaugurohet në 20 janar. Do të ketë një tranzicion të rregullt ashtu siç ka qenë për çdo katër vite që nga 1792”.

Senatori i Floridas, Marco Rubio, tha se “në mesditën e 20 janarit 2021, ne do të bëjmë paqësisht betimin e Presidentit”.

Ligjvënësja Liz Cheney tha të enjten në Twitter se “transferimi paqësor i pushtetit është i mishëruar në Kushtetutën tonë dhe thelbësor për mbijetesën e Republikës tonë”.

Senatori i hershëm republikan Lindsay Graham i tha emisionit “Fox and Friends” se “nëse republikanët humbin, ne do të pranojmë rezultatin”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany u pyet të enjten nga gazetarët gjatë konferencës për shtyp dhe u shpreh se “presidenti do të pranojë rezultatin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.

Rivali demokrat i Presidentit Trump, Joe Biden, gjithashtu reagoi të mërkurën ndaj komenteve të Presidentit Trump.

“Në cilin vend jemi? Po e them me humor”, tha ish-nënpresidenti. “Thashë, në cilin vend jemi? Shikoni, ai thotë gjërat më të palogjikshme. Nuk di çfarë të them”.

Një nga grupet më të vjetra të të drejtave kushtetuese të vendit gjithashtu komentoi.

“Transferimi paqësor i pushtetit është thelbësor për një demokraci funksionale. Kjo deklaratë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara duhet të shqetësojë çdo amerikan”, tha David Cole, drejtori kombëtar ligjor i Unionit Amerikan të Lirive Civile.

Më herët të mërkurën, Presidenti Trump tha se ai mendon se zgjedhjet e nëntorit “do të përfundojnë në Gjykatën e Lartë dhe unë mendoj se është shumë e rëndësishme që të kemi nëntë gjyqtarë”.

Presidenti planifikon të shpallë të emëruarën e tij për Gjykatën e Lartë të shtunën që nëse miratohet do të zëvendësonte gjykatësen liberale Ruth Bader Ginsburg, e cila vdiq të premten e kaluar.

Nëse Senati konfirmon kandidaten e presidentit para zgjedhjeve, kjo do t’i jepte krahut konservator një shumicë 6-3 në gjykatë.

“Ky mashtrim që demokratët po bëjnë, është një mashtrim, mashtrimi do të jetë përpara Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara dhe unë mendoj se të kesh një situatë 4-4 nuk është një situatë e mirë”, tha Presidenti Trump.

Presidenti ka shprehur vazhdimisht shqetësimin në lidhje me planet nga një numër shtetesh, duke përfshirë shtetet Kaliforni, Kolorado, Hauai, Nevada, Nju Xhersi, Oregon, Jutah, Vermont dhe Uashington, për të dërguar automatikisht fletëvotime për zgjedhjet të gjithë banorëve të shtetit.

Benjamin Ginsberg, një avokat i njohur për çështjet zgjedhore i cili ka përfaqësuar katër kandidatë republikanë për president, është cituar këtë muaj duke thënë se parashikimi i Presidentit Trump për mashtrim me këto vota nuk ka prova.

“Fjalët e presidentit e bëjnë retorikën e tij dhe të Partisë Republikane të duket më pak si një shqetësim i sinqertë – dhe më shumë si hipokrizi për të siguruar një avantazh elektoral”, shkruajti zoti Ginsberg në një artikull në gazetën Washington Post. “Dhe ata dalin ndërsa republikanët që përpiqen të fitojnë çështjet e tyre në gjykata duhet të përballen me të vërtetën themelore se katër dekada hetimi të dedikuar kanë prodhuar vetëm incidente të izoluara të manipulimit të zgjedhjeve”./VOA

Trump përshëndet marrëveshjen Kosovë-Serbi

Në mënyrë të papritur, Kosova dhe Serbia firmosën të hënën marrëveshjen që i hap rrugë linjës ajrore që do të lidhë Prishtinën me Beogradin. Marrëveshja u nënshkrua me ndërmjetësimin direkt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Konkretisht, i dërguari i Donald Trump për ndërmjetësimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, Ambasadori Richard Grenell ishte ai që “pajtoi” palët. Për këtë ngjarje reagoi dhe vetë Presidenti i SHBA, Donald Trump, i cili lë të kuptohet se është i përditësuar me zhvillimet në rajon, dhe ecurinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Trump e quajti “një tjetër fitore”, ndërsa shpreh falënderimin për ambasdorët Robert O`Brien dhe Richard Grenell. “Të gjithë thanë  se nuk mund të bëhej. Por për herë të parë në një gjeneratë do të ketë fluturime direkte midis Serbisë dhe Kosovës. Një tjetër fitore. Faleminderit Këshillit Kombëtar të Sigurisë, Ambasdorit Robert O`Brien dhe Ambasadorit Richard Grenell”, shkruan Donald Trump.

Linja ajrore e kompanisë “Luthansa” do të jetë ajo që do të lidhë direkt Prishtinën dhe Beogradin. Vendosja e linjës ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit u përshëndet nga klasa politike e Kosovës, që ka shpallur “tradhtar” Edi Ramën për iniciativën e krijimit të “Mini-Shengenit Ballkanik”. Por, në rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për fluturimet direkte mes Prishtinës dhe Beogradit, politika kosovare nuk ka shpallur asnjë “armik”.

Zgjedhjet e 2020-s dhe procesi për shkarkimin e Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump, hyri në histori këtë muaj kur Dhoma e Përfaqësuesve votoi ngritjen e akuzave ndaj tij nën dyshimet se i bëri presion Ukrainës të hetojë rivalin politik të tij, Joe Biden. Senati me shumicë republikane pritet ta shfajësojë presidentin gjatë një procesi gjyqësor në fillimin e vitit të ri. Sidoqoftë, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone, pasojat politike nga ky proces dramatik do të jenë faktor edhe për zgjedhjet presidenciale të 2020-tës.

Në kohëra të vështira, Presidenti Trump mund të mbështetet gjithnjë tek pritja e ngrohtë e bazës së tij politike. Edhe ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve votonte për të ngritur akuza ndaj tij, Presidenti Trump kritikoi demokratët gjatë një tubimi në shtetin Miçigan.

“Juve jeni ata që ndërhyni në zgjedhjet e Amerikës. Ju po sabotoni demokracinë e Amerikës. Ne nuk bëmë asgjë të gabuar. Ky ishte vetëm justifikimi”, tha Presidenti Trump.

Ligjvënësit demokratë thonë se ngritën akuza ndaj Presidentit Trump për shkak të përpjekjeve të tij për të marrë ndihmën e Ukrainës për rizgjedhjen në 2020-tën.

“Këto akuza shtrojnë pyetjen nëse jemi ende republikë ligjesh, siç e dëshironin themeluesit, apo nëse do të pranojmë që një person do të jetë mbi ligjin”, tha Ligjvënësi demokrat Steny Hoyer.

Shanset e Presidentit janë shumë më të mira në Senat ku republikanët pritet ta shfajësojnë në një proces gjyqësor.

“Kjo Dhomë e Përfaqësuesve ka lejuar që zemërimi partiak ndaj këtij presidenti të krijojë një precedent të ri toksik që do të përsëritet në të ardhmen”, tha Senatori Mitch McConnell, udhëheqës i shumicës republikane në Senat.

Udhëheqësi i pakicës demokrate thotë se partia e tij do të jetë në favor të akuzave.

“Nuk kam dyshim se po t’i themi Presidentit se mund t’i shpëtojë ekzaminimit për këtë rast, ai do ta bëjë sërish dhe sërish”, tha Senatori Chuck Schumer.

Demokratët dhe republikanët mendojnë se procesi i shkarkimit do të luajë rol për zgjedhjet presidenciale të 2020-tës.

“Është një e panjohur e madhe. Të dyja partitë mendojnë se mund ta kthejnë në favor të tyre dhe privatisht të dyja partitë e pranojnë se mund t’ju kthehet kundër. Nuk jemi gjendur më parë në një situatë kur kemi një proces shkarkimi dhe kur presidenti i akuzuar të jetë gjithashtu kandidat për t’u rizgjedhur”, thotë Julia Pace, e agjensisë së lajmeve Associated Press.

Saga e shkarkimit e ka konsumuar Uashingtonin gjatë muajve të fundit.

Por, votuesit kanë memorie të shkurtër, paralajmëron eksperti Larry Sabato, i Universitetit të Vixhinias.

“Deri në nëntor, kjo do të ketë shumë më pak domethënie nga ç’mendojnë njerëzit. Do të jetë si një diçka e mbetur në përjetësi. Në fakt debate të tjera, çështje të tjera, dy kandidatë – një demokrat dhe një republikan, do të dominojnë zgjedhjet. Jo procesi i shkarkimit”, thotë zoti Sabato.

Anketimet tregojnë se vendi vazhdon të jetë i ndarë për shkarkimin. Procesi i zgjatur në Dhomën e Përfaqësuesve nuk arriti ta ndryshojë këtë dinamikë, thotë analistja Capri Cafaro.

“Mendoj se procesi i shkarkimit nuk ka patur ndonjë ndikim domethënës për të ndryshuar mendjet e njerëzve. Mendoj se i ka konsoliduar kampet”, thotë zonja Cafaro.

Me fillimin e vitit të ri, Senati pritet të shqyrtojë nëse Presidenti Trump duhet të vazhdojë në detyrë. Por verdikti përfundimtar duket se do të jepet nga votuesit amerikanë nëntorin që vjen./VOA/

Trump autorizon krijimin e Forcës Hapësinore të SHBA

Presidenti Donald Trump ka nënshkruar dy projektligje shpenzimesh që do të financojnë qeverinë federale deri në shtator, duke shmangur një mbyllje të qeverisë që do të hynte në fuqi të premten në mesnatë.

Projektligjet e shpenzimeve arrijnë në 1.4 trilion dollarë dhe përfshijnë një ngritje pagash prej 3.1 përqind për punonjësit civilë të qeverisë.

Me nënshkrimin e projektligjit për politikat e mbrojtjes prej 738 miliardë dollarësh, Presidenti Trump autorizoi krijimin e një force hapësinore, një rritje të pagave prej 3,1 përqind për anëtarët e shërbimit ushtarak dhe 12 javë leje prindërore të paguar për punonjësit federalë.

Projektligjet u nënshkruan pasi ligjvënësit republikanë dhe demokratë arritën të bënin kompromise vetëm disa ditë pasi Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët votoi për të fajësuar presidentin nën akuza për shpërdorim të pushtetit dhe pengim të hetimit mbi veprimet e tij nga Kongresi.

Ndërsa republikanët e trumpetuan paketën e shpenzimeve si një fitore për ushtrinë amerikane, demokratët thanë se ata arritën të sigurojnë fonde për rritjen e pagave për punonjësit civilë federalë, hulumtimet mbi dhunën me armë, sigurinë e zgjedhjeve dhe një rritje të fondeve për studimin e klimës.

Forca Hapësinore e propozuar nga Presidenti Trump, dega e gjashtë e ushtrisë amerikane, u financua në këmbim të financimit të propozimit të lejes prindërore të demokratëve, që u jep 2 milionë punonjësve federalë, 12 javë pushim të paguar për herë të parë në historinë amerikane.

Forca Hapësinore do të jetë dega e parë e re e ushtrisë amerikane në më shumë se 60 vjet.

Gjenerali John “Jay” Raymond, komandant i Komandës Amerikane të Hapësirës dhe Komandës Hapësinore të Forcave Ajrore, e quajti degën e re ushtarake “me rëndësi kritike për vendin”, dhe tha “Udhëheqja e Amerikës në hapësirë po rezonon globalisht. … Pa diskutim që Shtetet e Bashkuara janë më të mirat në botë në hapësirë tani për tani, dhe sot ne jemi edhe më të mirë.”

Raymond tha se ndërsa ka ende shumë pyetje rreth Forcës Hapësinore, përfshirë atë se si do të quhen anëtarët e Forcës Hapësinore apo sesi do të duken uniformat e tyre, “Kjo është me të vërtetë e rëndësishme për kombin tonë”.

Rreth 16,000 personel ushtarak dhe civil do të caktohen në Forcën Hapësinore. Kjo përfshin 2.500 operatorë ushtarakë (personel ushtarak që kryejnë aktivisht detyra që lidhen me hapësirën), 6,200 personel të regjistruar dhe rreth 3,400 civilë.

Disa baza aktuale të Forcave Ajrore Amerikane përfundimisht do të riemërtohen pasi ato kryejnë kryesisht, funksionet e Forcës Hapësinore. Lista përfshin ndër të tjera bazën e Forcave Ajrore Peterson, Baza e Forcave Ajrore Schriever, Baza e Forcës Ajrore Buckley, Baza e Forcave Ajrore Patrick dhe Baza e Forcave Ajrore Vandenberg./VOA/

Akuzoheshin për krime lufte, Trump fal dy ushtarakë amerikanë

Kundër këshillave të zyrtarëve të mbrojtjes Presidenti Trump fali të premten dy ushtarakë amerikanë të akuzuar për krime lufte në Afganistan, përfshirë një që ishte dënuar dhe një që ishte në pritje të gjykimit. Presidenti Trump i riktheu gjithashtu gradën një anëtari të ekipit SEAL i cili ishte ndëshkuar pasi pozoi me një viktimë në Irak.

Presidenti fali lejtnantin, Clint Lorance dhe majorin Mathew Golsteyn. Lorance i urdhëroi ushtarët e tij të hapnin zjarr ndaj tre burrave të paarmatosur dhe u shpall fajtor për vrasje të shkallës së dytë dhe pengim të drejtësisë; Majori Golsteyn ishte në pritje të gjyqit për vrasjen e dyshuar të një afgani të dyshuar për një sulm me auto-bombë në 2010. Gjyqi i Golsteynit ishte caktuar të fillonte vitin e ardhshëm.

Trump gjithashtu i riktheu gradën e Shefit të Operatorit Special të Luftës, Edward Gallagerit, i cili ishte ndëshkuar pasi kishte pozuar me një kufomë luftarake të armikut, por ishte liruar nga akuzat për vrasje me paramendim dhe përpjekje për vrasje.

Sipas një raporti të CNN-it, zyrtarët e mbrojtjes e kishin paralajmëruar presidentin Trump se faljet mund të dëmtonin integritetin e sistemit gjyqësor ushtarak.

Shtëpia e Bardhë e mbrojti veprimin e Presidentit.

“Për më shumë se dyqind vjet, presidentët kanë përdorur autoritetin e tyre për t’u ofruar një shans të dytë individëve që e meritojnë, përfshi njerëzit me uniformë që i kanë shërbyer vendit tonë,” tha sekretarja i Shtypit të Shtëpisë së Bardhë Stephanie Grisham në një deklaratë të premten vonë. “Këto veprime janë në përputhje me këtë histori të gjatë.”/VOA/

Trump njofton vrasjen e numrit dy të ISIS

Pas vrasjes së kreut të ISIS, Abu Bakr al-Bagdadi, Presidenti i SHBA Donald Trump njoftoi të martën se është vrarë dhe numri dy i organizatës terroriste, Abu Hassan al Muhajir.

Ai shihej si pasuesi i Al-Bagdadi në shtetin Islamik, por forcat amerikane, sipas Donald Trump, kanë arritur ta ekzekutojnë atë para se të merrte drejtimin e terroristëve.

“Tani konfirmoj që zëvendësuesi numër një i Abu Bakr al-Bagdadi është vrarë nga trupat amerikane. Me shumë mundësi ai do të kishte marrë drejtimin. Tani ai është i vdekur”, shkruajti Trump.

Ndonëse nuk specifikoi emrin e personit të vrarë, të hënën një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit konfirmoi se zëdhënësi i ISIS, Abu Hassan al-Muhajir ishte vrarë në Siri gjatë operacionit nga forcat amerikane.

Ky është njoftimi i dytë i Trump, që pas atij të së dielës paradite ku njoftoi vrasjen e Al-Bagdadi. Udhëheqësi i ISIS ishte terroristi më i kërkuar në botë.

Trump vepron kundër mediave “fake” me një ide të re

Mediat kritike kanë qenë halë në sy për Trump. Ideja e tij e fundit: Institucionet federale amerikane do të detyrohen të përfundojnë abonime të caktuara. Të prekura nga kjo masë janë “New York Times” e “Washington Post”.

Presidenti amerikan, Donald Trump i ka cilësuar si “New York Times”,  edhe “Washington Post” si “armiq të popullit”. Tani Shtëpia e Bardhë dëshiron që institucionet federale amerikane të mos i marrin më përmes abonimit gazeta të tilla. “Moszgjatja e abonimit të këtyre institucioneve federale do të thotë një kursim kostoje për taksapaguesin, qindra mijëra dollarë,” bëri të ditur zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham.

Në komunikatën për shtyp nuk bëhet e qartë, se si do ta zbatojnë këtë konkretisht institucionet amerikane. “Wall Street Journal” raportoi në bazë të informatave nga qarqe qeveritare, se Shtëpia e Bardhë po përgatit një urdhëresë për autoritetet federale, sipas të cilës nuk do të zgjatet më abonimi për dy gazetat e njohura amerikane. Sipas agjencisë, AFP, Shtëpia e Bardhë i ka anuluar ndërkohë abonimet e saj.

Kritikët: Përhapësi më i madh i lajmeve “fake”, vetë Donald Trump

Mediat që raportojnë në mënyrë kritike për të, “New York Times”, “Washington Post” e të tjera, Trump i akuzon se e trajtojnë atë “në mënyrë të tmerrshme”, dhe se përhapin “lajme të rreme”. Por kritikët e fajësojnë Trump, se ai vetë është përhapësi më i madh i “lajmeve të rreme”. Sipas verifikuesve të fakteve në “Washington Post”, Trump në afër 1000 ditët e qeverisjes ka bërë 13.435 pohime të gabuara apo çorientuese. Trump i tha televizionit të preferuar prej tij, Fox News, se “New York Times” është “një gazetë fake”, që ai nuk e do më në Shtëpinë e Bardhë. Të dyja gazetat gëzojnë një prestigj të madh ndërkombëtar./DW/

E zgjedhura e Trump për Tiranën, seancë në Senat

E nominuara nga Donald Trump për ambasadore të SHBA në Shqipëri, Yuri Kim, do të dalë përpara Senatit Amerikan në datën 29 tetor. Nëse Senati miraton kandidaturën e Yuri Kim për të marrë postin e ambasadores në Shqipëri, pritet që së shpejti ajo të vijë në Tiranë.

Presidenti i Shtetve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, i propozoi Senatit për miratim, emërimin e ambasadores Yuri Kim në Shqipëri. Lajmin e dha Shtëpia e Bardhë në qershor të këtij viti, e cila shprehej se: “Znj. Kim është një anëtare e karrierës në Shërbimin e Lartë të Jashtëm, e cila ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore. Më herët, ajo ka mbajtur postin e drejtoreshës së Qenrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stabit të Zëvendëssekretarit të Shtetit dhe Drejtor i Zyrës së Sigurisë për Evropën dhe Çështjeve Politike-Ushtarake”.

“Yuri Kim, gjithashtu ka qenë pjesë e delegacionit të SHBA në bisedimet për të ndalur programin bërthamor të Koresë së Veriut. Gjithashtu, Znj.Kim ka shërbyer si Këshilltare Politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Bagdad, Irak, dhe më pas në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Ankara. Znj. Kim gjuhën flet koreane, kineze (mandarin), japoneze dhe turke”, shkruhet në CV-në e ambasadores së re të SHBA në Tiranë.

Yuri Kim është një figurë e njohur e diplomacisë amerikane. Ajo ka punur ai si ndihmëse e ish-sekretarit të shtetit për çështjet e Azisë Lindore, Christopher Hill gjatë vitit 2008. Ajo është një amerikane e natyralizuar, që u zhvendos nga Koreja e Jugut në Guam kur ishte 3 vjeç. Kim është bashkuar me Shërbimin e Jashtëm në vitin 1996, gjatë një periudhe burimesh të mjerueshme të diplomacisë amerikane, kohë kur punësoheshin pak diplomatë të rinj.

Pas një eksperience të gjatë si diplomate në vende të ndryshme të botës, Yuri Kim do të mbrrijë në Shqipëri, ndoshta së shpejti, pasi emri i saj i ka shkuar Senatit për miratim. Detyra e saj si ambasadore në vendin tonë vjen në një moment krize të thellë politike, por që tashmë po futet në rrugën e zgjidhjes, padyshim falë SHBA-së./Realstory.al/

Trump mbron vendimin për tërheqje nga Siria

Presidenti amerikan Donald Trump u përball me kritika të forta nga ligjvënësit e të dyja partive të mërkurën në lidhje me vendimin e tij për tërheqjen e forcave amerikane nga Siria verilindore. Tërheqja u pasua me sulme të shpejta të Turqisë ndaj kurdëve sirianë, të cilët ishin një aleat i rëndësishëm amerikan në luftën kundër terroristëve të Shtetit Islamik. Dhoma e Përfaqësuesve votoi me shumicë dërrmuese të enjten në favor të një rezolute që dënonte vendimin e Presidentit Trump për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria. Presidenti Trump thotë se ai po i kërkon Turqisë që të ndalë inkursionin e saj në veri të Sirisë.

Presidenti Trump u tha gazetarëve të mërkurën se ai po kthente ushtarët amerikanë në shtëpi ashtu siç kishte premtuar gjatë fushatës së tij presidenciale.

“Ka ardhur koha për rikthimin e ushtarëve tanë në vend. Kështu duhet të jetë. Ne nuk kemi patur ushtarë të plagosur ose të lënduar, sepse unë jam president dhe ne jemi më të mirët. Mos e harroni këtë.”

Presidenti Trump hodhi poshtë akuzat se ai i kishte dhënë Turqisë dritën jeshile për të pushtuar veriun e Sirisë në një bisedë telefonike me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan.

“Unë i dërgova një letër të fortë (presidentit turk) menjëherë pas bisedës. Asnjëherë nuk iu dha drita jeshile.”

Një delegacion amerikan i drejtuar nga Nënpresidenti Presidenti Mike Pence ndodhet në Ankara me synimin që të bindë presidentin turk Erdogan të arrijë një marrëveshje armëpushimi në veri të Sirisë, ose të përballet me sanksione të ashpra amerikane.

Ligjvënësit amerikanë, dyshojnë se kërcënimi me sanksione do të ndalonte gjakderdhjen e shkaktuar nga forcat e mbështetura nga Turqia. Mbështetësi i Presidentit Trump, Senatori Republikan Lindsey Graham, tha se largimi i trupave amerikane krijoi një boshllëk në Sirinë veriore që u mbush shpejt nga armiqtë e Shteteve të Bashkuara.

“Rusia dhe Irani nuk janë miqtë tanë. Ata nuk do të mbrojnë interesat amerikane. Kurdët janë miqtë tanë. Ata janë braktisur.”

Dhoma e Përfaqësuesve të Mërkurën votoi me 354 vota pro dhe 60 kundër në favor të një rezolute që dënon vendimin e Presidentit Trump.

Pas votimit, Presidenti Trump u takua me përfaqësuesit e të dyja partive në Shtëpinë e Bardhë, por Demokratët e braktisën takimin pasi njoftohet se ai e quajti kryetaren demokrate të Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi një “politikane të shkallës së tretë”.

“Unë mendoj se votimi, më shumë se 30 për qind e ligjvënësve republikanë votuan për të kundërshtuar atë që bëri presidenti, me siguri e befasoi presidentin sepse ai ishte i tronditur nga kjo. Dhe për këtë arsye ne nuk mund të vazhdonim takimin sepse ai thjesht nuk kishte lidhje me realitetin e tij”, tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Ligjvënësit republikanë fajësuan Pelosin për braktisjen e takimit.

“Kur jemi në kohë krize, udhëheqësit duhet të qëndrojnë, pavarësisht nëse u pëlqejnë ato që thuhen apo jo, dhe duhet të punojnë për të zgjidhur problemet”, tha udhëheqësi i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy.

Ndërsa ligjvënësit po i bëjnë thirrje Presidentit Trump që të ndryshojë vendimin e tij, situata në terren në Siri tashmë ka ndryshuar. Trupat e qeverisë siriane u bashkuan me përpjekjet e kryengritësve kurdë dhe grupeve të tjera lokale për të bllokuar pushtimin e pjesës veriore të vendit nga Turqia. Pasi marshuan në qytetin e rëndësishëm të Manbixhit të martën, këto forca hynë në qytetin kufitar strategjik të Kobanit të mërkurën vonë. Rusia është zotuar se do të parandalojë përleshjet mes Turqisë dhe forcave të qeverisë Siriane që mbështeten nga Moska./VOA/

Skip to toolbar